Fushata e fjalëve të mëdha, rrenave e premtimeve më shumë janë veç ofendim i arsyes dhe mendjes së shëndoshë, diçka që gjithnjë e më shumë të përkujton atë “xhurulldinë” e tregut të plaçkave përplot vulgaritet e pafytyrësi, tashmë ka hyrë në fazën e kulmimit.
Politikanë të djeshëm e të sotëm që na buzëqeshin engjëllueshëm nga bilbordet e mëdha i çojnë në qiell sukseset e veta dhe planet që i paskan në mandatin e ri. Punët më të zakonshme që i paskan kryer i ngrenë paturpësisht në nivel të vetëflijimit e sakrificës që paskan bërë për këtë vend, ndërkaq shkeljet e ligjit, shpenzimet e buxhetit me tenderë të kurdisur, duan të na i shesin si heroizëm patriotik.
As ata të tjerët, të eturit për t’u rikthyer në pushtet, nuk janë lënë shumë mangët, duke premtuar mal e kodra, me kilometra rrugë, autostrada, shkolla e çerdhe sikur do t’i paguanin nga xhepi i tyre, nga pasuria që ua ka lënë trashëgim i ati, e jo nga paratë tona buxhetore, me kredi të shtrenjta e tenderë të kurdisur. Pretenduesit e të dy palëve, kandidatë për shef të piramidave korruptive i ndërrojnë maskat. Fjalë të bukura e premtime të mëdha, sa të duash.
Asnjë parti politike, jo vetëm te ne, por edhe gjithandej në vendet tjera, nuk është njëqind për qind e pastër. Të gjithë ata i kanë interesat e veta, mecenët e vet, të palarat e veta, njerëzit e vet që i shtyjnë përpara ose i tërheqin, sipas nevojës, menytë dhe çmimoret e veta, klubet e bosëve e jaranëve të vjetër.Nuk ka këtu asgjë të re dhe të panjohur.
Megjithatë është obligim i yni që në këtë kakofoni gjelucësh që të shurdhojnë me atë piskamën tek krekosen mbi grumbullin e plehut të vet, pas pak ditësh do të na duhet të marrim një vendim. Vendim të arsyeshëm, me sinqeritet dhe mendjen esëll. Nëse do të mund ta gjejmë, të përzgjedhim ndonjërin për të cilin mund të besojmë se do të bëjë ndonjë të mirë edhe për ne.
Në vend që të merremi me matematika të larta zgjedhore dhe me llafet e odave, çka do të bëhet, nëse bëhet, vetvetes t’i tregojmë se jemi të gatshëm të votojmë për veten. E jo, si zakonisht si deri tash, duke votuar si të ishte kjo veç një lojë që madje nuk ka të bëjë aspak me ne, por me dikë tjetër për të cilin as nuk na e ndien fare.
Të votojmë pro e jo kundër, ashtu që ai dikushi të cilin nuk e durojmë dot, për arsyet që mund t’i dimë ne vetë, as rastësisht të mos fitojë ndonjë copë pushtet.
Akti i votimit, në të vërtetë, nuk është diçka që kërkon ndonjë urtësi të madhe. Vetëm të kesh gjithmonë ndër mend se në jetë dhe në politikë nuk ka kurrfarë garancie për atë që do të ndodhë pasnesër sepse nuk mund ta dimë saktësisht as çka do të ndodhë nesër. Andaj më së mirë është të votosh për sot dhe duke pasur parasysh veten. Normalisht, duke mos harruar përvojën e djeshme por me ndërgjegje për secilën të nesërme të ardhshme.
Për këtë e vlen të votohet për ndonjë listë apo kandidat për të cilin jeni vërtet të bindur se jo vetëm ajo që ka thënë në fushatë, por më shumë ajo që ka bërë deri tash, e meritojnë besimin tuaj.
Assesi për ata që ju duken se janë e keqja më e vogël. Jo një herë e keqja më e vogël nuk sjell gjë të mirë. Përkundrazi, nga e keqja më e vogël zakonisht vijnë ato të këqijat e mëdha për të cilat pendohemi tërë jetën.
Më në fund edhe diçka duhet ta themi. Dhe të jemi të sinqertë. As këta tanët nuk e kanë shpikur rrenën. Rrena, në të vërtetë, ka lindur nga nevoja. Pa nevojë, as këta nuk do të rrenin, por ata e dinë, po të mos na rrejnë kështu, kush do t’ua jepte qoftë edhe një votë.
Merreni me mend, po të bëheshin vërtet të sinqertë. Dhe të na tregonin drejt, çka kanë bërë e çka s’kanë bërë gjatë mandatit të këtyre katër viteve. Jo votën, por diçka shumë më keq mund të kishin marrë.
Marrë nga "Zëri"
/Shqiptarja.com