ELBASAN, 29 Korrik /ATSH-Miranda Sadiku/.- Kreu i Bashkisë se Elbasanit, Qazim Sejdini, u ka premtuar 13 familjeve që preken nga plani i ri urbanistik se do t'i mbështesë at me fondet e bashkisë. Këtë premtim ai e ka bërë gjatë mbledhjes së rradhës së Këshillit Bashkiak, pas ankesës që Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut pranë OKB ka berë për pezullimin e prishjes së 13 banesave që preken nga plani i ri urbanistik  te qytetit të Elbasanit, pjesa më e madhe e te cilave jane familje rome.Pas një ankese që ka marrë nga këta banorë, OKB i është drejtuar Ministrisë së Jashtme Shqiptare me një kërkesë për pezullimin e këtij vendimi deri në gjejtjen e një strehimi të përhershëm për këta banorë. Në këtë kuadër, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka ofruar për këta banorë një bonus të përhershëm, deri në sigurimin e një baze ligjore për strehimin përfundimtar të tyre. Sejdini u shpreh i keqardhur që Bashkia Elbasan, megjithë përpjekjet, nuk mundi të gjejë një zgjidhje në bashkëpunim me ALUIZN-in. Ai tha se "në këtë zone prapa stadiumit legalizimet e objekteve janë bërë në mënyrë selektive dhe kjo gjë ka sjellë pasoja". Kryetari i Bashkisë tha se nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim që këto familje të përfundojnë në rrugë, pa përfituar asgjë.
Nisur nga kjo, Bashkia e Elbasanit ofroi bonus të përhershëm për 13 familjet e prekura deri në strehimin përfundimtar të tyre. Sejdini tha se, "Bashkia ka fondet e duhura për strehimin e 13 familjeve, por është duke pritur bazën ligjore për këtë çështje". Kryetari i Bashkisë u shpreh se ka detyrim ndaj këtyre familjeve dhe do t'i strehojë ato nëpër shtëpitë e tyre dhe jo nëpër konvikte.Përfaqësuesit e familjeve të prekura nga plani i ri urbanistik, te cilet kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kanë kërkuar një garanci ligjore për premtimin që u është dhënë nga kryetari Bashkisë. Nga plani i ri urbanistik i qytetit janë prekur 90 objekte. Të gjithë personat e prekur janë shpronësuar me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave. 13 familjet e sipërpermendura, 6 prej të cilave rome, kane qene në proçes legalizimi, i cili është pezulluar për shkak të planit të ri urbanistik. /a.ke/