Ethet e zgjedhjes së kandidatëve

Ethet e zgjedhjes së kandidatëve
Kush do të jetë kandidat në zgjedhjet lokale? Kjo është pyetja, që po mundon kryebashkiakët aktualë të PS, ata të PD, por, më së shumti, drejtuesit e tri partive kryesore: PD, LSI dhe PS. Heshtja që ka rënë në këtë proces po ndodh për arsye te ndryshme për mazhorancën dhe për opozitën.
 
Negociatat për ndarjen territoriale
 
Në PD nuk flitet zyrtarisht për kandidatët, si një strategji presioni ndaj mazhorancës për ndarjen e re territoriale. Zyrtarë të lartë të PD-së përmendin vazhdimisht se nuk mund të hyhet në zgjedhje me këtë ndarje dhe se do të vazhdojnë të gjitha përpjekjet për ndryshimin e saj, edhe me protesta, po të jetë nevoja. Kjo është deklarata, që bëri pak ditë më parë në Vlorë, sekretarja për marrdhëniet me publikun Grida Duma. Zyrtarja e PD, edhe pse bëri një deklarim kërcënues për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve, i shtoi në fakt argumenta zërave se ka një negociatë nën rrogoz për gjetjen e një konsensusi për ndarjen territoriale. Negociatat synojnë ndryshimet e duhura në hartë, në mënyrë që PD të mos e kundërshtojë më këtë ndarje.

A do të çojë kjo në rritjen e njësive vendore apo në zhdukjen e disave, kjo nuk dihet, por e sigurt është se, edhe pas votimit të ligjit, mazhoranca nuk është aq e ngurtë në lidhje me ndarjen. Edhe para votimit, u arrit që, me anë të bisedimeve të fshehta, të krijoheshin disa njësi vendore, që kënaqën kërkesat e PBDNJ dhe PDIU. Ndërsa aktualisht thuhet se janë duke u negociuar kërkesat e PD.

Cilat bashki të reja do të krijohen? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të dalë shumë shpejt; mbase në mars, ose në fillim të muajit prill, ndarja e re territoriale do të bëhet edhe më e re, me ndryshimet, që do të votohen me konsensus në Kuvend.

Në këtë rrugë e kanë futur dialogun politik ndërmjetësit ndërkombëtarë. Ata arritën të sigurojnë një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për çështje, që PD paraqiti zyrtarisht muaj më parë, ndërkohë që pak u fol për problemin më të madh politik: mundësinë e dështimit të zgjedhjeve lokale. Kjo heshtje është për t’iu mbrojtur rrëmujës, që mund të krijojnë të zgjedhurit aktualë lokalë.
PD diskutoi pardje, në mbledhjen e grupit parlamentar të saj, organizimin e protestave për çështjet ekonomike, përfshi edhe çmimin e naftës, por jo për ndarjen e re territoriale.
 
Rrëmuja e të majtëve
 
Negociatat vazhdojnë, por - jo për këtë arsye - ka heshtje në kampin tjetër, atë të mazhorancës. PS e LSI janë ende në negocime në nivelet e larta për çështjen e ndarjes në parim të njësive vendore. Ku do të kandidojë PS dhe cilat njësi do t’i mbështesë LSI? Ndarja e pushtetit në qeveri, në një përqindje shumë të lartë, sugjeron që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me bashkitë. LSI në zgjedhjet e qershorit do të ketë mbështetjen e PS edhe në bashkitë e mëdha. Diskutimi është ende në këtë nivel, ndërsa ankthi i të zgjedhurve aktualë është shumë i madh.

Në 2011-ën fitorja dërmuese e kandidatëve të PS në zgjedhje ishte pika e kthimit, që çoi më pas në fitoren e të majtëve më 2013. Por fituesit e 2011-ës në shumicë do ta shohin vetën humbës, e kjo jo pa kosto për mazhorancën, e cila është në një dare, mes synimeve të mëdha të Ramës për të vendosur emra të rinj, siç ai i dëshiron, dhe ngulmimit të fortë të kryebashkiakëve për të konkuruar.

Nuk është aspak e çuditshme që, javët e fundit, në rrugët e lokalet e Tiranës shikon me shumicë kryetarë të bashkive të majta, që vijnë vërdallë Kryeministrisë për të takuar Ramën. Ata synojnë që të marrin prej tij premtimin e kandidimit. Por, deri më tani, Rama e ka deklaruar publikisht rikandidimin vetëm për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, ndërsa thuhet se i ka dhënë fjalën në tavolinë kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Bashkitë ku duket se ka më shumë tension për kandidimin janë ato të Shkodrës dhe Korçës. Për shkak të numrit shumë të madh të votave të LSI-së, por edhe të një balance delikate mes PS dhe PD, lufta është bërë pothuajse tripalëshe. Publikimi i emrit të një deputeti të LSI-së si debitor për energjinë elektrike në Bashkinë e Korçës u komentua në këtë qytet si goditje “poshtë brezit” nga PS, kundër një emri të mundshëm si kandidat nga LSI. Në Bashkinë e Shkodrës situata është më e ndërlikuar, për shkak të rënies së interesit të Ramës ndaj disa faktorëve politike në Qark, për shkak të aleancës me LSI, që po sjell një përçarje mes vetë PS-së. Zgjidhja e vetme atje është që kandidatja apo kandidati i përbashkët mes PS e LSI të marrë mbështetjen direkte të Ramës e Metës njëkohësisht.

Jo rastësisht, e gjithë kjo po ndodh në një moment kur diskutohet edhe hartimi i një akti për dekriminalizimin e Kuvendit. Ndërsa LSI është duke përcaktuar me kujdes, në nivelet e larta drejtuese, emrat e kandidatëve të mundshëm, dhe ata po punojnë në funksion të zgjedhjeve, PS është ende në rrëmujë e sipër.

Më optimistët thonë se emrat e kandidatëve do të ndryshojnë edhe në minutën e fundit, para mesnatës së ditës kur përfundon afati i regjistrimit të kandidatëve të KQZ. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe eksperienca ka treguar se pakkush e ka patur të sigurt kandidimin, edhe kur, më herët, ka marrë mbështetjen e Ramës…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore