Kryeministri islamo-konservator turk, mbështetës i vendosur i kauzës palestineze, bëri sot një kritikë fshikulluese kundër Izraelit duke krahasuar metodat e tij në ofensivësn kundër Gazës me ato të Adolf Hitlerit.

"Më thoni, cili është ndryshimi mes operacioneve izraelite dhe atyre të nazistëve dhe Hitlerit", theksoi Erdogan gjatë një fjalimi me rastin e fushatës presidenciale në Van.

"Ky është racizëm, fashizëm. Ajo që po bëhet në Gaza rikthehet për të na ringjallur frymën e së keqes dhe perverse të Hitlerit", theksoi Erdogan, i cili gëzon një mbështetje të gjerë për zgjedhjet presidenciale, që për herë të parë do të zhvillohen në votim universal në Turqi, më 10 dhe 24 gusht.

Erdogan, i cili nuk resht së denoncuari me ashpërsi ofensivën e përgjakshme të ndërmarrë nga Izraeli më 8 korrik kundër enklavës palestineze kontrolluar nga lëvizja islamike e Hamasit, rikonfirmoi se operacionet kishin pamjen e një gjenocidi kundër popullit civil palestinez.

Kryeministri turk kritikoi gjithashtu SHBA-në, pa i cituar emrin, për mbrojtjen e operacioneve të ndërmarra nga ushtria izraelite dhe dënoi apatinë e botës myslimane.

"Ata që rrinë të heshtur para kësaj masakre janë gjithashtu çnjerëzore", theksoi Erdogan i cili mbron me fanatizëm kauzën palestineze dhe qeveria e të cilit mban raporte të ngushta me lëvizjen islamike të Hamasit.
Që prej 8 korrikut, më shumë se 1 370 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7 000 të tjerë janë plagosur, sipas shërbimeve lokale të shpëtimit./ATSH/