Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llala, i dënuar me vendim të formës së prerë nga GJKKO, jeton në Itali dhe prej disa ditësh ka kërkuar azil politik atje. Emisioni 'Repolitix' në Report Tv ka siguruar pamje nga ndërtesa ku ai jeton në një lagje në kryeqytetin italian në Romë.

Report Tv mëson gjithashtu se ish-Prokurori ka shkuar dhe është paraqitur tek autoritetet italiane për të kërkuar azil politik. Të njëjtat autoritete kanë bërë një verifikim të identitetit të tij dhe më pas i kanë komunikuar masën e arrestit, pasi Llalla është në kërkim ndërkombëtar sipas një urdhër të SPAK.

Më pas Llala është paraqitur në gjykatë, në të cilën ka dorëzuar një dokumentacion që tregon gjendjen e tij shëndetësore. Gjykata e Romës është njohur me një ndërhyrje kirurgjikale që ai ka bërë në Gjermani dhe ka konstatuar se nuk është mirë nga ana shëndetësore.

Për këtë arsye gjykata ka lënë të lirë që të jetojë në banesën e tij me detyrimin që të mos largohet nga qyteti i Romës dhe ka urdhëruar që t'i merret pasaporta. Adriatik Llalla është ende në 'mbrojtje ndërkombëtare' që është një statut që i jepet një personi që kërkon azil politik nëse plotëson kushtet. 

Por ajo që vihet re është fakti se duke qenë se gjykata i ka komunikuar 'masë arresti' do të thotë që nuk e ka besuar që ai është persekutuar politikisht në Shqipëri. Zakonisht kur ka arsye për të besuar se personi është i persekutuar politikisht i nisin menjëherë procedurat për azil dhe nuk i jepet masë arresti, siç ndodh me azilkërkërkuesit nga Turqia psh, por në rastin e Llallës ka ndodhur ndryshe. 

Në Itali pritet një komunikim me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë për të nisur procedurat për ekstradim, ndërkohë që siç duket do të ketë edhe një vendimmarrje për kërkesën për azil të Llallës. Do të jetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili në rrugë diplomatike do të çojë në Romë kërkesën për ekstradimin. Kjo procedurë zgjat 40 ditë. Pas kërkesës nga Shqipëria Adriatik Llalla do të paraqitet serish në Gjykatë për të marrë verdiktin. 

Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg lënë në fuqi edhe nga Apeli me akuzën e refuzimit për deklarimin, mosdeklarim dhe fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive" i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar në pranga. Ish kryeprokurori iku nga Shqipëria një javë përpara se gjykata e Apelit të jepte vendimin ndaj tij dhe për herë të fundit ai u fotografua në stacionin e trenit në Romë.

Kush është Adriatik Llalla?
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës  u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi  më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive", për të cilën do të vuaj dy vite burg.

Ora 22:05
Ekskuzive/ Report Tv siguron pamje nga vendi ku jeton Adriatik Llalla në Itali! Nuk është në burg, por i kanë marrë pasaportën