Lafe e cilëson akademikun e njohur Kristo Frashëri si “një atdhedashës e liridashës, luftëtar i vërtetë për lirinë kombëtare e shoqërore dhe për të vërtetën; i palodhur e i pamposhtur në vendosmërinë e tij për t’i shërbyer shkencës e kombit shqiptar.”.
Në dedikimin e lamtumirës së akademikut, në ditën e ndarjes nga jeta Emil Lafe shkruan:
Këto 15 vjet të shekullit të ri ishin veçanërisht të frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. Ishte periudha kur ai, si të thuash voli frytet e pemëve që kishte rritur me kujdes. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara prej tij në veprën kolektive "Historia e popullit shqiptar", vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në "Fjalorin enciklopedik shqiptar" në tri vëllime (2008-2009), në këta 15 vjet ai ka botuar edhe 26 libra studimorë të veçantë me rreth 8000 faqe shtypi.
Vetëm gjatë vitit të kaluar dolën nga shtypi tri vepra të reja të tij: Historia e Çamërisë (Vështrim historik). UET Press, 329 faqe; e cila pati jehonë të gjerë edhe në media, sepse vjen në një kohë kur “çështja çame”, siç quhet në diskutimet e përditshme, ka nevojë për një ndriçim të gjithanshëm, të dokumentuar e të argumentuar. Dy librat e tjerë, të botuar nga Akademia e Shkencave trajtojnë në mënyrë të plotë e të dokumentuar dy ngjarje të mëdha historike të viteve ’40 me rrjedhime të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të historisë së vendit tonë: Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944). Vështrim historik dhe burime dokumentare (123 f.) dhe Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris 1946. Vështrim historik. (255 f.).
Profesor Emil Lafe
Gjithë kjo bibliotekë historike është fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe i dokumenteve e materialeve të grumbulluara e të sistemuara me kujdes e me durim vite e vite me radhë. Ai gjithashtu ndiqte me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit. Në vitet kur për arsye shëndetësore qëndroi i mbyllur në shtëpi, priste gjithnjë me gëzim të dëgjonte për ndonjë botim të ri historik. Lajme të tilla ishin gëzimi i tij.
Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet nga ndjenja e dinjitetit të lartë kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar. Si e tillë, ajo dhe kujtimi i tij do të jenë të pavdekshëm. Kristo Frashëri i përket përjetësisht Panteonit të Nderit të Kombit dhe Nderit të Shkencës Shqiptare. “, shkruan Lafe.
Akademiku Kristo Frashëri
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )