Epistolari Nolian: Një
thesar me mijëra letra

Epistolari Nolian: Një <br />thesar me mijëra letra
Në jetën e tij, Fan Noli ka shkruar me mijëra letra, kartpostale, telegrame etj. Sipas sekretares Meri Xhons, “Peshkop Noli ishte një letërshkrues i ndërgjegjshëm. Ai harxhonte kohë dhe energji për letra...” Këtë e dëshmon qartazi fondi i trashëguar i epistolarit të tij, i cili ndonëse nuk na ka arritur nga gjithë ç’ka shkroi, prapë është i konsiderueshëm dhe me vlera të gjithanshme. Noli, padyshim, është nga personalitetet e kulturës dhe historisë sonë, që për nga pasuria dhe cilësia e letrave që ka, zë një vend parësor në fushën e epistolarit shqiptar.

Burimet për të gjurmuar dhe siguruar letërkëmbimin e Nolit kanë qenë të ndryshme dhe të shpërndara në kohë dhe në hapësira të mëdha. Tregues i gamës tepër të gjerë të korespondencës së Nolit janë jo vetëm letrat që kemi në dorë, por dhe blloqet me adresa të shumta që ai ka lënë.

Vetëm nga një bllok adresash, mbajtur në vitet ’20-’30, ku ato janë shënuar alfabetikisht, gjejmë me dhjetëra emra njerëzish, shqiptarë e të huaj, miq dhe të njohur, veteranë dhe veprimtarë, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë me banim në SHBA dhe Evropë, në Amerikën e Jugut dhe Afrikë, pa përmendur vende të tjera.

Janë aty adresat e bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë, por dhe të shokëve të KONARE-s, të personaliteteve të huaja politike, të albanologëve, madje emra grash prapa të cilave fshiheshin lidhjet ilegale politike. Në mes adresave janë dhe ato të familjarëve, të vëllait e motrave.
Për të kuptuar se sa shumë letra ka shkruar Noli mjafton të sjellim dëshminë që gjejmë në Ditarin e tij politik, mbajtur në vitet 1917-1918, nga i cili del se vetëm brenda 9 ditëve (8 –17 gusht 1917) ai ka shkruar 108 letra personale dhe zyrtare në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”!

Por pasqyra më e plotë e letërkëmbimit të pasur e të gjërë të Nolit janë të dhënat që na ofron Biblioteka Fan Noli, e krijuar më 1970 pranë shkollës së Kryekatedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit n Boston, ku gjendet dhe fondi i korrespondencës, me 3 000 letra dërguar Nolit në vitet 1930-1965 dhe rreth 100 kopje letrash të shkruara prej tij.

Sipas një dëshmie tjetër rezulton se fondi i letrave të ardhura arrin në 12 000 letra. Nga sqarimet e at A. Liolinit, kjo pasuri epistolare përbëhet nga korrespondenca kishtare, politike, diplomatike dhe personale. Përafërsisht letrat janë të shkruara 55 % në gjuhën shqipe, 20 % greqisht, 20 % anglisht dhe 5 % në gjuhë të tjera. Për fat të keq, këtë fond, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk e kemi njohur dhe shfrytëzuar për arsye të ndryshme që nuk vareshin prej nesh.

Në fakt, ne kemi shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme, në radhë të parë ato të brendshmet, kryesisht fondet e Arkivit Qendror të Shtetit, Këto i kemi pasuruar dhe nga burime të tjera si nga ish-arkivi i PPSH, arkvi i Institutit ttë Historisë, ai i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga muzeumet e ndryshme të vendit.

Një pjesë e letrave janë nxjerrë nga shtypi i kohës (“Drita”, “Dielli”, “Republika”, “Liria Kombëtare”, “Immigranti”, “Federata Ballkanike” etj.) Nga ana tjetër, persona të ndryshëm me banim në SHBA, po, sidomos, trashëgimtarë të miqve dhe bashkëpuntorëve të Nolit kanë pasur mirësinë të na japin letra të tij. Po kështu, letrat familjare i kemi siguruar nga mbesat dhe nipërit e Nolit që jetojnë sot në Greqi.

Letrat e Nolit në shumicën e tyre u kopjuan nga tekstet origjinale, ndërsa pjesa tjetër u mor nga tekste të botuara. Të tjerat, në gjuhë të huaja, (anglisht, greqisht, frëngjisht) u përkthyen dhe po i jepen lexuesit në gjuhën shqipe. Autori i ka nënshkruar letrat zakonisht me emrin Fan Noli, Fan Stilian Noli ose Fan S. Noli.

Ndërsa në fillimet e korrespondencës i nënshkruante Theofan Mavromati, emër me të cilin figuron në dokumentet e hershme shkollore dhe kishtare. Por shpesh, sidomos në vitet 1906-1913 përdori pseudonime ose nofka të ndryshme si Ali baba Qyteza, Ali papa Qyteza, Ali Asllan Qyetza, Ali Dervishi, Ali Dyrmish Qyteza etj.

Në letrat familjare gjejmë dhe nofkat Theofan Durrsaku, Theofan Bostoni etj. Në shkresat kishtare nënshkruan Peshkopi Theofan dhe Kryepeshkopi Theofan. Letrat janë dhënë me drejtshkrimin e kohës kur u shkruan, me disa ndryshime të vogla, sipas kritereve të përcaktuara. E njëjta gjë është bërë dhe më alfabetin.

Siç dihet, Noli përdori alfabetin latin, por në letrat e hershme ai ndryshon nga alfabeti i sotëm në rastet kur përdor gërmat ts për ç, ch dhe gh për gj, gn për nj, dzh për xh ose q e zëvendëson me c. Për tingullin ë përdori e-në greke. Këto lëkundje të alfabetit në letrat e Nolit do të vijojnë deri në 1909. Më pas, ai do t’i përmbahet plotësisht alfabetit të Manastirit.

Në “Letërkëmbimi i Fan S.Noli”, për herë të parë në mënyrë të zgjeruar, janë përfshirë dhe një pjesë jo e vogël nga moria e letrave dërguar Fan Nolit. Them kështu sepse, Noli, për vendin e rëndësishëm që zë në historinë dhe kulturën shqiptare, ka pasur njohje dhe lidhje të shumta me njerëz nga më të ndryshmit, brenda dhe jashtë vendit, që u takonin shtresave shoqërore dhe rangjeve zyrtare.

Janë këto njohje dhe lidhje që hedhin dritë në jetën dhe figurën e tij, po të mbajmë parasysh mendimin e Engelsit se “Njeriu është kompleks marrëdhëniesh shoqërore”. Ato datojnë nga viti 1908 dhe vijnë deri në fillim të viteve ’60, duke rrokur kështu afro një gjysmë shekulli mbushur e ngarkuar me ngjarje që përcaktuan fatin e Shqipërisë dhe më gjërë.

Gama tematike dhe e problemeve të letrave dërguar Nolit është shumë e gjërë dhe e pasur. Ato përbëjnë anën tjetër të medaljes, raportet e të tjerëve me të, ku spikat pesha e personalitetit të tij në jetën dhe historinë shqiptare, vlerat e liderit dhe politikanit, të klerikut dhe dijetarit, të artistit e të njeriut. Ndihet në to autoriteti i tij i padiskutueshëm, besimi që ai gëzonte te shqiptarët, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të ndryshme, po dhe respekti që kish ndër të huajt.

Letrat drejtuar Nolit përbëjnë një pasuri të pazëvendësueshme për njohjen e figurës së tij nga këndvështrime autentike të kohës. Ato duhen çmuar si për informacionin e begatë ashtu dhe për mendimet e opinionet mbi të. Kuptohet se trashëgimia epistolare e Nolit mbetet e hapur në të dy krahët. Ajo pret risi të tjera që do ta begatojnë këtë pasuri të kulturës sonë.

Shënim: teksti i mësipërm shoqëron botimin e ri “Letërkëmbimi i Fan S.Noli”, botimet ERIK


TRI LETRA TË RRALLA TË FAN NOLIT

E para është një letër e rrallë, drejtuar Bernard Shout, letra e dytë i dërgohet Thanas Tashkos, dhe e treta është një kryevepër e epistolarit, një letër që Noli ia dërgon Milto Sotir Gurrës…

Letra 1- B. Shout

Boston, 29 dhetor 1947
Patriarku im i dashur,
Së pari, më lejo të shpjegoj titullin që po të jap. Ti je patriark në paraqitje me mjekrën e nderuar dhe je më tepër i tillë në shpirt, në kulturë dhe arritje. Deri vonë e kam konsideruar “Shën Joanin”, veprën tënde më të mirë. Tani kam ndruar mendje meqë mendoj se kryevepra jote më e madhe është letra që më shkruaje. A nuk mendon se i detyrohesh njerzimit që të më lejosh ta botoj? E pranoj se motivet e mia janë egoiste sepse letra jote do të më ndihmojë të shes disa kopje të librit tim. Pa dyshim ti e di se amerikanët tanë janë nga ana kulturore aq poshtë sa edhe anglezët dhe përsa i përket muzikës akoma më poshtë. Kështu meqënëse praktikisht nuk ka treg për këtë lloj lënde, mua më duhet të paguaj për botimin e tij. Në shpërblim të këtij favori, unë do të lutem për ty ditë e natë-në fakt kam filluar të lutem. Te djelën e parë pasi mora letrën tënde bëra nje predikim për ty. Teksti ishte: George Bernard Shoë - kryqtari i madh kristian. Përsëri edhe kjo ishte egoiste. Djemtë dhe vajzat në kishën time të Bostonit duhet ta mësojnë kush je ti dhe të blenë librin tim që e keni bekuar ju. Predikimi do të përsëritet në kishën time të Nju Jorkut dhe në një formë përfundimtare edhe në Filadelfia ose Detroit. Kjo është mënyra se si veproj me predikimet e suksesshme. Mund të të dërgoj një kopje në se e gjykoj të vlefshme për ty.
Çfarë ha ti që je aq i mprehtë? Sepse unë për vete jam vegjetarian, po s’të arrij dot. Në se ke ndonjë recetë sekrete, të lutem ma dërgo. Të premtoj se nuk do të tregohem egoist dhe do t’ja jap recetën edhe besimtarëve të mi.
Me shumë falenderime për letrën tënde të mirë dhe urimet më të mira për Vitin e ri e të tjerë më pas.

Mbetem
Yti me Krishtin


Letra 2- Thanas Tashkos

Prop. Petruzzelli Clorindo
Via Duomo, 340
Napoli, 15 të Majit 1906

I dashuri mëmëdhetar z. Th. Tashko,
Me sa gaz m’u mbush shpirti, kur hipa majë anijes dhe që nga urëza lart shpura sytë për të mramen herë nër dherat e mveshura të Misirit. Tri vërshëllime që të shurdhonin veshët, më dhanë zë, që me të vërtetë hikënj nga Misiri përgjithmonë. Kur u nis anija dhe hapej në detra atëherë m’u kujtua një ngjarjez e vogëlz që më ngjau në Douanët të Skënderisë.  Kur na shkonin nga Karantina pashë një Dibran të gjorë, një trim të bukur me fletë që s’na ditke asnjë gjuhë përveç shqipes, pak turqisht vetëm fliste, po edhe ato me spatë. Çdo që e pyesnin, përgjigjej i ngrati “Selanik”. Më zu gazi dhe i vajta pranë dhe e pyeta: “Mos je shqiptar, ore vëlla?” – “Po, - më tha, - nga Dibra”. – Eja, i thashë. Si ta thonë emrin? – Gani Elmas. – Mirë. Ku e ke bileton? Rrëfeja ati që shkruan aty. Tani eja te heqimi të na shëkonjë. – “Po ç’të më shëkonjë, tha, mua , unë s’kam gjë prej gjëje”. – S’ke i thashë, po ashtu namuzi.  Po heqimi s’na qënke atje, dhe prisim. - Pyet, më tha, ku është heqimi. – Pyeta unë dhe më thanë: “Ka punë brenda”. Eja të hyjmë brenda, thotë, ç’punë tjetër na paska? Duro, i thashë, se dhe unë Shqiptar, dhe unë të kulluar e kam gjaknë si ty, po ja tek po pres këtuth. – Mirë, më tha, po nga të kemi z.rinë tënde? – Nga Kolonja, i thashë. - Gëzohem shumë, më tha, dhe vuri njërën dorë në mest, dhe me tjatrën drodhi mustaqezën e rustë, një mustaqe të bukurëz, ngriti ballët përpjetë dhe më shëkonte me një madhëri prej ushtari të vjetër të Romës, dhe me një dashuri e ngashërim të vërtetë, aq sa nisnë dhe i dridheshin buzët dhe lëvezhgat e syvet, si një foshnjëje, që është gati të qanjë. -Po ku vete, më tha? – N’Amerikë. – Dhe menjë copërësh hardhi Arapi, dhe na ftoi të vemë të na shëkonjë heqimi. Unë e nisçë... por ajy me mbajti nga dora e më tha. – “Rri, ku vete? Neve jemi më të shëndoshët e dynjasë”. – “Namuzi, bre vëlla, i thashë! Dhe pampori shkon pas gjysmë saati”. Mirë më tha, të shkojmë, po unë ja qijë tëmën pamporit, një herë u poqmë dhe u gjetmë vëllezër”. – Na pa heqimi, dhe shkova unë se s’më mbetej kohë. Tek hikënj dëgjonj: “Shko me shëndet. Të qoftë udha e mbarë. Te na kujtosh”.
Në tri ditë arrimë në Napoli, të shtunën. Sapo hymë në limant dhe na qerthuan barkaz plot me Napolitanka që këndonin dhe losnin dhe hapnin umbrellat për së prapi, dhe udhëtarët u shpinin grosh dhe gjysmë franga të Misirit. Duallmë në Douanë dhe shkuam në hotelt. Perëndi e lartë. Çfarë qytet, çfarë bukuri, çfarë udhëra dhe sheshe me shadërvane dhe gra dhe çupa, mos më keq o Perëndi. Po mua këto bukurira s’më bëjnë asnjë impresionë, se dhe s’e dimë ku do më dalë puna. Biletën e nxora që këtejza. Anija do të shkonjë më 18 të Majit ora 5 p.d. po unë lipsem të jem atje saati 2, se do na shëkonjë prapë heqimi, dhe le të jemi më të shëndoshët e dynjasë si tha Dibrani. – Perëndia na ruajti nga e keqja. Këtë frikë fitova nga 73 shkallët e Doctor Adamidit. Njëditëz shkuam me tramvaj në Pozillipo, një venth nga më të bukurit e botës. Anës detit, lart Napolit, një udhë që hipën maj bregut. Nga ana e detit poshtë shtëpiza dhe villaz të stolisura, të donatisura  me lule çdo farë ngjyre dhe me pjergulla që thua se po janë të ndërtuara majë detit dhe lart prapë ashtu maj bregut me Napolitanka që kullosin dhi dhe kecër dhe gjithnjë po u qesh buza. Hipmë lart majë bregut dhe që andejza dukej posi panoramë tërë Napoli dhe kundrejt volkan-Vezuvi që tymos gjithmonë. Dhe kur u mejtuashë  atje që munt të mos më lenë të hikënj duke gjetur nonjë cen ndër sytë tim, më ra zali dhe pak mbet të rrogullizëshe tatëpjetë. Zbritmë dhe hymë brënda në Napoli. Dije, shkuam dhe pamë Vezuvinë dhe ja tek po ju dërgonj pak pluhër nga llav’ e tija dhe fletë prej luleve mollësh atje pranë. -Po na e kemi shpresën të madhe - dhe fati i Shqipërisë s’fle.
Të përshëndosh me mall
Fan Noli
P.S. Pas letrës në març një kart-postal, domethënë që më lanë dhe shkova.


Letra 3- Milto Sotir Gurrës

Boston, Mass., 5 janar, 1919
I dashur mik,
I lodhur nga shpirti dhe nga trupi, i plakur përpara kohës, i thyer nga shëndeti, me luftë dje dhe me luftë nesër, me një rrezik të ri përpara posa lashë tjatrin pas, me detyrën e tmerruar të sulem e të udhëheq kur këmbët e rënduara dëshirojnë shtrihje, ndodhem në shituatën e njeriut të torturuar, që përpiqet ta fshehë mjerimin e tij moral dhe fizik dhe shtrëngon dhëmbët me një cfort të fundme nga frika se mos i shpëtonjë ulurimë e përmbytur e dëshpërimit.
Pas kësaj parafjale, tragjike, në e besofshi, melodramatike, në dyshofshi me nënqeshje, merrni vesh përse më rëndohet pena dhe përse kam heshtur. S’kam qënë mirë dhe s’ma ka kënda për asgjë. Me gjithë që më kini kujtuar me katër letra, dhe megjithë që s’gjenja në asnjë çip të zemrës as hien e ndjesës për heshtjen time, prap- e rrëfej me kanu- do të mos ju kisha shkruar, sikur të mos më zbriste papritur një frymësim, në formën dykupësh rakie prej rrushi, të cilat më dhane forcën të mbaronj këtë detyrë të harruar përpara një miku të vjetër. Shishen e çmuar e kam përpara. E vogël për fat të zi, por ka edhe disa kupa brenda, kupë që shtrojnë nervat, që kullojnë gjakun, që shërojnë të sëmurin, që ngjallin të vdekurin. Ma fali sot një besnik zenërdhembshur, pasi mbaroi mesha. Besniku e di që unë s’pi, por ma dha për ilaç. Se i vetëmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qënka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie endërore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej argalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët.
O burrani! Nën flamurin e Shahinit  trimëria më shtohet, bëhem zjarr e shpuzë! Të kam gjetur, or Milto! Më duket sikur të shoh përpara përmes mjegullës diafane,  me të cilën më rrethoi fuqia magjike e ilaçit të vilajetit. Që të kthjellohet koka dhe të më çelen sytë, rrëmbenj kupën e kaltërt, se ashtu këshillojnë theriaklinjt  tanë, të shtruar këmbëkryq, që pinë me njërën dorë dhe ia kërcasin me tjatrën! Dhe tani të humba fare! Po kudo që të jesh mos pandeh se të harrova. Të kam kujtuar këtu e ca ditë në Manchester, ku u poqëm herën e parë. Njëditëzaj shkova ca çaste të lumura dyke kënduar legjendën “Plaku i motshëm”. Po këtu duhet të mbaronj se m’u errë sytë dhe nisi të më dhëmbë koka. U muar vesh që ilaçi i mjekëve tanë me kallca dhe me silah s’bëka për mua. Me gjithë këtë prapë mbaroj një punë, se ja ku të shkrova këtë letër me gjallërinë më fluturake që më dha. Nesër do ta çprovonj edhe një herë kush e di, munt të bëj prapë nonjë çudi. Gjer aherë natën e mirë! Ju falemnderit me gjithë zemër për fjalët e mira që më shkruani dhe përkrahjen besnike që më keni dhënë. Qofshi shëndoshë!
Ju përshëndosh vëllazërisht dhe mbetem Juaji me besë
+ F.S. Noli
Peshkop F.S. Noli

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve