Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është i gatshëm të takohet me kryeministrin grek Kyrikis Mitsotakis. Një qëndrim ky që vjen pas disa muajsh përplasjesh mbi burimet e energjisë në Mesdheun Lindor dhe fushatën kërkimore të Oruç Reis. Ulja e tensioneve nga ana e Turqisë për fqinjin e tij Greqinë, pason nga vizita e kryeministrit Edi Rama në dy vendet ku dhe pati rolin e negociatorit për bisedime. Edhe kancelarja gjermane Merkel inkurajoi Ramën për rolin në ndërmjetësimin mes Turqisë dhe Greqisë dhe ndërtimin e urave mes Greqisë dhe Turqisë.
Erdogan i tha gazetarëve pas lutjeve të së premtes në Stamboll se ishte ‘pozitiv’ për të marrë në konsideratë një takim më kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, pasi ky i fundit e kishte kërkuar atë. Presidenti turk tha se ministrat e Jashtëm të dy vendeve ishin takuar dhe se bisedimet bilaterale vijojnë.
“Kështu, ne thamë se mund të bëjmë hapin për bisedime mes përfaqësuesve tanë specialë dhe më pas mund të ndodhë edhe takimi mes meje dhe kryeministrit”, tha Erdogan.
Marrëdhëniet mes dy vendeve arritën pikë kulmore gjatë verës për shkak përplasjeve për kufijtë detare dhe të drejtat mbi energjinë, përplasje që për pak sa nuk përfunduan në luftë.
Agjencia shtetërore e lajmeve tha se delegacionet ushtarake nga të dy vendet pritet të rinisin bisedimet teknike javën e ardhshme në selinë e NATO-s, duke cituar burime të sigurisë.
Ndërkohë që më 25 janar palët dy ministrat e jashtëm do të takohen në Stamboll dhe palët do tu rikthehen bisedimeve pas 5 vitesh shkëputje dhe e cila u diskutua se u arrit me ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama.
Me 16 janar ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, do të zhvillojë një takim zyrtar në Turqi. Vizita e ministrit gjerman vjen në një kohë që Turqia dhe Greqia kanë dhënë sinjale për t’u ulur në dialog.
Të hënën, Maas do të takojë homologun e tij turk, Mevlut Çavusoglu, tha zëdhënësi. Turqia dhe Greqia do të vazhdojnë bisedimet e tyre në 25 janar në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre mbi kontrollin në burimet e Hidrokarbureve në Medheun Lindor.
Gjermania është përpjekur të ndërmjetësojë midis dy vendeve, me Maas duke bërë udhëtime në të dy verën e kaluar. Athina akuzon Ankaranë për eksplorimin e rezervave të gazit në territorin detar që i përket Greqisë, sipas ligjit ndërkombëtar, Ankaraja nuk e pranon një akuzë të tillë.
Maas do të takohet me homologun Mevlüt Çavuşoğlu, ky i fundit ka propozuar që të takohet me Dendias në 25 Janar në Stamboll dhe më pas në një takim të dytë në Tiranë pas ftesës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Nga ana tjetër përflitet edhe për një takim Erdogan-Mitsotakis teksa si fillim me të gjitha gjasat do të jenë ministrat e jashtëm që do ulen në dialog këtë janar.