Elbasani, qarku ku të majtët
“luftojnë” kundër tunelit

Elbasani, qarku ku të majtët<br />“luftojnë” kundër tunelit
TIRANE - Analiza e politologut Afrim Krasniqi për qarkun që nxjerr 14 deputetë. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha preu shiritin e tunelit që lidh Tiranën me Elbasanin, një vepër nga e cila ai shpreson të marrë një dorë të mirë votash. Kjo është e vetmja pikë e fortë e qeverisë në këtë qark, ku në fakt dominon e majta dhe ku në sondazhet e fundit, Fryma e Re Demokratike është kuotuar mjaft lartë.

Qarku i Elbasanit përbëhet nga rrethi i Elbasanit, Librazhdit, Peqinit dhe Gramshit. Ai ka 7 bashki, 43 komuna dhe 386 fshatra. Sipas INSAT (2013) popullsia e këtij qarku është 292,957 banorë, nga të cilët 111 mijë jetojnë në zonat urbane dhe shumica, 181 mijë jetojnë në zonat rurale.

Njësia më e madhe elektorale është bashkia Elbasan me 94 mijë zgjedhës, ndjekur nga bashkia Cërrik me 11.1 mijë zgjedhës, bashkia Belsh me 10 mijë, bashkia Gramsh 9.9 mijë, bashkia Librazhd me 7.2 mijë, Peqini 6.5 mijë dhe bashkia më e vogël është Përrenjas me 6 mijë zgjedhës. Qarku i Elbasanit ka 14 deputetë në parlamentin me 140 deputetë, pra një të dhjetën e parlamentit.
 
PËRFAQËSIMI POLITIK, DOMINUES MBETEN TË MAJTËT
 
Në zgjedhjet e vitit 1992 demokratët fituan pothuajse në çdo zonë mazhoritare. Njësoj si qytetet kryesore demokratët qenë përfaqësuar aty edhe më 1991, çfarë e bën Elbasanin një nga qytetet e para mbështetëse të ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Epërsia e demokratëve u ruajt edhe më 1996, pavarësisht dy mandateve që erdhën nga zona të njohur mbështetëse për të majtën.

Ish deputeti socialist Rexhepi theu bojkotin parlamentar dhe u përjashtua nga PS, duke i lënë asaj përfaqëson formal në parlament. Më 1997 situata u përmbys, ashtu si në të gjithë pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Në zona si Cërriku, Gramshi, Peqini, etj as që mund të bëhej fjalë për fushatë nomrale elektorale.

Demokratët u ndodhë në trysni të thellë dhe humbën edhe në bastionet e tyre në pjesën e vjetër të qytetit të Elbasanit. Për pasojë, socialistët dhe aleatët e tyre fituan të gjitha vendet në dispozicion, me një listë elektorale ku binin në sy emra të tillë si Rexhep Meidani e Neritan Ceka, të cilët morën disa nga postet kryesore në qeverisje, President e Ministër i Brendshëm.
 
Në zgjedhjet e vitit 2001 demokratët patën rritje të vogël të votave, të pamjaftueshme për të siguruar më shumë se një mandat në votimin në mazhoritar, edhe ky në pjesën e vjetër të qytetit të Elbasanit. Më 2005, në zgjedhjet e rotacionit politik, edhe pse pati një frymë ndryshimi dhe shanset ishin të mëdha, përsëri demokratët dështuan të rrëzojnë bastionin politik të PS-së, duke mos fituar më shumë se dy mandate.

Më 2009 palët balancuan përfaqësimin, duke imituar Korçën, të vetmet qarqe ku palët nuk patën fitues numerik. Në totalin e 22 viteve socialistët kanë marrë rreth 60% të mandateve parlamentare për qarkun e Elbasanit, ndërkohë që ka zona zgjedhore si Belshi, Librazhdi, Peqini apo Gramshi ku ata janë dominues pothuajse në 80% të rasteve të votimit.

