ELBASAN- “A1 Report” zbardh ngjarjen e aksidentit të ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Elbasanit, ku një makinë përplasi këmbësoren duke e hedhur disa metra në ajër. Në pamjet e siguruara nga “A1 Report” në ditën e ndodhjes së aksidentit, dukej një automjet i cili përplasi një grua që po kalonte nga njëri-krah i rrugës në tjetrin. Edhe pse nga pamjet duket që automjeti lëvizte me shpejtësi të madhe dhe nuk mundi të ndalonte për të shmangur goditjen, drejtuesi i mjetit Asllan Terziu, u kthye për ti ardhur në ndihmë të aksidentuarës.
 
Fatmirësisht, e aksidentuara Tatjana Garunja shpëtoi pa pësuar dëmtime të mëdha, dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
 
Sipas policisë së Elbasanit, në momentin e aksidentit, Garunja ishte duke kaluar në krahun tjetër të rrugës në momentin kur semafori ishte në ngjyrë të kuqe, dhe ndalonte lëvizjen e këmbësorëve.
 
Ndërkaq, blutë e Elbasanit kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë drejtuesin e mjetit, Asllan Terziu, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)