Në njësinë 5 Braçe është një nga tre drejtuesit politik, së bashku me Taulant Ballën dhe Fatmir Xhafën, por në takimin e asamblesë ai nuk qëndroi krah tyre në podium, por ishte ulur mes anëtarëve socialistë.

Në mbledhjen në të cilën ai njoftoi synimin që të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës, ishte dhe Ogerta Manastirliu, e përzgjedhura e kryeministrit dhe kryetarit socialist Edi Rama për kryeqytetin, kur në vjeshtën e vitit të kaluar, ai njoftoi zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Një projekt i cili u bllokua pasi Erion Veliaj kundërshtoi shkarkimin nga Qeveria, në Gjykatën Kushtetuese e cila e rikonfirmoi në postin e kryebashkiakut.

Pas mbledhjes së Asamblesë, mbrëmë vonë Braçe shpërndau një status në rrjetet sociale, ku ai nuk e përmendte ofrimin e kandidaturës së tij për Bashkinë e kryeqytetit, por që fokusohej te diskutimet për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve, te puna dhe angazhimi për të ardhmen, dhe forcimi i Partisë duke u hapur e përfshirë sa më shumë të majtë.

"Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë” tha Brace në mbledhje, duke shkaktuar jo pak habi por edhe duke lënë pa fjalë edhe drejtuesit socialist të qendrës, Taulant Ballën e Fatmir Xhafën",- mësohet të ketë thënë Braçe gjatë mbledhjes së Asamblesë.

Fjalia e fundit “karriget nuk janë kurrë qëllim, puna e punët vlejnë”, duket se ishte një mesazh se në garën e brendshme për kryebashkiak, ai nuk ofrohet për një ofiq, por për të punuar për kryeqytetin.

“Forcimi i PS duke u hapur, pranuar, përfshirë të majtë që duan të zhvillohen e të zhvillojnë idetë e tyre bashkë me PS, ishte një tjetër qëllim i mirë për të cilin folëm e do flasim edhe më tej. Karriget nuk janë kurrë qëllim, puna e punët vlejnë”, shkruan Braçe në një postim në rrjetet sociale, pas Asamblese Socialiste të njësisë 5 ku drejtues politike me te jane edhe Taulant Balla e Fatmir Xhafaj.

Braçe u zhvendos për zgjedhjet e 11 majit nga zona e Divjakës në njësinë nr. 5 në kryeqytet, ku arriti të marrë mbi 23 mijë vota.