Enver Hoxhaj për Report TV: 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira (VIDEO)

Suada Mehmetaj: Përshëndetje! Ndodhemi sot në Prishtinë për të zhvilluar një bisedë me Zotin Enver Hoxhaj, kreun në Detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-ministrin e jashtëm. Z. Hoxhaj faleminderit që pranuat të zhvillonit këtë bisedë me neve. 

Enver Hoxhaj: Me nder qofshit! Mirë se keni ardhur në zyrën time. 


Suada Mehmetaj: Z. Hoxhaj ka qenë një vit tejet aktiv dhe ka pasur shumë zhvillime në Kosovë. Si mund të konsiderohet 2020 për Kosovën? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira, më të komplikuara dhe më ta paqarta. Në kuptimin se gjatë një viti ka një listë me pritje konkrete, qëllime dhe rezultate të matshme.  Fillimisht kishim situatën e pandemisë, pastaj një situatë mungese stabiliteti qeveritar, ku u rrëzuar qeveria Kurti dhe erdhi qeveria Hoti, kishim zhvillimin në dialogun Kosovë-Serbi dhe në fund ishte goditja më e madhe që mund t’i ndodhte Kosovës, konfirmimi i aktakuzave për Zotin Thaçi, Zotin Veseli, Zotin Krasniqi dhe Zotin Selimi dhe për të tjerë nga Gjykata Speciale. 


Suada Mehmetaj: Z. Hoxhaj të qëndrojmë tek zhvillimet e fundit në lidhje me 'Specialen' dhe pastaj kalojmë tek temat e tjera. Dy nga figurat kryesore që aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë, janë edhe nga figurat kryesore të PDK-së. Ish-presidenti Thaçi ka qenë edhe kryetari i parë i kësaj partie dhe gjithashtu kryetari aktual Z. Veseli. Cila mendoni se mund të jetë pozita e tyre? Çfarë mund të ndodhë me ta pas konfirmimit të këtyre aktakuzave? Çfarë zhvillimesh mund të kemi? 


Enver Hoxhaj: Së pari, për neve si PKK, por mendoj se edhe për gjithë popullin e Kosovës, UÇK ka bërë një luftë të drejtë, një luftë mbrojtëse. Një luftë çlirimtare dhe ka bërë një luftë për lirinë e vendit. Për shkak të orientimit të drejtë të kësaj lufte dhe për shkak të faktin se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, ne kishim edhe mbështetjen e shteteve perëndimore. Ne presim që Z.Thaçi, Z.Veseli dhe të gjithë të tjerët do të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë. Por ajo çfarë ka ndodhur katër javët e fundit, meqë janë mbushur katër javë që nga konfirmimi i aktakuzave. Mendoj se është një goditje e madhe për lirinë tonë, për themelet e shtetit tonë dhe për partinë që e ka drejtuar dikur Z. Thaçi dhe Z. Veseli. 


Suada Mehmetaj: Megjithatë ajo që më ka bërë përshtypje në momentin që u bën publike akt-akuzat është se asnjëra nga bazat mbi të cilat është krijuar Gjykata Speciale, nuk janë të paraqitura në to. Si në rastin e 'Shtëpisë së Verdhë' në Kukës apo detaje të tjera mbi të cilët u ngrit Gjykata Speciale. A mendoni se ka ardhur koha e duhur për t'i dhënë fund mandatit të Gjykatës Speciale ose të merren nisma të tjera. Sepse në bazë të Kushtetutës së Kosovës, mandati i saj ka përfunduar. 


