TIRANË, 2 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/- Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar mbrëmjen e sotme nepermjet nje konference shtypi mekanizmin e ri të pagesës së borxheve per energjine elektrike. Rama në fjalën e tij falenderoi konsumatorët e rregullt, të cilët kanë paguar energjinë elektrike duke qënë në zbatim të ligjit.
Ndërkaq, Rama theksoi se "kjo është faza e dytë e operacionit qe skadon në 28 shkurt. Cdo konsumator që është debitor ka një mundësi lehtësimi, pra kush paguan borxhin e plotë përfiton 80 % ulje të kamatvonesave.
Kryeministri Rama ka shtuar se "shuma që duhet të paguajë cdo konsumator debitor ndaj energjisë elektrike ndër vite nuk mund të jetë më e ulët se 2500 lekë në muaj. Dhe nuk do të ketë lidhje të dritave përsa kohë që konsumatori debitor nuk futet në sistemin e pagesës".
Sa i përket vjedhjes së energjisë, Rama nënvizoi se "kjo është një grabitje e pasurisë sonë kombëtare". "Detyra jonë është të bëjmë shtetin që duan shqiptarët. Veshët tanë janë të shurdhët ndaj faljes dhe abuzimeve. Ne do luftojmë me mish dhe me shpirt për të nxjerrë në dritë Shqipërinë dhe do t'i japim të ardhme të sigurt gjeneratës tjetër dhe atyre që duan të punojnë me punë të ndershme", theksoi kryeministri Rama. /a.ke/











