Anëtarë të dy grupeve kriminale në Shkodër, janë bërë objekt i hetimit pasuror nga Operacioni Forca e Ligjit në Policinë e Shtetit, pasi vëllezërit Lici dhe Cafi në Shkodër duhet të vetëdeklarojnë pasurinë e tyre. Të dyja palët janë me precedentë penale, kryesisht në fushën e trafiqeve, gjobëvënës dhe vrasjeve.

"Shqiptarja.com” zotëron një raport të policisë së Shtetit, që bën fjalë për të kaluarën kriminale të vëllezërve Bledar dhe Gëzim Cafi në Shkodër, që të dy objekt i hetimit nga OFL-ja. Në këtë raport thuhet se dy vëllezërit Cafi ose ndryshe Bokrri, janë të dënuar jashtë dhe brenda vendit. Por kjo nuk i ka penguar ata të ngrenë biznese në qytetin e Shkodrës.

Sipas këtij raporti, Bledar Cafi ose Bokrri, i arrestuar në Francë dhe ekstraduar në Shqipëri si pjesëmarrës në një vrasje rezulton të ketë ngritur biznese në Shqipëri, si Bar-Kafe, një kompani peshkimi në lumin Buna dhe një njësi tregtare të produkteve me shumicë dhe pakicë në Shkodër. Sipas raportit të policisë njësia tregtare është hapur në datën 6 prill 2018 në lagjen “Salo Halili” në Shkodër. Objekti i kësaj njësie  tregtare është “Tregtim i artikujve ushqimorë me shumicë dhe pakicë”.

Ndërkohë që një biznes tjetër në emër të Bledar Cafit është zbuluar në Shkodër dhe bën fjalë për tregtinë e peshkut. Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër. Objekti i kësaj kompanie është zënie dhe tregti të peshkut në ujërat e liqenit të Shkodrës dhe në lumin Buna. 

Ndërkohë nga verifikimet e kryera rezulton se vëllai tjetër i Bledar Cafit, Gëzim Cafi, i dënuar për akuzën e "Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit", nuk ka asnjë pasuri në emër të tij. Pasuria e tij është në emër të bashkëshortes. Bëhet fjalë për një bar-Restorant dhe Hotel në zonën Rrethina në Shkodër. Hoteli sipas burimeve quhet “Zues” dhe komplesi "Prince of Lake". Ndërsa mësohet se në emër të njërit prej djemve të Gëzim Cafit, ndodhet një biznes Bar-Kafe dhe shezllone me qera në bregdetin e Velipojës në Pulaj. Ky biznes momentalisht ndodhet me status të ç’regjistruar. Ndërkohë raporti policor nuk ka gjetur shumë të dhëna për sa i përket pasurisë së vëllezërve Ibrahim Lici dhe Muhamed Lici.

Ibrahim Lici është në kërkim për t'u pyetur në lidhje me rrethnat e ngjarjes në atentatin e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali më 30 mars 2019. Pra është vetëm në kërkim policor, nuk është person në hetim për vrasjen e vëllezërve Bilali.

Ndërsa vëllai i tij Muhamed Lici është dënuar me disa vite burg dhe tashmë i liruar për akuzën e gjobëvënies ndaj tregtarëve të tregut Zdrale në Shkodër. Të dy vëllezërit nuk gëzojnë pasuri veç një automjeti dhe banesës së babait të tyre, Mustafa Lici.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:06
OFL-ja u çoi formularin për pasurinë, Ibrahim Lici nuk është në kërkim për vrasje

Përgjigja e prokurorisë per Ibrahim Licin
 

OFL-ja u dërgoi formularin duke u kërkuar shpjegime për pasurinë vëllezërve Ibrahim dhe Muhamed Licit. Ibrahim Lici është në kërkim nga policia por jo si person në hetim. Ai kërkohet vetëm në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen lidhur me vrasjen e dy vëllezërve Bilali vitin e kaluar. Pra është vetëm në kërkim policor. Ky dokument është përgjigjja që prokuroria i ka dhënë avokatit Sajmir Visha duke sqaruar se nuk është person në hetim për vrasjen e vëllezërve Bilali. Shkresa mban datën 20 janar 2020.