Emisioni 'Esencë' në Report Tv premton të sjelle përballë publikut shqiptar ato fakte të cilat njihen, por që fare pak jemi thelluar në to. Fakte që na kanë bërë ne të mendojmë ndryshe, që kanë ndikuar në jetën tonë private dhe publike, ose që nuk i njohim fare.
Fakte që janë folur shumë, por që mbeten ende nën hijen dhe petkun e legjendave të cilat përmes personazheve që jetojnë ende sot mes nesh, mund të shihen edhe me një sy tjetër larg përmasave të fryra. Emisioni Esencë në Report Tv kërkon të tregojë fakte nga një Shqipëri e harruar ku mbizotëron çdo ditë e me shumë për mirë apo për keq e tashmja dhe etja për të ardhmen. Në kohën kur e shkuara ka marrë vlerën e sendeve të hedhura, pikërisht aty nis edhe gjendja e emocioneve tona për të parë më ndryshe nostalgjinë dhe historinë.
Tanini shprehet se: Më shumë se me parë, sot në Shqipëri ka një vëmendje të thekur për të vëzhguar tej nga e shkuara, për të lexuar më tepër nga historia e saktë, me faktet dhe mitet e saja. E mirë ose e keqe nostalgjia jonë, rëndësi ka që për të duhet të flitet pastër, ku emocionet dhe gjendjet njerëzore të shprehen hapur, thotë Eljan Tanini drejtues dhe gazetar i emisionit Esencë në Report Tv.
Po sipas Eljan Taninit, sot është e vështirë të gjesh personazhe dhe histori që e kanë jetuar të shkuarën e përbashkët ashtu siç ne duam ta dëgjojmë. Kjo sepse personazhet ose nuk jetojnë, ose nuk duan te flasin, apo kanë vendosur të heshtin përgjithmonë. Kjo do të jetë një sfidë më vete, të shfaqim në ekranin e Report Tv këto histori të vështira, shprehet ai.