Mesatarja e mandateve në Qarkun e Elbasanit nga zgjedhje e vitit 1992 deri në 2009
(Në foto mesatarja e mandateve në Qarkun e Elbasanit nga zgjedhje e vitit 1992 deri në 2009)

QEVERISJA VENDORE – RIKTHIMI I QEVERISË PAS 15 VITESH
 
Votimi në qeverisjen lokale të qarkut Elbasanit ka njohur fillimisht kalime drastike nga e djathta (1996) tek e majta (2000) për të ardhur në një situatë të balancimit politik (2007 dhe 2011). Megjithëse mesatarja e 13 viteve të fundit është 60:40% përsëri mbetet relative, për shkak se pesha e njësive vendore nuk është gjithnjë e njëjtë në numër dhe në rëndësinë e tyre për gjithë qarkun.

Në kulmin e pushtetit të PS-së demokratët kanë arritur të fitojnë bashkinë e Elbasanit dhe në zgjedhjet e vitit 2011 demokratët dhe koalicioni qeveritar fituan pothuajse shumicën e njësive vendore të kësaj zone, duke iu rikthyer raporteve të tyre dominuese të vitit 1992 dhe 1996.
 
Në zgjedhjet e vitit 2000 bashkia Elbasan u mor nga PS (Hysen Domi), por tre vjet më vonë ai nuk arriti dot të fitonte mandat të dytë përballë kandidatit demokrat, Ardian Turku. Rezultati ishte i thellë, rreth 4 mijë vota më shumë për demokratët, ndërkohë që vetëm 34% e zgjedhësve morën pjesë në votime.

Më 2007 socialistët rikthehen në Bashkinë Elbasan me një rezultat kronometrik, vetëm 700 vota më shumë të Qazim Sejdinit përballë Luciano Boçit. Më 2011 bashkia Elbasan konfirmohet si bastion i përkohshëm i të majtës me 8 mijë vota diferencë midis Sejdinit dhe sfidantit të tij, Durim Hushi, ish deputet i PS, tashmë kandidat i koalicionit PD-LSI.

Interesant është fakti se në këto zgjedhje socialistët si parti politike fituan 10 mijë vota më pak sesa kandidati, kurse demokratët fituan 9 mijë vota më pak sesa kandidati nominal.
 
Ashtu si Elbasani, asnjë nga pesë bashkitë e tjera nuk përjetoi 12 vite qeverisjeje nga një parti e vetme, por pati kalime të vazhdueshme nga njëra palë tek tjetra, me doninancë dyfishe të socialistëve. Kështu, p.sh, socialistët më në krye A.Tafanin fituan dy mandate radhazi në Belsh, madje mandatin e dytë me vetëm 44 vota diferencë.

Në zgjedhjet e fundit lokale Tafani rikandidoi dhe humbi me 500 vota diferencë. Në Cerrik socialistët vijuan kontrollin e qeverisjes vendore më 2000, 2003 dhe 2007, por e humbën mandatin qeverisës në zgjedhjet e fundit të vitit 2011. Kandidati demokrat fitoi me 300 vota më shumë sesa ish kreu i bashkisë, Ruci.

Në Librazhd çdo mandat iu kalua palës tjetër: nga socialistët tek demokratet, rikthim tek socialistët dhe më 2011 rikthim tek demokratët me 600 vota diferencë. Në Peqin demokratët morën dy mandatet e fundit 2007 dhe 2011 (I.Rrushi) së fundi me rezultat të thellë prej 1.7 mijë vota.

Në Gramsh demokrati Zëra fitoi më 2007 me vetëm 121 vota, por e humbi garën e rizgjedhjes më 2011 me 1.8 mijë vota diferencë. Në Përrenjas dy mandatet e para i përkasin të majtës, dhe më 2011 rikthen në pushtet demokratët pas 16 vitesh me vetëm 103 vota diferencë, ndërkohë që 132 ishin të pavlefshme.
 
16 VJET MË PAS, ASNJË DEPUTET I DJATHTË/MAJTË NUK I MBIJETOI POLITIKËS
 
Në zgjedhjet e vitit 1997 të gjitha zonat elektorale u fituan nga e majta dhe aleatët e saj. Konkretisht, fituan mandate Sh.Kateshi në Peqin, K.Qosja, N.Ceka, S.Katana, A.Tato, D.Cerma në Elbasan, R.Meidani në Cërrik, N.Hysa në Belsh, E.Sherifi në Gramsh, G.Apostoli e I.Zela në Librazhd.

Asnjë prej tyre si dhe nga kandidatët humbës të PD-së së asaj periudhë nuk është më 2013 në garën elektorale për deputet. Në zgjedhjet e vitit 2001 demokratët fituan vetëm një mandat në Elbasan, ish ambasadori në SHBA, Lublin Dilja.

Të tjerat zona u fituan nga socialistët, konkretisht siguruan mandat Sh.Kateshi, D.Hushi, T.Dedja, A.Tato, E.Tepelena, N.Dokle, N.Hysa, E.Sherifi, M.Balla dhe I.Zela. Prej tyre është ende sot në politikë vetëm Dokle (zona e Krujës). Nga demokratët humbës asnjë prej tyre nuk është më në garën e tanishme elektorale.
 
Në zgjedhjet e vitit 2005, kohë kur ndodhi rotacioni politik, demokratët nuk arritën të sigurojnë më shumë se dy mandate në qarkun e Elbasanit. Të vetmit deputetë të zgjedhur ishin: kreu lokal i PD Elbasan Aurel Bylykbashi si dhe deputeti i Peqinit Dashnor Sula.

Të gjitha zonat e tjera në mazhoritar u fituan nga e majta. Për PS fituan D.Hushi, T.Dedja, B.Stafa, V.Leskaj, N.Dokle, N.Hysa, E.Sherifi, T.Balla dhe Rr.Tola. në listën fituese janë rrethet e Librazhdit, Gramshit, zona e Elbasanit dhe Cërrikut. Pas 8 vitesh rikandidon në Librazhd në emër të PS-së vetëm Tauland Balla, si dhe në dy qarqe të tjera edhe dy deputetë të tjerë, Namik Dokle (Krujë) dhe Valentina Leskaj (Vlorë).

Të tjerët janë jashtë politikës, madje Hushi ishte kandidati i qeverisë kundër të majtëve në zgjedhjet e fundit lokale në Elbasan. Nga viti 2005 vlen të theksohet se në të vetmen zonë ku demokratët fituan në Elbasan kandidat i të majtës ishte Qazim Sejdini, njeriu që drejton me sukses bashkinë Elbasan prej vitit 2007. Nga kandidatët demokratë fitues dhe humbës më 2005 janë ende në qarkullim Sula në Peqin, Bylykbashi (nr në Elbasan)
 
Në zgjedhjet e vitit 2009 në Elbasan dy palët politike bënë ndryshime në listat prioritare elektorale. Demokratët siguruan mandate parlamentare proporcionale për L.Basha, A.Gjonaj, A.Turku, D.Sula, L.Boci, Rr.Cota dhe S.Hida. Në kohën e fushatës elektorale dy prej tyre ishin ministra, Basha e Turku, si dhe Sula është i vetmi që rikandidonte.

Luciano Boçi siguroi mandat pasi humbi më 2007 garën për bashkinë e qytetit, si dhe u bë kreu lokal i demokratëve. Tek kampi i majtë siguroi mandat V.Leskaj, D.Gjiknuri, A.Leka, Sh.Ligori, S.Hasa, T.Balla dhe I.Bejtja. dy prej tyre, Leskaj e Balla rikandidonin,m kurse të tjerët hynin në listën fituese për herë të parë, madje katër prej tyre kandidonin për poste parlamentare për herë të parë.

qarku elbasan
(Në foto harta e Qakut të Elbasanit)

ZGJEDHJET 2009, BARAZIMI SI FITORE E PD-SË
 
Në zgjedhjet e vitit 2009, të parat me sistem proporcional rajonal, edhe pse socialistët patën rreth 10 mijë vota më shumë sesa demokratët, në emër të koalicioneve politike, mandatet parlamentare u ndanë në mënyrë të barabartë.

Në gjuhën politike kjo ishte një humbje për PS, dhe një fitore e rëndësishme për demokratët, fushata e të cilëve u drejtua në atë kohë nga kryetari aktual i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha. Diferenca e 10 mijë votave u ngushtua në numërimin e votave në emër të koalicioneve pasi PD fitoi më shumë se 12 vota nga partitë aleate ndaj vetëm 6 mijë votave të aleatëve të majtë për PS.

Nga tabela bashkëngjitur e zgjedhjeve 2009 shihet se PR ishte parti e katërt, ndjekur nga PAA, PSD dhe PDK. Kryesuesi i listës të kësaj të fundit më 2013 është në listën e kandidatëve të PS, kurse tri palët e tjera politike kanë ndryshuar shumë në listat e tyre të kandidatëve.
 
Ndryshimet e koalicioneve, lëvizjet e kandidatëve me vota nga koalicioni i djathtë tek e majta, forcimi i partneriteti midis PS e LSI, krijimi i FRD, etj, kanë ndikimet e tyre direkte në leximin e votës dhe mandateve në zgjedhjet e 23 qershorit. E majta pretendon më shumë mandate dhe ky pretendim duket se është realist dhe i arritshëm.

Me konfigurimin e ri politik (kalimin e LSI tek PS) koalicioni i qeverisë ka diferencë të dukshme në favor të tij. Diferenca për një mandat është vetëm disa qindra vota, e arritshme nëse merret parasysh fakti se në Elbasan ka një prezencë dhe aktivitetet me pretendime të dukshme edhe Fryma e Re Demokratike, shumica e votuesve të së cilës kanë qenë votues për demokratët në zgjedhjet e kaluara politike.
 
PËR CILËT DEPUTETË VOTOHET ME 23 QERSHOR NË ELBASAN?
 
Për shkak të sistemit zgjedhor janë përcaktuar tashmë 10 nga 14 deputetët e qarkut Elbasan. Nga socialistët janë konfirmuar tashmë deputetë Blushi, Gjiknuri, Kushi, Peza, Balla, nga PD janë zgjedhur tashmë Imami, Selami, Turku, Boçi e Sula. Rivaliteti për katër mandatet e mbetura është në dy nivele: PS synon tetë mandate, PD synon të ruajë numrin shtatë, si më 2009.

Përballë tyre FRD synon për një mandat. E shprehur në emra deputetësh PS synon të fitojë mandat për kandidatët Ulqini, Kamani e Bejtja, PD për kandidatët Halimi e Bylykbashi, FRD për kandidatin Kovaci. Shanset më të mëdha janë për kandidatët e PS-së, të cilët kanë rritje të ndjeshme në çdo sondazh të zhvilluar në këtë qark.
 
Gara tjetër edhe më e ashpër sesa kjo në nivel koalicioni/subjekti është gara e bredshme midis vetë koalicioneve. Tek e majta në luftë për dy mandate është edhe LSI me kandidatin e saj kryesor ish zv/kryeministrin Haxhinasto. Megjithë deklarimet e LSI për më shumë sesa një mandat (më 2009 mori 7016 vota), praktikisht ajo llogarit një mandat, gjë që është e kuptueshme.

Drejtuesit e saj lokalë kanë pasur disa herë problem me drejtësinë me akuzën për korrupsion, ekipi prezantues më 2009 është ndryshuar tërësisht dhe se më 2011 kandidimi I saj bashkë me PD në bashki vetëm sa ndikoi në thellimin e rezultatit të kandidatit të PS-së.
 
Tek krahu qeveritar kandidati më potencial për të synuar mandat mbetet Rakipi i PDIU. Me gjithë pretendimet e tij pritjet janë minimale. PDIU më 2009 ka fituar në Elbasan vetëm 931 vota, ndërkohë që në këto zgjedhje votat e komunitetit çam ndahen midis saj dhe Aleanca Popullore (E.Softa). pretendime ka edhe PR me kandidatin e saj Duzha, gjithsesi vetëm teorike. Jashtë tyre pretendim për mandat ka edhe FRD, e cila në Elbasan organizoi takim masiv në pallatin e sporteve gjatë fushatës elektorale.
 
CILËSIA E LISTAVE ELEKTORALE TË DY PALËVE NË ELBASAN
 
Rivaliteti midis të majtëve dhe të djathtëve mund të ketë efekt pozitiv në mobilizimin elektoral dhe në shndërrimin e këtij qarku në një pikë reference për balancat politike në vend. Të majtët kanë deleguar aty figura të njohura politike të saj, politikanë me përvojë elektorale si Ben Blushi e Musa Ulqini, një ekspert të zgjedhjeve dhe me përvojë parlamentare si Gjiknuri, një prurje akademike si Kushi, një emër të njohur në gazetari si Peza, deputetin me përvojë Balla si dhe drejtuesit lokalë partiakë.

Prirja e listës për të reflektuar nevojën për maksimalizim të votave jashtë hierarkisë së degëve lokale partiake mund të japë efekt përderisa të gjithë të mënjanuarit nga lista kanë rënë dakord dhe kanë pranuar të jenë pjesë e shtabeve elektorale. Interesant është fakti se në listën e PS bën pjesë edhe një emër i përfshirë direkt në skandalin e 7% në video-akuzën e korrupsionit ndaj kryetarit të LSI Meta.
 
Qeveria ka deleguar në Elbasan Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, i cili, siç është bërë tashmë e njohur, ka vendosur në dispozicion të fushatës lokale të gjithë infrastrukturën materiale, financiare dhe njerëzore të kësaj ministrie. Pjesë e ekipit të qeverisë është edhe Eduart Selami, ish kryetar i PD, i rikthyer pas 18 vitesh, i konsideruar vetëm një vit më parë si një nga shpresat reformatore të kësaj partie, por i shndërruar tashmë si një zëdhënës me gjuhë të moderuar i qeverisë aktuale.

Ai është caktuar në Librazhd, një zonë që demokratët e kanë fituar në zgjedhjet e fundit lokale për shkak të aleancës me LSI dhe investimeve rurale. Një vend të sigurt iu rezervua tri modeleve të ndryshme parlamentare: rolit modest e moderator të Turkut, rolit militant të Boçit dhe rolit shpesh protagonist në skandale politike të Sulës. Pas tyre ka një vend për botën akademike dhe më pas vijnë emra që lidhen me strukturat lokale partiake apo fiset me ndikim në zonat malore të qarkut.
 
Interesant mbetet fakti se megjithëse bëhet fjalë për vendin e normales së parë, si dhe një nga rrethet më me kontribut në arsimin shqip gjatë shekullit, në listat e kandidatëve gjenden më shumë militantë partiakë sesa prurje me formim akademik e universitar. Tek PD bie në sy edhe fakti se prej vitesh vijohet të konkurrohet me të njëjtit emra, duke dëshmuar paaftësi për hapje dhe zgjerim të rrethit mbështetës qytetar.
 
PJESËMARRJA NË VOTIME, TIPAR I ZGJEDHJEVE NË ELBASAN
 
Megjithëse ka një numër relativisht të madh të komunave, vetëm disa komuna kanë një popullsi të krahasueshme me mijëra zgjedhës që gjenden në komunat e analizuara në Durrës, Shkodër, Korçë apo Vlorë. Konkretisht, komuna me numrin më të madh të zgjedhësve është Gostima me 9.7 mijë zgjedhës, ndjekur nga Bradasheshi me 8.9 mijë, Qendër Librazhd me 7.8 mijë, Qukës me 7.4 mijë, Shushicë e Rajcë me nga 7.2 mijë.

Ndërkohë ka një numër të madh komunash me numër minimal zgjedhësish, madje edhe komuna me më pak sesa 1 mijë zgjedhës. Rast specifik janë komunat e Gramshit, mesatarja e numrit të zgjedhësve nuk i kalon 1.5 mijë për çdo komunë.
 
Kjo cilësi e veçantë e analizuar me pjesëmarrjen zgjedhore e bën Elbasanin një qark me pritshmëri të lartë. Nëse ne disa qarqe të tjera të mëdha mbetet problem pjesëmarrja e kufizuar në votime, në qarkun e Elbasanit treguesit janë të ndryshëm. Në zgjedhjet e vitit 2009 votuan rreth 158 mijë zgjedhës ose 52% e numrit total të zgjedhësve, shifër më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar.

Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit lokale (2011) vetëm bashkia Elbasan e ajo Cërrik patën pjesëmarrje nën 50%, të gjitha njësitë e tjera kryesore e tejkalonin gjysmën e numrit të zgjedhësve. Konkretisht, në bashkinë Përrenjas pjesëmarrja ishte 65%, në Librazhd 58%, në Peqin 56%, në Gramsh 55%, në Belsh 53%, etj. Nga komunat kryesore, bien në sy pjesëmarrja e lartë në komunën e Bradasheshit me 64% apo komuna të vogla me rezultate maksimale, Gracen dhe Labinot me 73% të listës totale të zgjedhësve.
 
Pjesëmarrja e lartë në votime i dedikohet tri faktorëve: shkallës së lartë të mobilizimit nga ana e partive politike, për shkak se secila palë e konsideron këtë qark si burim mandati shtesë ose përcaktues në balancimin politik; investimet direkte të politikës me ndihma, financime, projekte, etj për të rritur pjesëmarrjen sidomos në komuna, me parimin e kompensimit të çdo humbjeje në bashkinë qendrore të Elbasanit, si dhe fakti se në traditën politike për shkak të nevojës për politikë dhe problematikave të mëdha që ka qarku Elbasani ka dëshmuar interes për politikën.

Kjo situatë pritet të përsëritet edhe më 2013, në rivalitetin e ashpër midis dy partive të mëdha, dhe më pas midis vetë partive brenda koalicioneve politike.
 
FAKTORË PRO QEVERISË
 
Ironike por faktori kryesor pro qeverisë nuk është bilanci i saj qeverisës apo oferta elektorale në Elbasan, por inaugurimi i tunelit të fundit në rrugën që lidh Tiranën me këtë qytet.

Megjithëse i papërfunduar dhe ashtu si më 2009 në Kukës, edhe jashtë standardeve të plota të kalimit, efekti mediatik dhe propagandistik i tij do të ndjehet në zgjedhje, sidomos tek ajo pjesë votuese rurale ku shpesh vlerësimi mbi demokracinë lidhet me vlerësime formale të veprave publike. PD ka shpërndarë tashmë spot televiziv për tunelin dhe do ta thellojë përdorimin e tij edhe në ditët e ardhshme.
 
Faktori i dytë pro qeverisë është investimi politik i qeverisë në zgjedhjet e fundit lokale. Për herë të parë që nga 1996 demokratët dhe aleatet e tyre politikë (përfshirë LSI) fituan shumicën e njësive vendore, duke ndëshkuar me votë problemet e rivalitetit të brendshëm brenda PS dhe paaftësinë e saj për të mbajtur në mobilizim të plotë zonat e konsideruara bastion në më shumë se një dekadë.

Këto njësi, sado me pushtet simbolik dhe asete të kufizuara, kanë efekt elektoral dhe mund të ndikojnë tek një pjesë e administrimit të procesit, sidomos nëse qeveria planifikon metoda ekstra-ligjore për balancimin politik të votave në qark.
 
Faktor i tretë mbetet potenciali financiar, ekonomik dhe njerëzor i qeverisë në fushatë. Ajo po bën ndërhyrje të shumta në infrastrukturën lokale, projekte të vogla por që krijojnë imazh kujdesi, ka vendosur në dispozicion policinë, ushtrinë, arsimin, shëndetësinë dhe çdo sektor tjetër publik me kontakt me qytetarët. Përdorimi i këtyre burimeve, edhe pse i ndaluar nga ligji, bëhet tipik për qarkun e Elbasanit dhe mbetet shpresa e vetme e qeverisë për të mbajtur të pandryshuar raportet e përfaqësimit politik.

Në favor të opozitës janë edhe hyrjet në garë në emër të partive të vogla të ndonjë figura të njohur për “forcën” dhe aftësinë të “marrë vota”. Ata janë kryesisht njerëz pa përvojë politike por të pasur, me biznese dhe lidhje të forta politike, ndaj investimi i tyre në fushatë mund ta deformojë cilësinë e procesit, por mund të sjellë vota shtesë tek pjesa e pushtetit.
 
FAKTORË PRO OPOZITËS
 
Faktori kryesor i opozitës është lista e kandidimit politik, risitë e reja, koherenca midis politikanëve me përvojë politike dhe atyre me popullaritet publik. Elbasani ka një traditë qytetare dhe elitare, ndaj edhe vendosja në listë e individëve që kanë emër publik ose indirekt kanë lidhje me figurat e njohura historike të këtij qyteti, mirëpritet dhe mund të sjellë zgjedhës të rinj në votime.

Për shkak të rregullit se ministrat nuk do jenë deputetë, ekzistojnë shanset që në rast fitorjeve të PS, 2-3 emra të garës lokale janë kandidatë potencialë për poste drejtuese në qeverisjen e nesërme, duke I dhënë fund traditës së papërfaqësimit politik. Bashkimi në listë edhe i disa politikanëve me përvojë në administrimin zfgjedhor dhe kontaktet me pjesën militante, si dhe i personave publikë me fushatë agresive politike, siç është rasti Peza në Peqin, e bën listën e Elbasanit ndër më të konkurrueset në vend.
 
Ndryshe nga demokratët, të cilët edhe pse kanë fituar disa njësi vendore por nuk kanë një model pozitiv inspirues të administrimit vendor në këtë qark, bashkia Elbasan përfaqëson një model për socialistët dhe pjesën e pavendosur.

Kryetari aktual i bashkisë ka arritur të bëjë punë pozitive në qytet, ka krijuar një klimë bashkëpunimi, ka raporte politike korrekte me institucionet politike, përfshirë ato të qeverisjes qendrore, ka qenë pikë referimi për disa delegacione të huaja sidomos amerikane dhe kështu, ka potencialin për ta kthyer këtë investim politik në votë politike pro të majtës edhe me 23 qershor.

Për banorët e Elbasanit mbetet e pakuptimtë fakti se prej vitesh demokratët nuk ia besojnë ndonjë post të rëndësishëm politik politikanëve që vijnë nga kjo zonë. Dy ministrat e fundit elbanas janë E.Dakli më 1996 dhe A.Turku për një periudhë të shkurtër më 2009. Edhe pse në ndryshimet e vitit të kaluar në qeveri pritej plotësimi me një politikan nga Elbasani, kjo nuk ndodhi, duke preferuar një politikan nga periferia e Kukësit.
 
Një faktor tjetër me rëndësi është rivaliteti i ashpër pozitiv midis aleatëve të së majtës, sidomos pretendimeve për mandate nga LSI, gjë që ndikon në rritjen e pjesëmarrjes dhe “thesit” të votave. PS llogaritet se tërheqja e atyre votuesve që janë të ndikuar nga premtimet për punësim abuziv apo që pranojnë të tregtojnë votën (një komunitet i njohur periferik)
 
Natyrisht në kuadër të opozitës llogariten edhe votat e FRD, e cila pretendon një mandate parlamentar dhe ka pasur rezultate surprizë në disa prej sondazheve të organizuara në muajt e fundit si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Duke e konsideruar votën e FRD si votë opozitare (jo e majtë), në çdo rast ajo lexohet si votë e ndryshimit të balancave aktuale të përfaqësimit parlamentar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Organizata civile: Peticion për ndryshimin e emrit të Kosovës në Dardani

Organizata civile: Peticion për ndryshimin e emrit të Kosovës në Dardani