Ekskluzive-Intervista/ Bashkëshortja Elena: Ju rrëfej marrëdhëniet e Kadaresë me diktatorin

Ekskluzive-Intervista/ Bashkëshortja Elena: Ju rrëfej marrëdhëniet e Kadaresë me diktatorin

Ismail dhe Elena Kadare

Elena Kadare, bashkëshortja dhe bashkudhëtarja e jetës dhe e veprës së Ismail Kadaresë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” ka folur rreth shkrimit të librit më të ri “Kur sunduesit grinden”, që u promovua dje në panairin e librit Tirana 2018. Promovimi është bërë me një pjesëmarrje të pazakontë të lexuesve dhe fansave të Kadaresë pranë stendës së shtëpisë botuese “Onufri”, të cilët “e kanë detyruar” shkrimtarin për rreth 2 orë e 30 minuta të qëndrojë aty duke biseduar e shkruar pareshtur autografe. 

Elena Kadare që ishte pranë bashkëshortit të saj në këtë manifestim të vlerave të librit në Tiranë, rrëfen për “Shqiptarja.com” sesi ka nisur si ka nisur intriga e librit “Kur sunduesit grinden”. Duke e parë Kadarenë, jo vetëm si bashkëshort, por edhe në distancën e lexuesve, Elena Kadare rrëfen makthin e përjetuar të shkrimtarit gjatë diktaturës, sa herë nisnin tentativat për ta dënuar. “Ishte fat që shpëtoi, për ne dhe letërsinë”, thotë Elena Kadare që është edhe vetë shkrimtare në profesion. 

Në të vërtetë Elena Kadare prej kohësh, siç thotë vetë, është bërë veshi i parë që dëgjon jehonën e një vepre letrare të Kadaresë në ngjizje e sipër. Vepra më e fundit e Kadaresë “Kur sunduesit grinden është një vepër që simbolikisht lidhet rreth misterit të telefonatës Stalin – Pasternak, por në thelbin e saj është frymëzuar nga vetë marrëdhëniet e ndërlikuara të shkrimtarit Ismail Kadare me epokën e vetë, argumenton bashkëshortja e shkrimtarit të madh.

Kadare ka rrëfyer në vepër edhe marrëdhëniet e diktaturës me poetin e madh Lasgush Poradeci, e cila ishte treguar gjithmonë e gatshme për ta ndëshkuar poetin e frymëzimeve të lira, por që sipas Kadaresë atë e shpëtoi “maska Hamletiane”. Sipas një opinioni që u përhap se Lasgushi qenkej një i “i krisur” e “kokëfortë”, shërbëtorët e diktaturës zgjodhën ta linin mënjanë e të mos merreshin me të. Rreth paraleleve dhe fakteve që kanë ndodhur në marrëdhëniet e shkrimtarëve me diktatorët, libri i Kadaresë “Kur sunduesit grinden” sjell mesazhe e vështrime interesante për rolin e shkrimtarëve dhe poetëve në civilizimin e shoqërisë. 

Zonja Elena, kur ka lindur si bërthamë ky libër i Kadaresë? Jua bëj këtë pyetje, sepse kam vënë re që krijimtaria e Kadaresë nis nga disa bërthama të mëhershme, të vogla dhe më pas merr zhvillime të paparashikueshme?
-Ku libër ka shumë-shumë vite që është perceptuar për t’u bërë i tillë. Nuk e di, Kadarenë e ka intriguar jashtëzakonisht shumë kjo temë, që janë tri minutat që ka folur Stalini dhe ka marrë në telefon Pasternakun, poetin e madh rus. Po bën një shekull që është bërë kjo bisedë triminutëshe e për të tërë mbeti një enigmë. Sepse ai vetëm kaq e pyeti, kur ndërkaq ishte arrestuar poeti tjetër i madh Mandeshtami, mik i Pasternankut, dhe Stalini e mori për t’i thënë “Ç’mendon ti për Mandershtamin” , dhe ky e kuptoj si qe puna dhe u hutua, kur e mori në telefon sovrani i madh në mënyrë të papritur ....

Dhe ai në të moment i tha: “Nuk e di, sepse secili nga ne shkruan me mënyra të ndryshme.” Dhe Ismailin e intrigoi jashtëzakonisht shumë kjo gjë. Por habia është se variantet që thuhen për atë telefonatë janë të ndryshme, Gruaja e Pasternakut e thoshte ndryshe, ai vet e thoshte ndryshe, miqtë e tij njerëz të tjerë që e kanë përcjellë apo interpretuar këtë bisedë e tregojnë ndryshe. Ismaili prej shumë vitesh ka aq shumë shënime për këtë gjë, sa më në fund vendosi ta shkruante dhe ta botonte, dhe ai prapë hezitonte. Më thoshte, “ja t’i shtoj edhe këtë”, edhe atë.

E unë, në fakt, i thashë çoje ne shtyp, se e ripunon më vonë, siç ke bërë gjithnjë me librat e tu.  Libri tani është krejtësisht i plotë, por Kadare nuk është i kënaqur me mbylljen dhe donte të bunte një mbyllje universale që nuk e ka bërë. Dhe një nga kënaqësitë e mia është që ai vendosi ta botojë. Ismaili i trajton teoritë franceze si edhe ato ruse mbi çfarë ka ndodhur me Stalinin e Pasternakun, e më pas jep teorinë e tij rreth situatës historike. Ka shpjeguar të trembëdhjetë versionet dhe atë çka ai mendon rreth secilit prej tyre. Ka shumë paralele në libër, jo vetëm mes Ismailit dhe sunduesit tonë, por edhe me Lasgush Poradecin.

Gjatë leximit të këtij libri, kam vënë re se Kadare ka përshirë edhe shkrimtarët shqiptarë, duke trajtuar marrëdhëniet e diktatorëve me ta, të sintetizuara në ese simbolike. Por dihet që Kadare ka përjetuar vetë një marrëdhënie të tillë me diktatorin, por e ka përjashtuar rrëfimin për veten në këtë libër. Për cilën arsye e përjashtoi, se unë mendoj që Kadare kishte shumë për të shkruar për veten?
-Shiko. Është e vërtetë që ai kishte shumë për të thënë për veten. Por, por..., unë mendoj se në tërë librin, meqë e kam pasur shumë kohë nëpër duar ( se Kadare shkruan gjithmonë me dorë dhe unë ia shkruaj në kompjuter) gjithnjë vija re që variantet ndryshonin. Pra që në zanafillën e këtij libri është përvoja e tij, eksperienca e tij. Janë tërë raportet dhe marrëdhëniet e tij me sunduesin, gjë që jam përpjekur ta shpjegojë tek libri im “Kohë e pamjaftueshme”, pra që ishte një marrëdhënie që herë shtrëngohej, herë lirohej. Nëse ju kujtohet historia e “Dimrit të vetmisë së madhe” që u bë një bujë shumë e madhe, u shanë shumë dhe po bëheshin gati ta dënonin, dhe është përsëri sunduesi që e shpëtoi me një fjalim në Elbasan, në atë kohë që pritej nga të gjithë të dënohej. Ai (Enver Hoxha) tha në një takim në Elbasan që “kështu janë shkrimtarët”, që “kanë edhe kapriçiot”, “prandaj kanë frikë, por duhet t’i falim”, “duhet t’i tolerojmë”. Pra është një gjë e rrallë, që një diktator si i yni të pritej të toleronte të tilla gjëra, por faktikisht Kadare shpëtoi me këtë gjë. 

Ju vetë si i interpretoni këto qëndrime të diktatorëve me shkrimtarët e shquar dhe konkretisht marrëdhëniet e Kadaresë me diktatorin, sepse Kadare e shpjegon sipas një pikëpamje personale?
-Unë e shpjegoj kështu... Më falni për mungesë modestie..., por tani kjo dihet që Kadare ishte një autor shumë i madh dhe i njohur në Perëndim, sepse ai u njoh shumë shpejt në Perëndim që me “Gjeneralin”. Mendoj se nuk kishte asnjë të mirë që diktatori të dënonte një autor të shquar, ndërkaq, të njohur në perëndim, sepse ata e vinin në dukje veprën e Kadaresë në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë artikujt që bënin. Madje, kulmi është në vitin 1981, që ai u kritikua rëndë për “Pallatin e ëndrrave”. E kishin thirrur në një plate televizive në Francë dhe ishte komentatori më i shquar i letërsisë në atë kohë, Bernand Pivot që e ftoi atje.

Ndërsa këtu në Shqipëri Kadarenë nuk e lejuan të ikte, sepse ishte në kohë “zjarri”, që ishte botuar ky libri, dhe mbaj mend që Bernand Pivot kishte shkruar në shtyp “që ne duam që të vijë Kadareja në platenë televizive dhe jo koka e tij në tepsi, pra ai donte të thoshte me këtë që nuk e duam në tepsi kokën e tij si koka e prere e Ali Pashait, sepse ishte shkruar kjo tragjedi e në librin e Kadaresë “Pashallëqet e mëdha”, por e duam të vij Kadare përsëgjalli. Ne i lexonin këto shkrime, sepse ne na i jepnin në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Në zyrën e kryetarit të Lidhjes, dhe pati një presion shumë të madh nga Perëndimi, sepse dihej që këtu në Shqipëri kishte ambasada të huaja dhe ata u shpjegonin në vendet e tyre se u bë një plenum i madh dhe shkrimtarin donit ta dënonim. Se mos ishin ndonjë vend shumë i madh ne. Këtu çdo gjë merrej vesh. Një mikesha ime, kryeredaktore e gazetës “Figaro” më tha se ne në atë kohë bënin mbledhje të Internacional Organization që ta shpëtonim Kadarenë. Këto plenume, sharje gazetash ishin një sulm i rëndë. Nuk e di se ç’kanale vinin që të dinin këto që bëheshin këtu. Por fakti është që falë këtyre ndërhyrjeve Kadare mbeti gjallë për fatin tonë dhe të letërsisë vetë. 

A krijon një dialog me ju Kadareja kur nis krijimtarinë e re të tij, apo preferon që të shkruaj në vetmi?
Në fakt, Kadareja ka një mënyrë të tillë pune, që pasi shkruan, ka nevojë që ta dëgjojë dikush. Dhe unë e di se atij i duhet një vesh për at dëgjuar që t’i thotë se çfarë po bën. Ai gjithmonë ka nevojë për një vesh që ta dëgjoj. Ndonjëherë, kur unë nuk jam treguar e vëmendshme në bisedat me të se çfarë shkruan, ai e kupton këtë dhe më thotë: “Po dëgjo, se unë ta them këtë për veten time, kam nevojë ta dëgjosh”. Kadareja ndjen nevojën që ajo që shkruan të komunikoje me veshin, me dëgjuesin, lexuesin e tij. Dhe si gjithmonë unë jam dëgjuesja dhe lexuesja e parë më komunikohet çdo gjë që ai shkruan. 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 17/11/2018 11:41

    Zonj librat e burrit tat shiteshin me aitorizim ishte i preferuar i zotit dhe tani qe zoti nuk jeton me ti po i bie me gur bravo kesaj i thon ti hash buken dhe ti permbysesh kupen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen