Elbasan, Rama dhe Manastirliu
vizitë në spitalin e hemodializës

Elbasan, Rama dhe Manastirliu<br />vizitë në spitalin e hemodializës
Nga muaji prill, Hemodializa ofrohet në kushte bashkëkohore edhe në Spitalin Rajonal të Elbasanit, duke i dhënë fund kalvarit të pacientëve me insuficiencë renale kronike.

Kjo qendër u vizitua sot nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndonëse reparti i Hemodializës në këtë spital ishte hapur prej vitit 2005, në dispozicion të tij ishte vendosur një dhomë e vogël, ku për shkak të mungesës së aparaturave shërbimi ofrohej në 4 turne deri pas mesnate.

Asnjë investim në infrastrukturë, asnjë investim në aparatura e kishin degraduar këtë shërbim.

Një situatë e ngjashme si edhe në qendra e tjera, ku pas investimeve të kryera, sot hemodializa ofrohet në Vlorë, Shkodër, Lezhë e brenda këtij muaji edhe në Korçë, sa më pranë qendrave të banimit e në kushte bashkëkohore.     

“Kemi arritur të ofrojmë shërbimin e hemodializës për 290 pacientë për 5 spitalet rajonale, në Shkodër, në Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe se afërmi hapim qendrën e Korçës. Tashmë ky shërbim ofrohet falas për 1050 pacientë për gjithë spitalet e vendit, publik dhe jo publik. Me Korçën përmbyllim të gjithë investimin e bërë nga partneriteti publik-privat. Investim rreth 4 milionë dollarë në infrastrukturën spitalore dhe në pajisje mjekësore. Ky është një model perfekt, sepse zhvillon spitalet publike. Këto janë investime që kryhen brenda spitaleve publike, sepse pacientët mund ta marrin shërbimin këtu, ndërkohë që ka dhe  spitale të tjera alternative që jepen brenda strukturave publike. Është investimi më i mirë që mund të kishim për shërbimin e hemodializës brenda sistemit të publik,” – shpjegoi ministrja Manastirliu, impaktin e këtij investimi tek pacientët.
 
Problemi kryesor që u zgjidh ishte problemi i turneve, sepse deri në orën 12 të natës të sëmurët bënin hemodializë, plus shtimi i numrit, kushtet e aspirimit që janë kushte goxha moderne, bashkëkohore. Përfituesi kryesor është pacienti,” – u shpreh mjeku nefrolog, i cili asiston pacientët në kryerjen e hemodializës.  

Investimi ka ndryshuar komplet jo vetëm kushtet e shërbimit, por edhe konceptin, duke u kthyer në një qendër multifunksionale që ofron për këta pacientë edhe shërbime të tjera mjekësore dhe laboratorike.

Qendra është pajisur me 27 makina, prodhim i një ndër markave lider në botë në fushën e hemodializës. Risi është përdorimi i filtrave të dedikuar sipas nevojave specifike të secilit pacient. 

“Faleminderit, na keni bërë mrekulli, se kemi qenë për faqe të zezë. Unë kam 9 vjet që bëj hemodializë. Një transformim i jashtëzakonshëm,” – u shpreh një nga pacientët.
 
Një tjetër pacient tha se e kryente hemodializën në turnin e natës dhe ka qenë stërmundim për të. “Unë kam 10 vjet që bëj hemodializë, që në moshën 30 vjeç. Këtu është bërë që si jashtë shtetit. Vija në orën 9 të darkës dhe ikja  në orën 12 të natës. Ikja në këmbë, se nuk kisha mjet. Shkoja avash-avash në shtëpi dhe mbërrija në orën 2. Imagjinoni si! Sot është në kushtet më të mira”.
 
Prej tetë vitesh nisej tre herë në javë nga Përrenjasi drejt Tiranës, për ta kryer hemodializën në turnin e 3-të apo të 4-rt, është ajo çka rrëfeu një tjetër pacient, ndërsa nënvizoi “kemi shpëtuar nga gjithë ato tortura, lodhje e të gjitha që kemi hequr.”
 
“Unë kam 3 vjet, nga Librazhdi në Tiranë, rrugëve. Tani për gjysmë ore vij këtu. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Shërbimin këtu e kemi shumë të mirë.  Të gjitha kushtet,” – ishte historia e një tjetër pacienti, që tanimë i shërbehet në këtë qendër.
 
Në dalje të spitalit, Kryeministrit pa me shqetësim mungesën e rrethimit të spitalit, çka ka mundësuar ngritjen e lokaleve pa leje në territorin e spitalit. “Muri, - i shpjeguan Kryeministrit, - ishte i vendosur në territorin e spitalit. Qëkur është ndërtuar spitali, ka qenë gjurma e murit aty. Është dhënë edhe leja nga bashkia. Gjykata Administrative tha se leja është e paligjshme, se u prishej hyrja e dalja dhe se muri nuk duhej të ndërtohej.”
 
Kryeministri dhe ministrja Manastirliu e konsideruan absurd këtë fakt dhe nënvizuan se spitali duhet trajtuar si zonë e rëndësisë së veçantë dhe se lokalet në territorin e spitalit duhen shembur. ​

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike