Partia Socialiste synon të zgjerojë ndikimin e saj përtej kufijve të Shqipërisë, duke ndërmarrë një nismë të re për organizimin e diasporës shqiptare në struktura të mirëfillta politike.

Sipas projekt-vendimit, i cili pritet të miratohet gjatë Asamblesë së PS ditën e shtunë, do të nisë një fushatë e gjerë regjistrimi për anëtarë dhe përkrahës në vendet ku jeton pjesa më e madhe e diasporës, si Italia, Greqia, Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja. Krahas krijimit të një databaze të detajuar, PS synon të ndërtojë një rrjet aktiv komunikimi dhe angazhimi, duke e kthyer diasporën në një faktor më të organizuar politikisht.

Në një fazë të dytë, plani parashikon ngritjen e strukturave të plota organizative jashtë vendit, me koordinatorë lokalë, asamble në qytete dhe këshilla koordinues në nivel shteti. Këto struktura pritet të kenë edhe përfaqësim në organet qendrore të partisë. Afati i regjistrimit të emigrantëve do të jetë nga 30 marsi deri në 30 shtator.

PROJEKT - VENDIM 

Për organizimin e Partisë Socialiste në diasporë

Në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 11 Majit morën pjesë për herë të parë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë territorit. Në këto zgjedhje u regjistruan 245 935 shtetas me të drejtë vote, prej të cilëve shprehën vullnetin e tyre me votë 202 187 votues të rregjistruar. Partia Socialiste mori 122 855 vota ose 61.2% të totalit. Numri më i madh i personave të regjistruar erdhi nga Italia, Greqia, Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar etj. Partia Socialiste mori rezultatin më të mirë në Greqi me 83.9% të votave, rezultat i cili ndërlidhet edhe me punën organizative ndër vite të Partisë Socialiste në këtë vend si dhe me angazhimin e ekipeve të qarqeve gjatë procesit të regjistrimit dhe votimit. Nisur nga kjo eksperiencë e fituar në këto zgjedhje të para ku mori pjesë diaspora, gjykojmë se është e nevojshme dhe e domosdoshme, që kontaktet e përfituara nga fushata zgjedhore në diasporë të vazhdojmë t’i ruajmë me korrektësi dhe t’i ftojmë të bëhen pjesë e strukturave të Partisë Socialiste në diasporë, sipas parimeve të Statutit të PS.

Partia Socialiste do të krijojë regjistrin e anëtarësisë dhe të përkrahësve kudo ku jeton diaspora shqiptare, duke filluar me 5 vendet ku jetojnë gati 90% e shqiptarëve, sipas regjistrimeve të Zgjedhjeve të 11 Majit 2025: Itali 37.1%, Greqi 27.6%, Gjermani 10.4%, SHBA 8.4%, MB 7.1%. Në Greqi ka një strukturë aktuale funksionale, e cila duhet forcuar edhe më shumë sipas skemës organizative në këtë vendim, me qëllim shtrirjen në gjithë territorin e Greqisë, në qytete, qarqe, rajone, ishuj dhe me përfshirjen e të gjitha komuniteteve sipas qarqeve dhe bashkive të origjinës nga Shqipëria. Mbi të njëjtin parim të përcaktuar në Statutin e PS do duhet të organizohet Partia Socialiste edhe në Itali, Gjermani, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada etj. Për përcaktimin e ndarjeve sipas territoreve në seicilin shtet dhe strukturën organizative ngarkohet Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në diasporë t’i propozojë Kryesisë së PSSH projekt-vendimet përkatëse për çdo shtet, bazuar në këtë vendim.

Ky proces fillon me organizimin e një fushate të plotë regjistrimi të anëtarësisë dhe përkrahësve (simpatizantëve) të Partisë Socialiste në në Itali, Greqi, Gjermani, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada.

I. Evidentimi dhe krijimi i bazës së të dhënave të anëtarëve dhe përkrahësve të PS jashtë vendit

1. Strukturat vendore të Partisë në 61 bashkitë e vendit, bazuar në kontaktet e regjistruara gjatë fushatës zgjedhore të fundit, duhet t’i rikontaktojnë dhe t’i informojnë për procesin e regjistrimit si anëtarë anëtarët ose përkrahës të Partisë Socialiste në këto vende. Regjistrimi në këtë database duhet të kryhet sipas parimeve të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të përmbajë të dhënat bazë: emër, mbiemër, datëlindje, bashkia e origjinës në Shqipëri, vendbanimi në vendin përkatës, numër kontakti, adresë e-maili dhe dhënien e dakordësisë për t’u kontaktuar për informacione dhe organizime të tjera. Mbi këtë bazë hartohen projektet e listave të anëtarësisë dhe listat e përkrahësve. Në Greqi në hartimin e regjistrit të anëtarësisë dhe përkrahësve të partisë të përfshihen strukturat aktuale të Partisë Socialiste në Greqi.

2. Mbi bazën e kërkesave statutore të regjistrit të anëtarësisë dhe të përkrahësve, në koordinim me kontaktet ekzistuese në diasporë, Drejtuesit Politikë të Qarqeve në koordinim me Drejtuesin Politik të Diasporës të PS dhe Sekretarin për Diasporën organizojnë fushatën për regjistrimin e anëtareve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste në diasporë, sipas bashkive dhe qarkut që ata mbulojnë, në qytetet, rajonet apo shtetet e vendeve.

3. Në hartimin e regjistrit të anëtarësisë në diasporë të zbatohet neni 30 i Statutit të PSSH, pika 3, sipas së cilës organizimi në Partinë Socialiste në diasporë bëhet: “mbi bazën e territorit në vendin përkatës ku jetojnë e punojnë, me anëtarësi të partisë me origjinë dhe banues nga një fshat, qytet, NJA, bashki ose qark në vendin amë”.

4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste për ngritjen e sistemit të regjistrimit online të anëtarëve dhe përkrahësve të Partisë Socialiste në diasporë.

30 mars – 30 shtator 2026

II. Ngritja e stukturës organizative e PS në diasporë dhe konstituimi i tyre

1. Mbi bazën e regjistrit të anëtarësisë dhe të përkrahësve, në koordinim me kontaktet ekzistuese në diasporë, Drejtuesit Politikë të Qarqeve në koordinim me Drejtuesin Politik të Diasporës të PS dhe Sekretarin për Diasporën organizojnë fushatën për përzgjedhjen e 3 koordinatorëve të Partisë Socialiste në diasporë, sipas bashkive dhe qarkut që ata mbulojnë, në qytetet, rajonet apo shtetet e vendeve.

2. Drejtuesi Politik i Diasporës në bashkëpunim me Sekretarin për Diasporën i verifikon propozimet në përputhje me kriteret statutore dhe harton projekt-vendimin për Kryesinë e Partisë.

3. Me përfundimin e procesit të zgjedhjes së koordinatorëve të Partisë Socialiste në diasporë sipas bashkive dhe qarkut që ata kanë prejardhjen nga Shqipëria, konstituohen asambletë e Partisë Socialiste në diasporë në qytetet, rajonet apo shtetet e vendeve ku ata jetojnë. Në mbledhjen e Asamblesë zgjidhet edhe Koordinatori i Asamblesë Socialiste për qytetin, rajonin apo shtetin në fjalë. Asambleja zgjedh edhe një sekretariat ekzekutiv.

4. Në fazën e fundit konstituohet edhe Këshilli Koordinues i Partisë Socialiste për vendin (për shembull Këshilli Koordinues i Partisë Socialiste për Italinë). Në këshillin koordinues të Partisë Socialiste marrin pjesë koordinatorët e asambleve të zgjedhur sipas pikës 3 më lart.  Kryesia e Partisë Socialiste përzgjedh Kryetarin e Këshillit Koordinues për një mandat 2 vjeçar.

1 Tetor 2026 - 1 Mars 2027

Sipas përcaktimeve në Statutin e PS, strukturat e Partisë Socialiste në diasporë do të kenë edhe përfaqësuesit e tyre në Asamblenë Kombëtare të PS.

DREJTUESI POLITIK PËR DIASPORËN

Taulant BALLA

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

lajm në përditësim...