Tiranë, 2 Dhjetor / ATSH - / "100 Vjet Vizatimi Shqiptar" është quajtur ekspozita e cila do të çelet nesër ora 18:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme të Galerisë Kombëtare të Arteve, ekspozitë kjo e cila e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka dhe Artan Shabani, prezanton për herë të parë 152 vepra të zgjedhura në koleksionin e madh të vizatimit të fondit të GKA, të cilat vijnë si krijimtari e 46 artistëve.
GKA bën me dije se ekspozita "100 vjet Vizatimi Shqiptar" sjell pamjen e selektuar mbi nxjerrjen në pah të temave dhe emrave të artistëve. Ajo kryeson me polifigurën intelektuale tradicionale të Kolë Idromenos, si artisti i parë në krijimtarinë e gjinisë së vizatimit shqiptar. Harku kohor në të cilën përhapet atmosfera e ekspozitës nis me skicë ide të  Idromenos të viteve 90-të shek. XIX dhe mbyllet me vizatimin modern, ekspresivo-abstrakt të artistes Merita Selimi të viteve 90-të shek. XX.
Sipas organizatorëve, atmosfera e kësaj ekspozite, përpos shkaktimit të nostaligjisë për kohët dhe imazhet historike, i propozon publikut shqiptar dhe të huaj të prekë fillesat dhe përpjekjet kreative të artistëve, të njohë nivelin në rritje të vizatimit shqiptar dhe të dokumentojë gjurmët stilistikore ku dominojnë ato realiste.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 05 Janar 2015.
/k.m//a.ke/