ELBASAN, 11 Korrik /ATSH-Miranda Sadiku/ - Shoqata " Tjetër Vizion" në mbyllje të projektit " Shërbimi Policor profesional, komunitet i përgjegjshëm, një partneritet i besueshëm dhe i hapur", ka zhvilluar një takim në formën e një tryeze të rrumbullakët duke parashtruar edhe pikat kryesore të këtij projekti. I mbështetur nga program suedez" Policimi dhe Komuniteti", projekti kishte si qëllim ndërgjegjësimin  dhe bashkëpunimin e policisë me grupet e interest, grupe në nevojë dhe mbi të gjitha më të rinjtë. Në këtë tryezë merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit local, drejtori i Policisë Neritan Nallbati si edhe shoqata të ndryshme që operojnë në qytet. Në fjalën e tij prefekti Arben Kamami pasi vlerësoi prjektin e organizatës " Tjetër Vizion tha se "mbyllja e këtij projekti ka krijuar mjaft impakte pozitive në komunitet për njohuritë e punës së policimit në komunitet".
Ndërsa kreu i bashkisë, Qazim Sejdini vlerësoi këtë projekt i cili, sipas tij, " që në nisje është fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për një jetë më të qetë dhe më të sigurt, në një shërbim policor shembullor dhe mbi të gjitha në një bashkëpunim të fortë mes policisë dhe komunitetit". Sejdini tha se " trafikimi i qenieve njerëzore, dhuna në familje dhe përdorimi i drogave janë tre problemet më madhore që shqetësojnë sot komunitetin".  Sipas kryetarit Sejdini, merita e veçantë e këtij projekti qëndron në faktin se është punuar për parandalimin e këtyre fenomeneve dhe janë vërejtur rezultate.
Ndërsa drejtori i Policisë Neritan Nallbati e vuri theksin tek shërbimi policor dhe tek bashkëpunimi që ky shërbim ka në përgjithësi me komunitetin. " Kohët e fundit policimi është kthyer në një shërbim shumë të afërt me komunitetit, kjo vihet re edhe tek rritja e numurit të telefonatave që vijnë në sallën operative, ku qytetarët nuk telefonojnëvetëm për problemet e tyre, por edhe për sheqtësime të ndryshme që ka komuniteti".
Në këtë projekt u arritën disa rezultate siç ishin rritja e trabsparencës së punës së bërë nga policia dhe kuptueshmëria e komunitetit ndaj veprimeve të ndërrmara prej tyre, etj./a.g/