Elbasan: Diskutohet projekti për krijimin e një qendre shumëfunksionale


 
ELBASAN, 18 Nëntor / ATSH-Miranda Sadiku - Ngritja e një qendre shumëfunksionale ishte qëllimi i takimit të përbashkët të zhvilluar me sipërmarrjen e rajonit të Elbasanit, Bashkisë Elbasan dhe me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes.
Në këtë takim u diskutua mbi studimin e fizibilitetit për krijimin në Elbasan të Qendrës Kombëtare të Panaireve, Ekspozitave, Kongreseve dhe Konferencave.
Specialistë të fondacionit HEC paraqitën projekt idenë e tyre mbi studimin e fizibilitetit që Qëndra Kombëtare e Panaireve t'i japë një shtysë zhvillimit të qytetit të Elbasanit, por jo vetëm. E pranishme në këtë takim zv ministrja e Ekonomisë Brunilda Paskali ofroi mbështetjen e institucionit që përfaqëson, ndërsa e konsideroi domosdoshmëri ngritjen e një qendre multifunksionale, e cila sipas saj më së shumti do t'i vijë në ndihmë biznesit, për të rritur aksesin e këtij të fundit.
Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, e konsideroi domosdoshmëri kombëtare dhe lokale ngritjen e qendrës së panaireve në qytetin e Elbasanit.
Sipas Sejdinit një qendër e tillë do ta bëjë edhe më atraktiv qytetin dhe do të shërbejë si urë lidhëse e biznesit me qytetarët.
"Kjo është një kërkesë e ngahershme e biznesit për të patur një qendër të panaireve në qytetin e Elbasanit. Për këtë arsye mban emrin Alb Expo, krijimi i një shoqërie, e cila do të bëjë të mundur ndërtimin e kësaj qendre në zonën e ish Kombinatit Metalurgjik. Ky është një investim me përmasa kombëtare, edhe pse ne e shohim në interesat tona lokale, duke pasur parasysh ndarjen e re territoriale dhe detyrimet që ka pushteti vendor ndaj biznesit, si një nga kushtet kryesore jo vetëm të zhvillimit të biznesit, por edhe të punësimit, duke pasur parasysh edhe kushtet lehtësuese që qeveria po krijon ndaj biznesit.
Hapja e një qendre të tillë e bën më atraktiv qytetin e Elbasanit, e bën qytetin tonë më tërheqës dhe e vë në plan të parë, atje ku i takon këtij qyteti në zhvillimin e sipërmarrjes. Ndaj ne duhet të bëhemi promtor të kësaj lëvizje dhe të krijojmë kushtet e domosdoshme.
"Këshilli Bashkiak i Elbasanit dhe administrata e bashkisë është vënë në dispozicion të kësaj veprimtarie, por kërkojmë edhe mendimin, lobimin dhe mbështetjen e biznesit që të arrijmë të përfitojmë nga kjo nismë, e cila si fillim ka të bëjë me studimin e fizibilitetit, si dhe një studim të përafërt arkitekturor", tha Sejdini
Më tej përfaqësuesit e fondacionit HEC prezantuan studimin paraprak të fizibilitetit ku është parashikuar të ngrihet kjo qendër.
Sipas tyre investimi pritet të kryhet në një zonë ku nuk ka shumë ndërtime dhe të ofrohet hapësira e duhur për të qënë më afër biznesit gjatë gjithë vitit.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase