Grupi i të Majtëve në Parlamentin Evropian kërkon përgjysmimin e pagave të eurodeputetëve, duke argumentuar se përfaqësuesit e zgjedhur janë shkëputur gjithnjë e më shumë nga realiteti i qytetarëve që përballen me rritjen e kostos së jetesës.

Propozimi është paraqitur nga eurodeputeti belg Marc Botenga dhe parashikon uljen e pagës bazë neto mujore të eurodeputetëve nga 8,772.70 euro në rreth 4,400 euro. Nisma është pjesë e një amendamenti për buxhetin e Parlamentit Evropian për vitin e ardhshëm dhe pritet të hidhet në votim gjatë seancës plenare në Strasburg pas dy javësh.

“Eurodeputetët janë shumë të shkëputur nga njerëzit. Me pagën që marrin, ata nuk e dinë çfarë do të thotë të mos jesh në gjendje të paguash qiranë”, tha Botenga për Euronews.

Sipas Grupit të të Majtëve, përgjysmimi i pagave do t'i kursente më shumë se 50 milionë euro buxhetit të Parlamentit Evropian gjatë vitit të ardhshëm.

“Në një kohë kur punëtorët përballen me rritjen e kostove dhe presion mbi standardin e jetesës, përfaqësuesit e zgjedhur duhet të japin shembull dhe të ndajnë përpjekjet që kërkohen nga e gjithë shoqëria”, thuhet në amendament.

Megjithatë, propozimi ka hasur kundërshtime nga grupet e tjera politike në Parlamentin Evropian.

Eurodeputeti estonez Jaak Madison, nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, e quajti nismën një “rast klasik populizmi”.

“Nëse eurodeputetët e së majtës duan të tregojnë solidaritet të vërtetë me votuesit, mund të heqin dorë nga nënshkrimi në regjistrin e pjesëmarrjes që u jep një dietë ditore prej më shumë se 350 eurosh”, tha ai.

Edhe eurodeputeti gjerman Daniel Freund, nga grupi i të Gjelbërve, e cilësoi propozimin një “marifet populist”, duke argumentuar se sistemi aktual i pagave është i lidhur me zhvillimin e pagave në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Botenga pranoi se një propozim i ngjashëm ishte rrëzuar më herët në Komisionin për Çështjet Ekonomike dhe Monetare dhe se edhe kjo nismë ka gjasa të mos marrë mbështetjen e shumicës.

Aktualisht, përveç pagës bazë neto prej 8,772.70 eurosh në muaj, eurodeputetët përfitojnë edhe një kompensim mujor prej 4,950 eurosh për shpenzime të përgjithshme. Ata marrin gjithashtu një dietë ditore prej 359 eurosh për çdo ditë pune në Bruksel ose Strasburg, për akomodimin, ushqimin dhe shpenzime të tjera. Në total, të ardhurat mujore mund të arrijnë deri në rreth 18 mijë euro, në varësi të kalendarit të punës së Parlamentit.

Përveç pagave dhe kompensimeve, eurodeputetët kanë në dispozicion më shumë se 32 mijë euro në muaj për të mbuluar shpenzimet e stafit të tyre parlamentar. Pas përfundimit të mandatit, ata përfitojnë edhe pension nga mosha 63-vjeçare, në bazë të viteve të shërbimit në Parlamentin Evropian