Shqipëria do të duhet të presë ende, për të marrë një përgjigje nga Këshilli i Bashkimit Evropian mbi Raportin e Ndërmjetëm, që do ta kalonte në fazën tjetër procesin e negociatave. Çështja ishte dhe sot pjesë e diskutimit mes vendeve anëtare. Për Report TV, Këshilli i BE-së thotë se do të duhen edhe disa raunde të tjera bisedimesh, deri në arritjen e një konsensusi për qëndrimin e përbashkët
***
Ndërsa Shqipëria pret vendimin e Brukselit për miratimin e pikave të ndërmjetme në procesin e integrimit evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian thotë se përgjigja përfundimare do të kërkojë ende kohë.
Grupi i Punës për Zgjerimin, COELA, i përbërë nga ambasadorët e vendeve anëtare, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku në axhendë ishte sërish “shkëmbimi i pikëpamjeve për Raportin e Vlerësimit të ndërmjetëm (IBAR-it) dhe Drafti i ndërmjetëm i Pozicionit të përbashkët të BE-së”, të dy të propozuar nga Komisioni Europian.
Në një përgjigje ekskluzive për Report tv, Këshilli i BE-së thotë se mes vendeve anëtare do të ketë edhe disa raunde të tjera diskutimesh.
"Është bërë njëfarë progresi, por diskutimet janë ende në vazhdim në këtë fazë relativisht paraprake. Në çdo rast, priten edhe disa raunde të tjera diskutimesh përpara se të arrihet një marrëveshje në nivelin e COELA mbi një draft i ndërmjetëm i Pozicionit të Përbashkët të BE-së", thuhet në reagimin për Report Tv.
Këshilli shpjegon se gjatë procesit “shtetet anëtare bëjnë pyetje ose shprehin shqetësime ndaj Komisionit, Komisioni përgjigjet, presidenca mban shënime dhe përgatit një tekst tjetër kompromisi për raundin e ardhshëm të diskutimeve, dhe kështu me radhë”
Që mes vendeve anëtare ka diskutime e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama, duke mohuar të ketë ngërç në procesin e negociatave.
“Jemi totalisht sipas agjendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare dhe pas diskutimeve do të vijë dhe vendimmarrja", deklaroi Rama.
Komisioni ka deklaruar se Raporti i Vlerësimit të pikave të ndërmjetme (IBAR) i hartuar prej tij, ka qenë pozitiv për Shqipërinë. Por vendet anëtare kanë ndërhyrë në draftin e sugjeruar për Pozicionin e Përbashkët të BE-së.
“Drafti i Ndërmjetëm i Pozicionit të Përbashkët të Bashkimit Evropian siç është paraqitur nga Komisioni sigurisht që ka pësuar ndryshime të shumta, por ky është ende një proces në zhvillim dhe do të ketë të tjera në takimet e ardhshme, pasi diskutimet në nivelin e COELA-s janë ende në vazhdim", thuhet në deklaratë.
Komisioni Europian e dorëzoi më 26 shkurt IBAR-in, miratimi I të cilit I hap rrugë procesit të mbylljes së kapitujve të negocimit.
Komente











