Dhjetë janë kandidaturat e paraqitura në Presidencë për një vend në Gjykatën Kushtetuese, për zëvendësimin e vendit të mbetur vakant pas mbarimit të mandatit të Sonila Bejtjes.

Kandidaturat janë emra të njohur të jurisprudencën në vend, teksa dallon mes tyre Naureda Llagami, ish kryetarja e KLGJ që vetëm për një votë nuk u bë anëtare e Kushtetueses si emërtese e Gjykatës së Lartë, vendim që ajo e ankimoi por nuk fitoi. Rikthimi i saj si kandidatë e bën një emër shumë të fortë për t’u zgjedhur, edhe për faktin se sipas pikëzimit të mëhershëm në KED radhitej mes të parëve.

Një kandidat tjetër i fortë është Genci Gjonçaj, aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në detyrë që prej vitit 2017. Avokati i njohur Jordan Daci është gjithashtu mes emrave që synojnë Kushtetuesen, i rikthyer si kandidat.

Ish gjyqtari Alaudin Malaj, i larguar me dorëheqje nga vettingu, Alban Toro, ish anëtar i KLGJ, apo ish komisionerët e shkallës së parë të vettingut si Lulzim Hamitaj, Alma Faskaj Vokopola dhe Roland Ilia janë gjithashtu mes kandidatëve.

Interesant është edhe emri i Arta Vorpsit, e cila nëntorin e vitit 2019 u betua te një noter pasi u konsiderua si e zgjedhur anëtarë e Kushtetueses, por atëherë Presidenti Ilir Meta nuk e pranoi dhe nisi një betejë të fortë që shkoi deri në Komisionin e Venecias.

Lista me 10 anëtarë mbyllet me Brunilda Bara, që ka mbajtur pozicionin e këshilltares në Gjykatën Kushtetuese.

Tashmë kjo listë kandidatësh do t’i shkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili fillimisht do të shqyrtojë plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore dhe më pas harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët.

Në fund do të jetë Presidenti Begaj ai që do të zgjedhë një prej 3 emrave të renditur më lart nga KED, që do të jetë dhe anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, mandati 9-vjeçar i të cilit do të nisë nga 25 prilli i vitit 2025.

Lista e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese
Alaudin Malaj
Alban Toro
Alma Faskaj Vokopola
Brunilda Bara
Genci Gjonçaj
Jordan Daci
Lulzim Hamitaj
Naureda Llagami
Roland Ilia