Avioni italian që ngeci në luginën e Ishmit, do i nënshtrohet një ekspertize teknike, për të mësuar nëse ai ka pasur difekt teknik ose jo. Kjo ekspertizë do kryhet në ditët në vijim, pasi fillimisht piloti italian Guido Guidi ka deklaruar se ulja e tij, është bërë në kushtet e emergjencës, pasi avioni i tij kishte pësuar një avari teknike në motor. Për të kryer këtë ekspertizë, grupi hetimor ka kërkuar nga Ministria e Transporteve që të verë në dispozicion tre ekspertë teknikë dhe të kualifikuar për motorët e avionëve, me qëllim përcaktimin nëse motori ka pasur difekt gjatë uljes ose jo.

Sipas hetuesve, në rastin e pilotit italian Guido Andra Guidi kemi të bëjmë me incident edhe aksident. Pasi shkelja e hapësirës ajore dhe cënimi i saj nga piloti italian cilësohet si një incident ndërsa rrëzimi i tij në pistën e sajuar në Gotull është aksident. Për këtë fakt, zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve është e detyruar të kryej hetimet konkrete për llogari të saj, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për kryerjen e ekspertizës së shkakut të rrëzimit.

Ndihmë nga flota ushtarake
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për avionin italian, ka bërë që të kërkohet informacion dhe nga Flota Ushtarake Detare në Durrës. Kjo për shkak se hetues të çështjes kanë hedhur dyshime të forta se lënda narkotike mund të jetë afruar me skaf nga deti, e më pas nëpërmjet grykëderdhjes së lumit Ishëm, duke e afruar sasinë e drogës afër pistës së inprovizuar ku do të ulej avioni. Sipas hetuesve, është kërkuar që brenda orës 03:00 të mëngjesit deri në ora 10:00 të paradites së enjte të identifikohen të gjitha mjetet lundruese, që kanë kaluar pranë zonës ku u rrëzua avioni. Nuk dihet nëse kapiteneria e Durrësit dhe radarët e saj kanë pikasur ndonjë mjet lundrues gjatë këtyre orëve pranë bregut. Nga ana tjetër, prokurorët i kanë sekuestruar pasaportën pilotit italian Guido Andrea Guidi dhe e kanë marrë në mbrojtje, pasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë duke dhënë detaje për trafikun e drogës. 69-vjeçari ka pretenduar se do të merrte nga 20 mijë euro për çdo 200 kg transport droge drejt Italisë.

Takimi në Milano me trafikantët
Piloti italian u ka thënë hetuesve se pak muaj më parë, nëpërmjet një miku të tij italian, të cilin e ka identifikuar me emër konkret, dhe që rezulton ish-i dënuar për trafik droge, kishte takuar një shtetas shqiptar, të sapo dalë nga burgu Italian, pjesë e rrjetit kriminal të Milanos. Takimi, sipas pilotit italian ishte bërë në Milano në një kafene, ku është treguar prej tij dhe rruga e vendodhjes së saj. Në këtë takim Guidi ka marë ofertën për të bashkëpunuar me grupin kriminal, ku ai do kryente vetëm transportin e lëndës narkotike, duke vënë në dispozicion avionin e tij. Si fillim sasia e drogës do ishte 200 kg, në mënyrë që të mos rrezikohej shumë. Në dëshminë e tij, piloti ka treguar para prokurorëve se këtë ofertë e ka pranuar sapo i kanë dhënë garancinë se për një rrugë do paguhej 20 deri në 25 mijë euro. Më tej piloti ka shtuar se ka pranuar për shkak të gjëndjes së vështirë ekonomike dhe problemet me drejtësinë Shqiptare.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com