Piktorja Xhelsina Petritaj ka çelur mbrëmjen e djeshme në Berat ekspozitën e saj të tretë personale, të titulluar “Përpara se të vërshonin ujërat” (Before the Waters Burst). E vendosur në Galerinë e Arteve “Eduart Lear”, ekspozita sjell për publikun 30 vepra të realizuara në akrilik, telajo, letër dhe karbon.
Rrugëtimi artistik i Petritajt nisi me ekspozitën e parë personale “Vetmi e Fantazi” (Solitude & Fantasy), të hapur në gusht të vitit 2025 në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Në nëntor të po atij viti ajo prezantoi ekspozitën “Pa kufi” (Limitless) në Galerinë e Artit “Guri Madhi” në Korçë.
“Kjo është ekspozita ime e tretë personale. Pas ekspozitës së parë në Tiranë dhe të dytës në Korçë, ekspozita aktuale përbëhet nga 30 punë. Jam e lumtur dhe krenare që pata mundësinë të ekspozoj punët e mia në një qytet që është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.”, tha piktorja Xhelsina Petritaj.
Xhelsina Petritaj njihet si artiste bashkëkohore, veprat e së cilës karakterizohen nga një shprehje e fortë emocionale dhe ndërthurja e elementeve abstrakte me ato figurative. Krijimtaria e saj trajton tema që lidhen me psikologjinë njerëzore, realitetin shoqëror dhe transformimin personal. Ekspozita “Before the Waters Burst” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 13 qershor, ndërkohë që artistja po përgatitet të hapë një ekspozitë në Itali.
Komente









