/ATSH-DPA/ - Mali i Zi reagoi i turpëruar për ndeshjen e djeshme të vlefshme për Euro 2016 kundër Rusisë, që u ndërpre pas disa incidenteve, megjithatë dhuna nuk është asgjë e re në fushat sportive të vendit të vogël ballkanik.
"Turp, turp!", shkruante sot në kryetitull gazeta më e shitur malazeze "Vijesti".
Takimi i djeshëm në Podgoricë u ndërpre për 34 minuta kur një raketë ndriçuese goditi portierin Igor Akinfejev, më pak se një minutë pas fillimit të ndeshjes, çka solli dërgimin e tij në spital.
Në ndërkohë, ndeshja e ndërpre përfundimisht, në rezultatin 0-0, në minutën e 67-të, pasi një tjetër lojtar rus, mesfushori Dmitri Kombarov, u godit nga një objekt i hedhur nga shkallët e stadiumit.
Lojtarët dhe tifozët sërish u zunë me njëri-tjetrin duke i dhënë një pamje të shëmtuar takimit.
"Huliganët janë mes nesh... por qeveria nuk po bën asgjë për t'i ndaluar ata, ndoshta sepse ata kënduan 'Unë e dashuroj Malin e Zi", shkruan në një editorial "Vijesti".
Televizioni shtetëror malazez, TV RTCG citoi sekretarin e përgjithshëm të Federatës Malazeze të Futbollit, Momir Gjurgjevac të ketë thënë se "ne nuk meritojmë një ekip kombëtar".
"Kjo është një katastrofë dhe humbje nderi. Ata kënduan 'Unë e dashuroj Malin e Zi', por bënë gjithçka për ta pështyrë atë", theksoi Gjurgjevac.
Dhuna e tifozëve nuk është gjë e re në Malin e Zi, një vend me 620 000 banorë.
Javën e kaluar, gjatë një ndeshjeje të ligës rajonale të basketbollit në Podgoricë, tifozët hodhën veshka kafshësh drejt trajnerit të Partizanit të Beogradit, Dushan Vujosheviç, pasi ai vuan nga një sëmundje veshkash.
Portierët e Polonisë dhe të Anglisë janë goditur me raketa ndriçuese dhe me letra higjienike gjatë ndeshjeve të tyre në Podgoricë.
Në tetor të vitit 2013, qindra tifozë futbolli u përleshën me policinë në rrugët e Podgoricës për të ndaluar një manifestim homoseksualësh.