ELBASAN, 4 Korrik /ATSH-Miranda Sadiku /.- Matura 2014 e qytetit të Elbasanit ka zbritur mbrëmjen e së enjtes në sheshin "Gensher" për të festuar për rezultatet e arritura. Rreth 50 nxënës kanë arritur rezultate të shkëlqyera në këtë proces, ndërkohë qe 13 prej tyre janë cilesuar si ekselentë dhe janë nderuar edhe me titullin "Mirenjohja e qytetit" nga kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini.
E pranishme në Festën e Maturës ishte edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila përgëzoi të rinjtë duke e cilësuar dijen e tyre, një sukses të përbashkët. Ne fjalen e saj, Nikolla tha se "Matura 2014 la pas periudhën e blerjes së notave në mënyrë të padrejtë. Matura Shtetërore 2014 ishte modeli se si do të mundësohet reformimi dhe ndryshimi i thellë i shoqërisë shqiptare, si një nevojë e domosdoshmëri në rrugëtimin tonë drejt familjes evropiane".Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, nga ana e tij shprehu kënaqësinë dhe emocionin që e ardhmja e qytetit do të ketë emrin e këtyre maturantëve sot. "Ju jeni e ardhmja e qytetit, jeni ju që pas përgatitjes edhe në universitete do ta bëni Elbasanin një qytet model", theksoi ai, duke përgëzuar mësuesit dhe prindërit për këtë brez me të cilët krenohet i gjithë qyteti. Ai gjithashtu falenderoi të rinjtë për punën e palodhur dhe të përkushtuar në rrugën e dijes duke çertifikuar 13 ekselente me titullin "Mirënjohja e qytetit". /a.ke/