Emir Kurtishi: Shkup, qeveria e tretë teknike me kryeministër shqiptar teknik! Qeveri teknike apo politike?

Emir Kurtishi: Shkup, qeveria e tretë teknike me kryeministër shqiptar teknik! Qeveri teknike apo politike?

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Javën që e lamë pas, ishim dëshmitar të një atmosfere impozante të festimit të Kryeministrit të parë teknik shqiptar, z. Talat Xhaferi, por, të tretë për nga radha, në hapësirat e Kuvendit të RMV-së, me puro e uiski dhe këngë me çifteli.

​Edhe pse, kjo Qeveri sipas Ligjit për Qeverinë e RMV-së është për realizimin e zgjedhjeve për deputetë, sërish për partinë BDI, mbetet si përmbushje e një premtimi parazgjedhor!

​Çfarë thotë Ligji për Qeverinë e RMV-së? Ligji në Kapitullin XIII këtë Qeveri e përcakton si: “Zgjedhja e Qeverisë për Realizimin e Zgjedhjeve për Deputetë”. Por, Talat Xhaferi tha, se kjo Qeveri nuk do të jetë vetëm Qeveri që do të merret me organizimin e zgjedhjeve! Së këndejmi, pyetja që lind dhe mund të parashtrohet dejure, Ligji a parasheh edhe kompetenca të tjera që kjo Qeveri nuk është vetëm Qeveri për realizimin e zgjedhjeve?!

Defacto dhe dejure, Ligji përveç emërtimit të Qeverisë, nuk përmban më shumë dispozita mbi kompetencat e Qeverisë së re kalimtare. Me dispozitat e tij juridike, vëmendje më të madhe i kushton operacionalizimit të situatave dhe kompleksitetit të funksionimit të Qeverisë kalimtare, ndarjen e resorëve duke pasur parasysh se në këtë Qeveri merr pjesë edhe partia më e madhe opozitare dhe në situata të tjera, i referohet barazisë që e kanë në ushtrimin e kompetencave ministri, së bashku me zv. ministrin në përputhje me zbatimin e ligjeve pozitive në RMV. Me një fjalë, theks të veçantë kësaj Qeverie i jepet realizimi i zgjedhjeve, në përputhje me dispozitën e nenit 43 të Ligjit që thekson se njëqind ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve për deputetë, pas dorëheqjes së Kryetarit të Qeverisë së RMV-së, Kuvendi i RMV-së, do ta zgjedh Qeverinë e re, Qeverinë kalimtare për realizimin e zgjedhjeve për deputetë, i kryesur nga Kryetari i ri i Qeverisë të cilin e emëron partia me më shumë deputetë në Kuvendin e RMV-së. Kështu që, nuk e privon apo nuk e përjashton edhe nga detyrimet e marra në përputhje me programin qeveritar të vitit 2022-2024, të filluara përpara zgjedhjes së Qeverisë së re kalimtare e deri në momentin e shpalljes së zgjedhjeve nga ana e Kuvendit jo më herët se 90 ditë e as më vonë se 70 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve. Që të jetë edhe më e qartë, gjatë kësaj periudhe, nuk mund të merr iniciativa dhe vendime të reja politike e as të inicojë ligje të reja në Kuvend. Më vonë, në periudhën zgjedhore, të ndaluara janë të gjitha veprimet që mund të ndikojnë në realizimin e zgjedhjeve, përkatësisht në ndikimin e rezultatit zgjedhor,prandaj, jo rastësisht ministrat me zëvendësit e tyre që vijnë nga provenienca të ndryshme të partive politike, i kanë nënshkrimet e lidhura dhe nga këtu mund të përfundojmë se Talat Xhaferi ditët i ka të numëruara për të ndërmarrë ndonjë veprim, deri në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, ku do t’i lidhen duart dhe do të duhet të përqëndrohet në realizimin zgjedhjeve...

A DUHET TË KETË RMV-JA QEVERI TEKNIKE DHE E NJËJTA A ËSHTË KUNDËRKUSHTETUESE?

Qeveria teknike është derivat i Marrëveshjes së Përzhinës, andaj edhe cilësohet si Qeveria e Përzhinës, e cila në vitin 2015, kishte për detyrë, zgjidhjen e krizës që ndodhi në RMV, me publikimin e të ashtuquajturve “bomba” nga ish-kryeministri, Zaev. Kjo marrëveshje, u nënshkrua mes katër forcave politike: VMRO-DPMNE, me kryetarin Nikolla Gruevski, LSDM, me Zoran Zaev, BDI, me Ali Ahmetin dhe PDSH, me Menduh Thaçin, me ndërmjetësimin dhe mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar, që më vonë nga viti 2016, u bë burim për formimin e një qeverie të tillë.

​Për hir të së vërtetës, Kushtetuta e RMV-së, nuk përmban norma juridike që i referohen Qeverisë Teknike, por, organizimi dhe mënyra e punës së Qeverisë, rregullohet me ligj, andaj koncepti “teknik” edhe pse nuk është përmendur specifikisht në Ligj, i njëjti i referohet realizimit të zgjedhjeve. Në literaturën politike, mandati teknik i Qeverisë është që të mbulojë ligjërisht aktivitetet e qeverisë ekzistuese, pra, përdoret si emër për kryerjen e detyrave të caktuara nga kompetenca e saj deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Pra, që ta pastrojmë dilemën e parashtruar më lartë, një marrëveshje apo një format i një qeverie të tillë, nuk mund të jetë kundërkushtetuese, kur aq më tepër në literaturën politike dhe kushtetuese të krahasur, përvoja me organizimin e qeverive teknike apo të ekspertëve, nuk është e panjohur, në situata të caktuara, rëndom, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo ndonjë krize tjetër politike që mund të paraqitet.

Përvoja me qeveritë e kaluara, ka treguar se kjo Qeveri meafrimin e zgjedhjeve më shumë merr epitet të një qeverie jofunksionale, duke i bërë partitë politike kalkulante për përfitimin e simpatisë së zgjedhësve, për poena politike ditore. Kjo Qeveri edhe më shumë, i përforcon inatet politike, si në rastin konkret të Qeverisë aktuale, ku VMRO-DPMNE-ja, dëshironte pjesëmarrje në Qeveri, por jo edhe votimin e saj. Këto situata paradoksale, zgjidhje mund të gjejnë, në shfuqizimin e dispozitave të tilla që parashohin Qeverinë Teknike. Një situatë të tillë, do të prodhonte pasoja që kjo Qeveri në njëqind ditët e fundit, të ketë mandat të plotë politik e jo teknik që të mos bëhet pengesë teknike për mbarëvajtjen dhezhvillimin e procesve të ndërmarra si pasojë e integrimit të RMV-së në BE dhe përderisa RMV-ja pretendon të jetë anëtare e BE-së, situatat e tilla lënë shije të hidhura dhe i përforcojnë dyshimet se ky shtet me të vërtetë ka histori të hidhura me realizimin e zgjedhjeve dhe institucionet e saj, sidomos ato që janë përgjegjëse për një detyrë të tillë, skajshmërisht janë të politizuara dhe nuk janë të afta të realizojnë zgjedhje të rregullta, fer dhe demokratike, pa u kontestuar nga cilado parti politike.

​Për më tepër, shembuj më të njohur të qeverive të tilla që janë kujdestare të realizimit të zgjedhjeve kemi në Bangladesh, Pakistan dhe në Indi dhe nga viti 2016 edhe në RMV. Kjo shumë qartë flet për demokracinë e shtetit tonë!

ÇFARË DUHET PRITUR NGA KJO QEVERI?

​Asgjë më shumë se sa atë deri më sot, sepse shumë shpejt RMV-ja do të futet në fushatë parazgjedhore.

​Talat Xhaferi, gjatë këtyre ditëve në vijim, deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja të vitit 2024, le ta marrë me vete një llupë të Sherllok Hollmsit dhe të jetë i vëmendshëm për çdo gjë. Simptoma për zgjatjen e mandatit të Qeverisë Teknike, aktualisht nuk mund të themi se kemi, por përvoja e dy qeverive të kaluara, një mundësi të tillë, nuk e ka përjashtuar. Pra, edhe pse Emill Dimitriev u zgjodh më 18 janar 2016, për shkak se kishte prolongim të zgjedhjeve parlamentare, Qeveria e tij zgjati plot 16 muaj. Qeveria Teknike e Oliver Spasovskit zgjati 8 muaj, pas prolongimit të zgjedhjeve për shkak të situatës me pandeminë dhe si pasojë e këtyre situatave shumë procese nuk arritën që të shkonin përpara.

Talat Xhaferi, le t’i shmanget veturave luksoze zyrtare të parkuara nëpër kafenetë e qytetit; le ta dëshmojë se është kryeministër modest dhe i të gjithë qytetarëve.

​Duhet ta ketë në konsideratë, se zgjedhja e tij paraqet një provë, një test i vështirë. Le të përgatitet për pyetjet e provimit, që të hap një shteg të ri dhe të pastrohen dilemat dhe dyshimet për marrjen e shtetit maqedonas dhe për përçarjen e saj. Le të tregojë se kemi aftësi për të qeverisur si çdo qytetarë tjetër i këtij vendi.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur