Autorja e këtij libri ka lindur në Tiranë më 17. 04. 1968. Ka studiuar piano dhe histori arti në Liceun Artistik Tiranë (1982-1986), e më pas, Gjuhë- letërsi në Fakultetin Histori- Filologji të Universitetit të Tiranës (1987-1991), ku është diplomuar me punimin shkencor ‘Proza e shkurtër e Faik Konicës’. Në vitin 1994-1995 ka kryer studime pasuniversitare, retorikë e gazetari televizive në universitetin e Tuebingenit, Gjermani. Punon gazetare që nga viti 1992, në programin Satelit Mirëdita RTSH, Gazeta ‘Rilindja’ e Kosovës (1992-1993), dhe që nga viti 1995 punon pa ndërprerje gazetare në Departamentin e aktualitetit RTSH. Në vitin 1997 ka botuar librin ’30 minutat e darkës ‘20’ mbi historikun e lajmit televiziv në Shqipëri që nga fillimet e tij. Është doktore shkencash në letërsi me punimin ‘Kodi retorik në publicistikën e Fan Nolit’.
Libri ‘E vërteta për Fan Nolin’, për të cilin do të flasim në këtë intervistë, është mbështetur fillimisht mbi përfundimet e punimit të doktoraturës, por tezat pësuan një kthesë të papritur në trajtimin e tyre, për shkak të shpjegimeve që ofroi shqipja në terrenin e retorikës. Fan Noli i gjurmuar për qëllimet e tij në hartimin e teksteve publicistike, rezultoi të ketë ndjekur me vetëdije teknikat e paraqitura në retorikë si domain i saj dhe pikërisht ritmi dhe memorja. Ekzistenca e këtyre teknikave që në hebraishten e vjetër dhe cilësimi i tyre si qëllim nga Noli edhe në përkthime, çoi në hullinë e pranisë së shqipes në fillimet e të folurit. Fjalë aktive ende sot në shqip referojnë rrënjët e mbajtura deri tani si më të hershme të shpjegueshme për krijimin e botës.
Ku qëndron e reja e librit tuaj?
Të thuash diçka të re për Nolin është e vështirë, në kushtet kur kemi të bëjmë me autorin ndoshta më të lexuar shqiptar, por edhe më të studiuar. Megjithatë sfida ime e nisur si punim doktorature ka qenë për të gjetur e treguar kodin retorik, një vështrim i parrahur ky. Një përshtypje paraprake kishte qenë që, duke thënë gjithë kohës ‘Noli është shumë i mirë’, kishim harruar vlerat e tij, ose nuk i kishim studiuar ato me skema shkencore, po thjeshtë përshkrime. Duke e shkruar si libër, zhvillimi u bë i pashmangshëm dhe mbërrita në kushtet e përfundimeve krejt përmbysëse të referencave teorike, duke hetuar veçoritë e Nolit në publicistikë e jetëshkrimin e tij. Kushtet e krijimit, mbi të cilat mund të gjenden parapëlqimet e figurave retorike ose letrare, në rastin e publicistëve shqiptarë në atë periudhë kanë qenë unike: kur nuk kishte as troje e as Shqipëri, gjuha shqipe ishte e vetmja e ndaluar nga gjuhët e popullsive që ishin nën osmanët dhe ata botonin gazeta shqip, jashtë territorit vilajet!!!! Kjo më rezulton si zhvillim unik me shumë rrjedhoja dhe një fuqi publicistike që mesa duket kishte rrënjë më të thella.
Pse mendoni ju që ka ndodhur kjo?
Në rastin e fenomeneve mendore dhe sidomos gjuhësore, që të ‘mundësh’ një gjuhë duhet të jesh realisht ‘superiore’ po me gjuhë. Unë kisha gjetur që në punimin e doktoraturës që në shqip kishte struktura e njësi retorike të qëndrueshme që Noli sipas Fatmir Agalliut i kishte lëvruar nga shqipja e folur e shqiptarëve të Amerikës, por nuk u zgjerova në shtrirjen e tyre për përfundime gjuhësore. Një tjetër gjuhëtar austriak Matzinger ka gjetur dhe referuar në aktivitete shkencore me autorë shqiptarë vitete e fundit që deri në mes të shekullit XVII, ‘shqip’ është përdorur për ‘oratori’, pra një formulë fetare mund të riprodhohej ‘shqip’ ose me ‘letërë’ (përmendësh ose me lexim). Kjo tregon kapacitete abstraksioni të gjuhës që rrëfejnë shkakun pse shqipja nuk u asgjësua edhe pse u ndalua 300 vjet e nuk u la të shkruhej. Këto tregojnë se gjuha nuk ruhet me troje dhe nuk janë ato që e bëjnë superiore, por shkalla e abstraksionit dhe kapacitetet e shprehjes.
Çfarë do të thotë kjo në nivel ndërkombëtar zhvillimesh të kulturave?
Ju mund të krijoni një përfytyrim të thjeshtuar nëse ju them p.sh., se kompleksi sanskritisht ‘mens dhe’ shpjegohet anglisht ‘to set the think’, gjë që në shqip me tinguj e kuptim është ‘mend dhe’ (si krijimi i kapacitetit mendor). Edhe pse bëra një kalim të shpejtë të provave gjuhësore për njëkohshmërinë e shqipes, rezultoi me shumë propabilitet se fjalë aktive në shqipen e sotme tregojnë krijimin e lëndës që për popullsitë e atyre periudhave ka mbetur si legjendë. Vetë univers rezulton me pjesën e parë si përemri vetor njëjës në shqip ‘unë’ dhe ‘versi’ me shumëkuptimshmërinë e vet tingëllon afër ‘vjershës’. Noli e ka treguar vjershën (ritmin) si një nga dy elementët e të folurit të Krishtit (edhe memorje) që dishepujt të mund ta riprodhonin me lehtësi. E folura përmendësh është pikërisht ky proces -versi ose vjersha në shqip, çka shqipja dëshmohet ta ketë patur si thelb sistemi komunikimi deri në mes të shekullit XVII. ‘Udhëtimi’ i emrave dhe koncepteve në kohë e hapësira të papërshkueshme me ato mjete e zhvillim të atëhershëm, madje edhe në qiej ende të vëzhgueshëm me teleskop, përveç një përvoje kozmike, duke hyrë në gjuhën e një vendi tjetër, tregon ekzistencën e njëjtë të fenomenit mendor e komunikativ në popullsitë e atëhershme, gjë që shqipja e dëshmon dhe me pjesën e saj aktive të sotme.
Si e ndërmjetësoi Noli këtë zbulim?
Noli u zbulua dhe vetë në këto shqyrtime, çka rezulton se ai ka shkruar e menduar në kufijtë e ekzistencës, siç e dëshmon me ngjarje nga jeta e tij, rikthimin pas nje vdekjeje që duhet të ketë qenë klinike, ose ëndrra a gjendje përçarti që i tregon në mes të një teksti jetëshkrimi që inkuadruar më tej në Historinë e kishës shqiptare. Kjo dëshmi që nuk mund të ketë qenë e rastësishme, na çoi në shqyrtime biografike, ku Noli rezulton në grupin e publicistëve shqiptarë që i krijuan vetë kushtet e krijimit (botimet, auditorin, madje edhe atdheun). Krijimi nga e para ngjante si me Shqipërinë ashtu edhe me fillimet e treguara në Bibel, nga Noli ushtronte ekuilibra e modele. Hetimi i ekzistencës, në kufijtë e të mundshmes e të pamundshmes ka një shtrirje të gjerë në tekstet e Nolit dhe në të gjitha formatet e zbatimit të retorikës.
Ky është ‘shpëtimi’ i vërtetë i Nolit, ku qasjet për pikëpyetjet a etiketimet si prift ose jo, si shqipërues ose jo, etj., etj. mbeten në kufijtë e naives. Atdheu në të cilin jetoi, i marrë me mend e madje me ‘frymë’, me emrin/kohë - ‘Shqipëria, çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’, në veprimin shkrimor e kombiar të Nolit, solli një proces me të papritura, varësisht skemave retorike dhe befasisht përfundimeve që kapërcejnë shqipen. Figurimi i atdheut sipas kësi standarti sfidoi edhe mospyetjen mëse 100 vjeçare të Nolit përkundrejt asaj të hershme të ligjërimit me një përfundim madhor: shqipja, nga gjuhë e mbijetuar e shqiptarëve të mbijetuar, në një retorikë gjithëshpjeguese me pretendime deri tek vetë ‘retorika’. Mu sipas shpjegimit të ëndrrës, duke vazhduar të jetë në ëndërr tjetër - atë të shkrimit, fabula historike magjike që rri në të njëjtin vazhdim me fabulën jetëshkrimore të Nolit dhe atë të institucionit shqiptar të besimit, qartëson tregimin faktik të Nolit edhe në kushtet e jashtzakonshmërisë.
Intervistoi: Admirina Peçi
d.c./shqiptarja.com