Enver Hoxhaj: Në pikëpamjen tonë ajo çfarë është prezantuar në Raportin e Dick Marty-t, i cili është më shumë një pretendim i sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia. Mos-përmendja e këtyre pretendimeve në procesin në Hagë, ngre realisht dilema të mëdha. Se në fund të ditës ngre pikëpyetjen se përse u themelua kjo gjykatë, sepse në kohën kur u publikua ky raport në mesin e partnerëve tanë ka pasur kërkesa që të verifikohen pretendimet e Dick Marty-t dhe të hiqen këto re të zeza mbi Kosovën dhe të mos e dëmtojnë imazhin e saj. Dhe fakti që tani nuk shihen askund kjo ngre dilema të mëdha tek ne. Unë e kam parë raportin e Dick Marty-t si një sulm racist ndaj Kosovës. Çdo gjë që thuhet aty është i papranueshëm dhe ky kaq qenë edhe qëndrimi im gjatë kohës kur kam qenë ministër i jashtëm, por ngjarjet rrodhën në atë drejtim dhe gjykata është në funksion. Unë mendoj se përveç betejës ligjore që duhet të bëjë në gjykatë, që të mbrojë shokët tanë, të mbrojë betejën tonë të lirisë, që ta kuptojë se ata nuk janë në gjykatë si individ, por është edha karakteri i luftës tonë. Ne duhet të zhvillojmë një betejë politikë edhe brenda që të jemi sa më të unifikuar. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të mbrojtur interesin e Kosovës. Ndërsa nuk jam për dilemat që ngrini, sepse nuk janë synimi i asnjë nga partitë politike. 

 


Suada Mehmetaj: Në fjalimin e tij të fundit Z. Thaçi kur dha edhe dorëheqjen kërkoi edhe unitet mes palëve. Kërkoi që të gjithë të bashkohen së bashku për të mbrojtur kauzën e drejtë, luftën e Kosovës, luftën e drejtë të Kosovës për çlirimin e vendit. A mendoni se kërkesa e fundit e presidentit Thaçi po respektohet? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se deri tani ka pasur një solidaritet të plotë mes faktorëve të ndryshëm politik, pa dallim në raport me të gjitha aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale. Mendoj se shpeshherë ka pasur akuza të pamatura, të pamenduara mirë, të cilët kanë ndikuar në kultivimin e përçarjes më shumë se të unitetit. Por e parë në tërësi palët kanë treguar një pjekuri, qoftë në raport me atë çfarë kanë bërë apo çfarë kanë thënë edhe për Z. Veseli, Thaçi, Krasniqi apo Selimi. Po tani e tutje duhet të shohim sesi ta tejkalojmë këtë situatë në të cilën gjendemi. Dhe unë mendoj që kjo është çështja jonë kryesore. 


Suada Mehmetaj: Dorëheqja e presidentit lë dy rrugëzgjidhje, për të përcaktuar atë që do të jetë presidenti i vendit. Me Kushtetutë ushtruesja e detyrës së presidentit Zonja Osmani, mund të qëndrojë në këtë detyrë për 6 muaj dhe pas këtij afati ka dy opsione që ngelen, zgjedhja e një presidenti të ri konsensual ose vajtja në zgjedhje të parakohshme. Ku mendoni se qëndrojnë palët aktualisht? Kemi parë që kohët e fundit të paktën në media po lakohen emra të ndryshëm. Cili është qëndrimi i PDK në këtë rast ? Si është situata? 


Enver Hoxhaj: PDK  e ka një qëndrim të qartë që për çështjet e konsensusit kombëtar dhe të interesit shtetëror, ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë që vendi të mos ngelet pa president. Që posti i presidentit të mos bëhet një  vakum i ri në jetën politike të vendit tonë. Megjithatë kjo është një temë që u takon partnerëve të koalicionit, të cilët e udhëheqin qeverinë LDK, AAK, Nisma dhe të tjetër të cilët do të duhej të kenë një qëndrim të plotë  dhe të qartë. Nëse kërkojnë që të kenë edhe mbështetjen e PDK-së, që të zgjidhet një president duhet që të marrin në konsideratë edhe një propozim që vjen nga ana jonë për atë që mund të jetë presidenti i ardhshëm i vendit. Megjithatë nëse janë në gjendje ta zgjedhin presidentin e ri pa mbështetjen e PKD, atëherë ne jemi në rregull. 

 


Suada Mehmetaj: Domethënë jeni të gatshëm që për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme të heqni dorë nga posti i presidentit. Duke pasur parasysh faktin se një pjesë që ish-presidenti Thaçi vjen nga kjo parti...


Enver Hoxhaj: Në një situatë ku ata tregojnë një qëndrim serioz dhe unik dhe ku dalim me një qëndrim të prerë dhe kanë një emër unik. Por mesa kuptohet ata akoma nuk kanë një emër dhe në një situatë të tillë ne nuk kemi si ti ndihmojmë. Por do ta bëjmë nëse një gjë e tillë kërkohet për hir të vendit. Mbi të gjitha këtu është pyetja se për çfarë presidenti ka nevojë vendi në vitin 2020 kur është goditur nga Gjykata Speciale, në kohën që qeveria sillet si protektorat i OKB-së në periudhën e UNMIK-ut, kur nuk ka asnjë arritje të brendshme. Dilema pra është çfarë presidenti i duhet Kosovës. Nëse kërkohet mbështetja e PDK-së, ne si parti opozitare e shohim rolin tonë më shumë si shërbim ndaj interesave të vendit sesa të interesit të Partisë dhe ne në këtë aspekt mendojmë se mund të ndihmojmë. Ne nuk e bëjmë një gjë të tillë sepse kemi kushte, apo sepse e kërkojnë partnerët në qeverisje. Por e bëjmë sepse ne realisht duhet t’i shërbejmë Kosovës. 


Suada Mehmetaj: Do të doja të qëndroja pikërisht këtu tek koalicioni qeveritar dhe sa i qëndrueshme është qeveria Hoti aktualisht. Ne të gjithë jemi dëshmitar në kërkesën e bërë në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet heqja e legjitimitetit të votës së Z. Arifi, aktualisht i burgosur. Mendoni se qeveria Hoti është e qëndrueshme? Dhe kërkesa e Vetëvendosjes do të bjerë dhe nuk do të jemi dëshmitarë të një qeverie tjetër Kurti? 


Enver Hoxhaj: Nuk dua të paragjykoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimi jonë do të bëhet i ditur vetëm pas bërjes publike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çfarë  mund të them është se koalicioni Vetëvendosje –LDK i cili fitoi zgjedhjet e tetorit 2019, e ka drejtuar Kosovën drejt një qorrsokaku, në një bllokadë të brendshme dhe të jashtme si asnjëherë më parë. Asnjëherë më parë Kosova nuk ka qenë më e përçarë, më e polarizuar, asnjëherë nuk ka pasur një grumbullim të tillë të njerëzve të cilët i thonë vetes qeveri. Kur je qeveri nënkupton një dinjitet krejt tjetër dhe kjo qeveri dhe ajo e kaluara. Për ne shqetësimi kryesor është se ku janë arritjet e Kosovës në 20 vitet e kaluara dhe cilat janë arritjet në vitin 2020? Ky është shqetësimi ynë kryesor dhe përgjegjësia për mungesën e arritjeve i takon edhe Vetëvendosjes edhe LDK. Se çfarë vendimi do të marrë Gjykata është çështje e Gjykatës. 

 

Suada Mehmetaj: Do të doja të qëndroja, edhe tek një nga temat më të nxehta të kohëve të fundit. Pamë se pothuajse pas dy vjetësh patën rikthim të dialogut Kosovë- Serbi, por që fatkeqësisht mori një nga goditjet më të rënda për shkak se Thaçi nuk mundi të ishte pjesë e takimit në Uashington. Çfarë pritet se mund të ndodhë në 2021 në raport me dialogun  Kosovë-Serbi? Si e vlerësoni dialogun gjatë këtij viti? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se dialogu është një proces që po vazhdon qoftë në takimet e mbajtura nga Z. Hoti apo Z.Hyseni, por dialogu nuk ka qëllime të matshme dhe nuk ka afate kohore dhe mbi të gjitha nuk po i shërben Kosovës por në fakt po i shërben më shumë Serbisë. Qëllimi i dialogut ka qenë që të përmbyllë shtet-ndërtimin. Por ajo çfarë po ndodh me procesin është se në fakt po ndihmon në përpjekjet e Serbisë për integrimin europian. Ky është një nga shqetësimet kryesore që në kemi. Së dyti, mendoj se qeveria e Kosovës duhet të jetë tejet serioz. Pas mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA dhe ardhjes në krye të vendit të presidentit Biden i cili është mik i Kosovës, i cili ka vizituar disa herë vendin dhe Anthony Blinken si sekretar shteti apo Jake Sullivan dhe të tjerëve, qeveria jonë do të duhet të kuptojë mundësinë e krijimit të një situatë të re edhe në marrëdhëniet BE-SHBA, Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të çojë në krijimin e një marrëveshje të njohjes reciproke. Vetëm në këtë kontekst kas peshë se çfarë themi ne për dialogun. Por një dialog i cili po zhvillohet në Bruksel për tema teknike, të cilat e dëmtojnë deri diku Kosovën, nuk është në favor tonin. Duhet një lloj mendimi i ri, një qasje më strategjike për të përdorur më mirë situatën në Amerikë dhe Evropë, për një lloj reset të situatës së dialogut. 

Suada Mehmetaj: Marrëveshja e 4 shtatorit u konsiderua si një arritje e jashtëzakonshme,, në veçanti për aspektin ekonomik. Si e vlerësoni ju këtë marrëveshje? A ishte e barabartë Kosova atë tryerzë bisedimesh me Vuçiç dhe presidentin në largim Donald Trump? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se marrëveshja e Uashingtonit në thelb ka shumë elemente në favor të Kosovës. Dhe shumë elementë të cilët janë në favor të perëndimit. Sepse në të ka shumë pika të cilat janë orientime gjeopolitike të SHBA në vendet e Ballkanit, ku mendohet të ndërmerren hapa konkrete të ndalimit të ndikimit rus dhe KINEZ. Gjëra të cilat nuk janë pranuar më parë nga Serbia. Por përtej kësaj ajo çfarë i ka munguar kësaj marrëveshja është ajo që është premtuar nga qeveria e Kosovës. Ajo ka premtuar se po shkon në Uashington për njohje të ndërsjellë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Thuhet se ka pasur një paragraf në të cilin palët angazhoheshin për njohje reciproke, por askush nga qeveria e Kosovës nuk ka insistuar. Marrëveshja në tërësi është e mirë jo e dëmshme, por ajo duhet të arrinte një peshë historike dhe ajo do të arrihej nëse do të kishte një njohje reciproke. Qëllim i bërë publik nga qeveria para nisjes për në Uashington. 

Suada Mehmetaj: Çfarë mund të kërkojë Kosova me 10 Dhjetor në Bruksel? Çfarë mund të dojë më? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se është momenti i fundit për qeverinë që të kuptojë se dialogu duhet të jetë në një format të ri. Formati i ri duhet të përcaktojë që ai të mos ngelet vetëm proces por të jetë një ngjarje, një takim që do të zgjasë një javë ose dy javë, i cili duhet të organizohet nga partnerët europianë dhe amerikanë, në të cilin marrin pjesë Kosova dhe Serbia. Ajo çfarë ndodh në Bruksel me tema teknike mendoj se  është e dëmshme për vendin. Në 10 vitet e fundit ne nuk jemi në dialog vetëm me Serbinë, nën udhëheqjen e BE. Ne jemi në një proces normalizimi marrëdhëniesh me Serbinë që nga Konferenca e Rambujesë, 20 vite më parë dhe mendoj se duhet me çdo kusht të ketë përcaktim të afateve kohore. 


