TIRANË, 15 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Policia e Shtetit dhe OSHEE kanë vijuar punën e përbashkët, në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Në të gjithë vendin gjatë kësaj jave kanë vepruar 105 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici - OSHEE në 5.902 raste .
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 41 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 41 autorë.
Nga këta janë arrestuar në flagrancë 11 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike . Janë shpallur në kërkim 18 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 12 persona .
Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 3.599 lidhje të abonentëve debitorë dhe 41 lidhje të paligjshme.
Gjithashtu janë kontrolluar 138 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur , deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së. /a.g/









