Duke ecur nëpër pyll, mes fshatrave të Serbisë, muajin e fundit kolona kosovarësh kalojnë në mënyrë ilegale kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, në përpjekje për të shkuar drejt vendeve të Evropës Perëndimore. 

Pavarësisht paralajmërimit të kontrolleve më të rrepta nga autoritetet e Serbisë dhe Hungarisë, shqiptarët e Kosovës, me autobusë apo transport privat, përmes Beogradit arrijnë në Suboticë, ku më pas duhet të kalojnë një kanal të mbushur me ujë, për të hyrë në Hungari e për të vazhduar më tej drejt vendeve të tjera të BE-së.
Përfaqësues të organeve shtetërore, qytetarët e Suboticës, si dhe vetë emigrantët nga Kosova, konfirmojnë se kanë ardhur përmes kalimit illegal të kufirit për të shkuar drejt vendeve të BE-së ku do kërkojnë azil. 

Kosovarët përmes vijave të jashtëzakonshme të autobusëve çdo ditë arrijnë në stacionin e Suboticës dhe pastaj, kryesisht me taksi shkojnë deri në Paliq, ndërsa nga ky vend pranë kufirit në grupe ecin drejt kufirit. Taksistët pranojnë se marrin pak më tepër para se zakonisht për t'i transportuar deri pranë kufirit ku më pas ecin në grupe, por tregojnë se edhe solidarizohen me ta. 

Taksisti më i vjetër i Subotës, Zhelko Hajduk, tregon se sapo ka transportuar një grup emigrantësh dhe se këtë e bën çdo ditë. Ai thotë se "diçka nuk është në rregull në Kosovë, sepse pavarësisht se i kapin dhe i dënojnë, ata përsëri kthehen" dhe tentojnë sërisht të kalojnë në vendet e BE-së.
"Nuk mund të shpjegoj se si është të shohësh një djalë 25-30 vjeç duke mbajtur foshnje... Ata emigrojnë kështu dhe qëllimi i tyre është vetëm Evropa. Mos i dhëntë Zoti askujt të përjetojë atë që ata përjetojnë".

Sipas të dhënave zyrtare, kufiri shtetëror me Hungarinë në territorin brenda juridiksionit të Gjykatës Penale në Suboticë, është kaluar nga 820 persona gjatë 2015-tës, dyfishi i numrit gjatë vitit të kaluar. 

Kryetari i Gjykatës Serbe, Simo Lubiç thekson se në 40 ditët e kaluara rreth 600 persona nga Kosova kanë tentuar të hyjnë në Hungari në mënyrë të paligjshme. Pasi janë ndaluar nga policia, kanë marrë gjoba prej rreth 10.000 dinarësh (82 euro).
"Në gjykatë ata thonë qartë se dëshirojnë të shkojnë në Evropë. E vetmja mënyrë për ta, tani për tani, është mënyra ilegale. Nuk kanë asnjë dokument të vlefshmëm dhe udhëtimi përmes kanaleve dhe rrugëve të fshehura është e vetmja mënyrë".

Lubiç sqaron se ata i paguajnë gjobat menjëherë dhe pas kësaj nuk kanë detyrime ndaj gjykatës; ndonëse numri i atyre që janë dënuar është sërisht shumë i vogël krahasuar me numrin real të atyre që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. 
Në Suboticë është e zakonshme të dallohen grupet e kosovarëve që "dallojnë nga mjedisi". Ata pushojnë fillimisht në hotele e motele të ndryshme dhe më pas në mënyrë të organizuar, gjatë ditës, ecin drejt kufirit. Një prej kanaleve për kalim ilegal në Hungari menaxhohet nga një shqiptar me dokumenta Serbe. Dhjetëra njerëz, kryesisht prindërit me fëmijë në krahë, pasi ecin në rrugën kryesore, vazhdojnë drejt fshatrave përreth që ndodhen më pranë kalimeve kufitare. 

Çdo grup udhëhiqet nga një kontrabandist i cili fshihet nga kamera dhe njeh mirë gjuhët. Grupet përbëhen edhe nga pesëdhjetë persona, madje edhe njëqind, por më pas ndahen në grupe më të vogla. Zakonisht prindërit me fëmijë shkojnë në një anë, ndërsa meshkuj pa fëmijë në anën tjetër. Për t'i dërguar deri në të ashtuquajturën "tokën e premtuar" kontrabandistët u kërkojnë 50, 100 e deri në 200 euro për person. 

Në Kosovë nuk ka jetë...
Në grupin e emigrantëve, me bashkëshorten dhe fëmijët ndodhet edhe Ismail Avni nga Prizreni, i cili në gjuhën boshnjake dhe teksa I fshihet kamerave thotë se jeta e ka detyruar të shkojë në Evropë dhe të kërkojnë të ardhmen për fëmijët e tij.
"Vajzën e kam të sëmurë, në Kosovë nuk ka jetë. Varfëria na ka detyruar për këtë". 

Ndërsa me fëmijët dhe familjarët shkel në rrugët me baltë dhe akull të fshatit Hajdukova, Imer Metoli nga Prishtina, i pikëlluar thotë se do kthehej sërisht në kosovë nëse i siguronte vajzës së tij bukë.
"Bukë, bukë, socialja. Shkojmë të gjithë, dëshiroj t'i dërgoj. Unë do të kthehem, vetëm le t'i dërgojnë fëmijët e mi në Evropë. Vetëm le t'i marrin fëmijët e mi, un nuk kam t’u japë bukë "

Pranë hekurudhës, duke pushuar, ndodhen dhe dy djem të tjerë nga Klina dhe Peja, të cilët ndryshe nga të tjerët, ata pranuan të dalin para kamerave. Ata ankohen se u kërkojnë nga njëqind euro për të kaluar kufirin, njëri drejt Gjermanisë e tjetri drejt Belgjikës; e ndërkohë nisen në kolonë drejt "destinacionit". 
Në fshatin e vogël mund të shihet numri i vogël i kalimtarëve, me raste haset në automjete, edhe ndonëse gjithçka ndodh në mes të ditës, në dy-tre kilometra nga kufiri me Hungarinë, nuk ka askund automjete të policisë, të paktën jo me shenja zyrtare.
- Ikin nga policia dhe nuk krijojnë probleme 

Banorët e fshatrave përmes të cilëve prej javësh, kalojnë ditë e natë kosovarët, theksojnë se ata nuk u shkaktojnë probleme dhe se ju vjen keq për ta. 
"Nuk bëjnë asnjë problem, të mjerët. Erdhën këtu, shkojnë, por nuk e dinë ku".
Ndërsa Zdravko Ajdareviç nga Subotica, i cili ndodhet me pushime në Tresetish, pranë kufirit, thotë se grupet e njerëzve kalojnë pa pushim ditë e natë. 

"Ju tregoj ku është Hungaria, përse nuk do të bëja këtë. Është e mjerueshme, kalojnë dhe gra shtatzëna. Nuk përbëjnë asnjë problem. Kur dëgjojnë policinë, shpërndahen, ikin. Policia kalon këtej rregullisht. Nuk mund të kuptoj se si mund të kalojnë kufirin, janë vetëm kanalet. Ne, fqinjët, çuditemi, është shumë e trishtë". 
Nga Prishtina çdo natë dhjeta autobusë nisen drejt Suboticës. Deri më tani nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare mbi largimin e qytetarëve të Kosovës nga vendi i tyre. Por, vlerësohet se nga fillimi i vitit janë mbi pesëdhjetë mijë qytetarë të Kosovës që kanë ikur në vendet e Bashkimit Evropian, në “tokën e premtuar”./Anadolu Agency/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)