ELBASAN, 14 Korrik /ATSH-Miranda Sadiku/ - Është arrestuar në flagrancë mjeku i Kemp-it në qytetin e Librazhdit, 55 vjeçari me iniciale A.D. Burime nga Policia bëjnë të ditur se "pas një operacioni policor nga ana e sektorit të krimit ekonomik, është finalizuar operacioni i koduar "Kempi", ku ka rënë në pranga 55-vjeçari mjek me një profesion të gjatë në spitalin e këtij rrethi. Policia bën të ditur se mjeku nepermjet shpërdorimit të detyrës gjatë një afati kohor prej më shumë se gjashtë muajsh ka lëshuar rreth 50 raport analize fiktive me anë të të cilave persona të ndryshëm nga qyteti i Librazhdit, por edhe rrethinat e tij, përfitonin Kemp në këtë rreth. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Elbasan vazhdojnë hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat dhe ngjarjen e shpërdorimit të detyrës nga ana e mjekut 55-vjeçar. /a.ke/
/Shqiptarja.com










