Dom Ndoc Suma dhe Dom Luigj Penushi janë dy martirët e lumnuar nga Vatikani, të cilët do të prehen përjetësisht në tokën e Zadrimes në Lezhë, zonë të cilës ata i përkasin.

Eshtrat e dy të lumnuarve janë sjellë në “Kishën e Martirëve” në Blinisht, ndërsa në nderim të tyre është zhvilluar dhe mesha e shenjtë, e cila u drejtua nga kardinal Ernest Troshani.

Edhe një tjetër i lumnuar nga Vatikani, At Daniel Dajani, është nga zona e Zadrimës, ndërsa lumnuari At Gjovani Fausti nga Italia, ushtroi sherbesën e tij në këtë zonë.
 
Familjarë të të lumnuarve si dhe qindra besimtarë ishin të pranishëm në ceremoni. Sendet personale që u përkisnin 3 prej 38 të lumnuarve të kishës katolike i janë dorëzuar kardinal Ernest Troshanit nga ata që i ruajtën për vite të tëra.

Ato u prinë nga motër Maria Karleta, një nga të paktet klerike që i mbijetoi regjimit komunist. Krijuesi i jetës do të jetë sërish me ne edhe në shekujt e ardhshëm, tha për besimtarët kardinal Ernest Troshani, duke iu referuar pikërisht lumturimit të 38 martirëve të kishës shqiptare.
 
Shenjterimi i martirëve, 3 prej të cilëve i përkasin Zadrimes vlerësohet si një ngjarje e madhe nga besimtarët, për të cilët Zadrima mbetet një tokë shenjtoresh që u flijuan për fe dhe atdhe.

‘’Zadrima është me shumë fat për këtë ngjarje tepër të shënjuar, për të dalë në pah si herë të tjera edhe më njerëz të mëdhenj si këta. Por këta janë njerëzit më të mëdhenj të këtij vendi’’, u shpeh një besimtar.
 
‘’Dëshmia dhe jeta e tyre do të vlejë shumë për vendin. Çdo sakrificë e tyre shpresoj që të shërbejë për të përmisuar opinionet dhe dashamirësinë e njerëzve’’ u shpreh një tjetër besimtare.  
 
Zadrima e Lezhës pritet të kthehet një vend pelegrinazhi.

[gallery]19531[/gallery]

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com