Enigma, gjendet laptopi ku shijaksit 
kishin të dhënat e trafikut të drogës

Pavarësisht se grupi i dy vëllezërve të Shijakut janë kujdesur që të mos lënë gjurmë në veprimtarinë e tyre kriminale, policia ka arritur të gjejë provat për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Një kompjuter, një laptop dhe një tablet të sekuestruar nga policia shqiptare pas operacionit të në banesën e Altin Hajrit, në fshatin Pjesëz, në Shijak, mendohet të jetë edhe çelësi i mëtejshëm për zbardhjen e organizatës kriminale të cilën e drejtonin dy vëllezërit Altin dhe Emiliano Hajri.

Burimet e policisë thanë se gjatë këqyrjes paraprake të tyre, janë vënë re dhe janë gjetur të dhëna që sipas hetuesve janë të rëndësishme në hetimin e dy vëllezërve, Hajri, por edhe të pjesëtarëve të tjerë të organizatës. Kështu hetuesit thonë se kanë gjetur adresa e-mail, mjaft fotografi të personave të ndryshëm, lista, numra telefoni, por edhe përmbajtje të tjera që për hetuesit kanë paraqitur interes.

Për të gjetur dhe mësuar më shumë të dhëna dhe informacione, që lidhen me hetimin e organizatës, hetuesit kanë dërguar kompjuterin, laptopin dhe tabletin në laboratorin e Teknologjisë së Informacionit në Institutin e Policisë Shkencore. Ekspertët kriminalist të IT-së dhe hetuesit pritet të kryejnë një ekzaminim të plotë mbi përmbajtjen e tyre, për të zbuluar të dhëna të tjera të mundshme, qoftë nga edhe nëpërmjet riparimit të të dhënave që mund të jenë fshirë apo dëmtuar.

Veç këtyre dy objekteve, hetuesit e policisë në momentin e mbërritjes në banesat e dy vëllezërve, iu kanë komunikuar pjesëtarëve të familjes Hajri dhe bllokimin e kompleksit Gold në pronësi të tyre. Ndërkaq në pronësi të Hajri Ballës, një person tjetër i dyshuar si pjesëtar i bandës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një certifikatë pronësie për një banesë, një automjet Mercedez- Benz, certifikatë pronësi për një sipërfaqe trualli, pemishteje dhe një ndërtesë që pritet të kalojnë në filtrat e hetimit. Ndërkaq hetuesit po ashtu po verifikojnë edhe pasuri të tjera që lidhen me personat e përfshirë në organizatën kriminale të trafikut të drogës e drejtuar nga dy vëllezërit Hajri.

Këta të fundit ende rezultojnë në kërkim të policisë italiane dhe asaj shqiptare ndërsa ata së bashku me tre persona të tjerë mundën t’i shpëtonin operacionit të policisë. Operacioni për zbulimin e grupit, ku u arrestuan 116 persona dhe 5 janë shpallur në kërkim, është realizuar në bashkëpunim me policinë italiane.

Forcat italiane të rendit kanë arritur të zbulojnë një organizatë të tërë kriminale që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës, aktive mes Shqipërisë dhe Italisë në zonat e Venetos, Trentino Alto Adige, Emilia Romania, Breshia dhe Umbria. Në Trento ndodhej një bërthamë shpërndarjeje dhe dorëzimi për drogën, si dhe një bëthamë e dytë logjistike, e cila mblidhte paratë dhe i dërgonte në Shqipëri me automjet apo në rrugë ajrore.
 
 
 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq