TIRANE- Gjykata e Durrësit ka vendosur të pushojë çështjen penale në ngarkim të Arben Qatos, inxhinierit, që i doli emri si një nga kolauduesit abuzivë të ndërtimeve pa lejë në qytetin e Durrësit dhe zonën e Golemit. Qato ka qenë ish-kandidat për deputet të LSI-së në qarkun Durrës në zgjedhjet parlamentare të 2017. Si pasojë e kolaudimeve të falsifikuara dhe jo të drejta,por dhe punimeve të dobëta që kishte kryer në hotelin e tij “Vila Palma” në Golem, Arben Qato, në tërmetin e 26 nëntorit 2019 humbi ndërtesën buzë detit, ku nga shembja mbeti i vdekur babai i tij Sadik Qato dhe fatmirësisht shpëtoi njëri nga djemtë e tij.

“Shqiptarja.com” në 5 dhjetor 2019 ka raportuar se ky kolaudues ka falsifikuar dokumente, lidhur me kolaudimin e objektit shumë katësh që ndodhet në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” dhe që njihet ndryshe si kompleksi “Kamelia”. Për kolaudimet fiktive dhe jo reale, Arben Qato në muajin korrik 2019 është marrë i pandehur nga prokuroria e Durrësit, e cila ka ngritur ndaj tij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Qato në cilësinë e inxhinierit kolaudues, ka kryer kolaudimin e pallatit “përbindësh” në Golem që quhet kompleksi “Kamelia”, që pas kolaudimit nga Qato, pronari i pallatit solli dhe shumëfishimin e kateve. Sipas prokurorisë ky kolaudim është kryer në muajin Maj 2012, duke shkelur të gjitha rregullat e urbanistikës dhe pa pasur asnjë dokumentacion konkret për objektin ekzistues.

Në këtë çështje penale veç Arben Qatos i pandehur për “Ndërtim pa lejë” është marrë dhe pronari i “përbindëshit” “Kamelia” Enver Shala, e bashkë me të dhe ish-kryekomunari i Rrashbullit, Hysen Gashi, Merita Zeqaj, Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria "Universal Engineering 08"shpk. Por kur në datën 5 shkurt, pritej që gjyqtarja paraprake e çështjes, Eda Kaja, të kalonte për gjykim dosjen penale në ngarkim të pandehurve të mësipërm, ajo ka vendosur pushimin e çështjes penale, duke e cilësuar se nuk ka prova materiale. Gjyqtarja Kaja ka një lidhje shoqërore me Dëshira Qato, bashkëshorten e të pandehurit në këtë çështje Arben Qato, shoqëri kjo që evidentohet edhe në profilin e tyre në rrjetin social “Facebook”. Por pavarësisht këtij pushimi Dëshira Qato dhe Arben Qato, vijojnë të jenë në kërkim pasi në një vendim tjetër gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tyre masën e arrestit në burg në mungesë për akuzën e vrasjes.

Në vendimin e saj të pushimit të dosjes penale gjyqtarja Eda Kaja thotë se:“…në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata bindet plotësisht se, i pandehuri Hysen Gashi për shkak të pozitës së tij si Kryetar i Komunës Rrashbull i zgjedhur, nuk ka marrë në asnjë rast pjesë në përgatitjen, përpunimin dhe vlerësimin paraprak ligjor dhe teknik te çdo lloj dokumentacioni te paraqitur bashkë me kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit, pasi nuk ka pasur një marrëdhënie direkt me Zyrën e Urbanistikës se Komunës Rrashbull ku mblidhej dhe përpunohej ky dokumentacion…”. Më tej në vendim kjo gjyqtare shton se:”…organi i akuzës nuk ka arritur në një konkluzion të qartë dhe logjik për sa i përket përcaktimit e plotësimit të elementeve të përgjegjësisë penale në lidhje me akuzat e atribuara ndaj të gjykuarve. Vërtetimi i akuzave në fjalë, për sa i përket veprimeve të të gjykuarve, nuk ka respektuar standardin ligjor të provimit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm…”. Në fund të vendimit gjyqtarja Eda Kaja, ka çmuar se:”…ndaj Enver Shaba dhe shoqëria "Shala-E-CO", Hysen Gashi, Arben Qato, Merita Zeqaj, Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria "Universal Engineering 08"shpk, nuk duhet të vazhdojë ndjekja penale për "Ndërtim të paligjshëm" dhe "Shpërdorimi i detyrës" e kryer në bashkëpunim…”. Pavarësisht këtij vendimi të marrë në datën 5 shkurt 2020, prokuroria e Durrësit tashmë e ka apeluar atë në gjykatën e Apelit, duke kërkuar prej kësaj gjykate që të rrëzojë këtë vendim të padrejtë dhe të futë çështjen penale për gjykim ndaj të pandehurve të mësipërm.

Vendimi i gjykatës

1. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurit Enver Shaba

2. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurit shoqeria "Shala-E-CO"

3. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurit Hysen Gashi

4. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurit Arben Qato

5. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurës Merita Zeqaj

6. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurit Valentin Stanaj

7. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurës Alketa Blakaj

8. Pushimin e procedimit penal në ngarkim të pandehurit shoqëria "Universal Engineering 08"

Vila Palma para shembjes nga tërmeti dhe kompleksi Kamelia
Akt koalidimi i kompleksit Kamelia

Hotel Kamelia në 2007-ën

Hotel Kamelia 2018

Të dhënat e dosjes

( Kliko këtu ) Vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit

Arben dhe Dëshira Qato