Park shlodhes, Elbasan Foto Miranda Sadiku
ELBASAN, 13 Korrik /ATSH-Miranda Sadiku/ - Falë bashkëpunimit të bashkisë së Elbasanit me Forumin e Gruas, hapësira mes pallateve 63/1 dhe 63/2 në lagjen "Emin Matraxhiu" në qytetin e Elbasanit ka marrë nja pamje të këndshme dhe shlodhëse për banorët e kësaj zone.
Nisur nga problematikat e evidentuara dhe kërkesat e bëra gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, u realizua projekti "Adresimi i nevojave të grave dhe komunitetit për problemet mjedisore nëpërmjet bashkëpunimit funksional me aktorët shtetërorë vendorë".
Kjo hapësirë e gjelbër, me ambiente shlodhëse dhe të bukura u bë e mundur falë aksioneve të punës vullnetare me nxënës shkollash, studentë, punonjës të bashkisë dhe qytetarë.
Por, projekti nuk kishte si synim vetëm krijimin e kësaj lulishteje. Gjithashtu u organizuan diskutime dhe debate me qytetarë në lidhje me adresimin e nevojave mjedisore në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe vazhdimësinë e tyre pas përfundimit të projektit.

Organizuesit përgatitën edhe fletëpalosje me mesazhe sensibilizuese për kujdesin ndaj mjedisit dhe rëndësinë e tij. Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë së Elbasanit mori në dorëzim këtë lulishte për vazhdimësinë e shërbimeve dhe ruajtjen e saj në mënyrë që qytetarët të kenë gjithmonë hapësira të këndshme shlodhëse.
Ky projekt u bë i mundur nga një grant i REC në kuadër të programit SENIOR-A "Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri", i financuar nga qeveria Suedeze. /k.s/