Suada Mehmetaj: Z. Hoxhaj do të doja të qëndroja edhe në një nga temat kryesore, pandemia e shkaktuar nga COVID-19. Cili ka qenë efekti i kësaj pandemia dhe a i mori qeveria kosovare, masat e duhura për të mbrojtur qytetarët të cilëve iu dëmtua jo vetëm ekonomia, por edhe shëndeti? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se qeveria Hoti dhe Kurti dështuan në vënien nën kontroll të përhapjes së virusit. Nuk e di sesi është gjendja në Shqipëri, por në vendet perëndimore ka pasur një qartësi të plotë  sesi janë marrë vendimet në raport me pandeminë, ndalimin e përhapjes së virusit, mbylljen e bizneseve apo shkollave dhe institucioneve që e mbulojnë atë. Për rrugën që mund të ndiqet duke qenë se ndikojnë drejtpërdrejt në të. Këtu nuk ka pasur një qartësi të vendimmarrjes. Po ashtu qeveria ka dështuar në menaxhimin e pasojave të pandemisë. Rastin konkret e kemi pasur 7 muajt e fundit kur qeveria nuk arriti të miratojë një paketë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila në fund të fund të ditës ishte paketë sociale. Ajo u përmirësuar vetën në saj të ndërhyrjes së PDK-së. Javën e kaluar ndryshe nga opozitat në vendet e tjera ne e mbështetëm paketën , për të shpëtuar ekonominë nga kriza. Të ndihmojmë qytetarin, por natyrisht nëse do të kishte pasur vullnet nga ata do të ishte bërë edhe më herët. 


Suada Mehmetaj: Do të doja të qëndroja këtu. E kam ndjekur deklaratën tuaj pas miratimit të planit të rimëkëmbjes, ju thatë diçka që rrallëherë mund të mos tërheqë vëmendjen. Ne u bëmë palë me popullin dhe votuam këtë plan, për të rigjallëruar ekonominë e Kosovës. Por a keni statistika të sakta sesi është gjendja e biznesit në Kosovë dhe numri të të papunëve për shkak të pandemisë? 


Enver Hoxhaj: Paketa e rimëkëmbjes mund të ndihmojë 30/40 mijë njerëz, të cilët u larguan nga puna për shkak të paaftësisë së firmave për t'i paguar ato. Përmes një fondi të investimeve  me anë të granteve mund të mbështeten 50 deri në 60 mijë biznese në Kosovë, të cilët pa mbështetjen tonë do të mund të dështonin  plotësisht. Së treti, ka pasur dhe ka akoma interes të qytetarëve për të tërhequr deri në 10 % të fondit të kursimeve për pensione. Këto para që do të tërhiqen nga qytetarët do të kompensohen nga qeveria e Kosovës. Ne do të kemi një sfond të rimëkëmbjes prej 500- 600 milion euro, në muajt në vijim. 


Suada Mehmetaj: Jemi pothuajse në fund të bisedës, por do të doja të dija këndvështrimin tuaj për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri. Kohët e fundit ka pasur një sërë marrëveshjes mes Z. Rama dhe Z. Hotit. A janë marrëdhëniet Kosovë- Serbi aty ku duhet të jenë apo ka nevojë për përmirësim?

 

Enver Hoxhaj: Shqipëria dhe Kosova kanë bërë punë të mirëfilltë që nga Janari i vitit 2014, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale të dy qeverive për gjetjen e zgjedhjes për shumë çështje bilaterale. Mendoj se edhe shumë çështje do të mund të zgjidheshin. Ajo çfarë ka treguar pandemia është kjo, ka pas një pritshmëri në shkallë globale, që institucionet multilaterale mund të përballeshin me probleme të ndryshme. Pandemia në fakt tregoi se fenomeni është global por përgjegjësia është kombëtare. Çdo shtet është munduar të zgjedhë fillimisht problemin e vet. Pandemia ka treguar se mes Kosovës dhe Shqipërisë të mos ketë vetëm një lloj solidariteti, të mos zgjidhen çështjet vetëm nëpërmjet marrëveshjeve, në një rrugë që nuk është e sigurte.

Suada Mehmetaj: Një urim për të gjithë shqiptarët, për vitin 2021.

Enver Hoxhaj: Për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Luginë e Preshevës, Mali i zi dhe diasporë uroj  sukses dhe shëndet. Uroj që të mos e humbasin kurrë vullnetin për jetë, për punë, për të çuar para kombin shqiptar.

Suada: Faleminderit për këtë bisedë të këndshme!

Enver Hoxhaj: Faleminderit!

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën