ATHINE-Parlamenti grek zhvilloi një debat mbi integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa nuk mungoi racizmi nga deputetët e partisë 'Agimi i Artë'. Deputeti Ilias Kasidiaris u shpreh se partia e tij, 'Agimi i Artë' kërkon që Greqia të vendosë veton për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE.

Asnjë bisedë për shqiptarët, asnjë negociatë, derisa të ndalojë politika anti-greke e qeverisë shqiptare. Ky është pozicioni i 'Agimit të Artë'. Menjëherë, ne kërkojmë të drejtën e vetos, një veto greke, në mënyrë që të mos flitet për sistemin Rama dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Deputeti Ilias Kasidiaris

Më pas ai u ndal edhe te rasti i këngëtares Eleni Foureira në Eurovizion dhe shqiptarëve.

E shikoni kush janë shqiptarët? Merrni rastin e Eurovisionit, reklamojmë një këngëtare që nuk thoshte se ishte shqiptare, e të gjithë këta futbollistë dhe këngëtarë sapo bëjnë para fillojnë të veshin bluzat e UCK, e të bëjnë tatuazhe apo simbolet e Shqipërisë së Madhe. Ata nuk kishin këpucë në këmbë të vishnin më parë

Deputeti Ilias Kasidiaris

Këngëtarja Eleni Foureira pranoi se ishte me origjinë nga Shqipëria, ndërsa përfaqëson Qipron në  Eurovizion. Në festivalin që po zhvillohet në Lisbonë ajo bëri simbolin e shqiponjës me këngëtarin shqiptar Bushpepa duke shkaktuar mjaft polemika në Greqi.