Mbi 100 mijë njerëz u detyruan vetëm të premten të largohen nga shtëpitë ose të qëndrojnë të izoluar, ndërsa zjarret vazhduan të përhapen me shpejtësi në Spanjë dhe Francë. Të dy vendet kërkuan ndihmën e Bashkimit Europian, pasi erërat e forta, temperaturat e larta deri në 44 gradë dhe thatësira po favorizojnë përhapjen e flakëve apokaliptike
Situata më e rëndë në Francë është në jugperëndim të vendit. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez tha se numri i të evakuuarve që nga fillimi i zjarreve ka arritur në 110 mijë.
Vetëm nga gadishulli Cap Ferret, në bregdetin e Atlantikut pranë Bordosë, janë larguar rreth 44 mijë banorë dhe turistë, pasi rruga e vetme e daljes u kërcënua nga flakët. Qindra persona u evakuuan me 27 anije, ndërsa të tjerë u larguan me automjete. Deri tani janë shkatërruar më shumë se 50 shtëpi.
Në rajonin Landes, 23 mijë persona janë urdhëruar të largohen nga banesat dhe kampingjet, ndërsa 8 mijë të tjerë morën urdhër evakuimi të premten. Rreth 1 mijë zjarrfikës po luftojnë me flakët në Cap Ferret dhe 40 prej tyre kanë mbetur të plagosur. Kryeministri Sebastien Lecornu ka thirrur një mbledhje krize me ministrat përgjegjës për situatën.
Në Spanjë, zjarret pranë Madridit vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Shefi i emergjencave të rajonit, Carlos Novillo, tha se zjarri ka arritur kulmin dhe është përtej kapaciteteve të zjarrfikësve për t'u vënë nën kontroll.
Rreth 40 mijë persona në rajonin e Madridit janë urdhëruar që nga e mërkura të evakuohen ose të qëndrojnë të izoluar në banesa, ndërsa autoritetet paralajmëruan se mund të ketë evakuime të tjera. Dy nga tre zjarret e mëdha në perëndim të kryeqytetit janë bashkuar dhe po lëvizin drejt qytetit Navas del Rey.
Presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, tha se këto janë zjarret më të rënda në historinë e rajonit dhe njoftoi evakuimin e më shumë se 430 të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara nga pesë qendra kujdesi. Kryeministri Pedro Sanchez do të vizitojë të shtunën qendrën e koordinimit të emergjencave dhe tha se Spanja po kalon një situatë dramatike që po prek edhe rajonet fqinje.
Pas kërkesave për ndihmë, Komisioni Europian njoftoi se do të dërgojë katër avionë zjarrfikës në Spanjë dhe tre në Francë.
Edhe Italia vazhdon të përballet me një situatë të vështirë. Rreth 6 mijë zjarrfikës, roje pyjore dhe punonjës të mbrojtjes civile janë angazhuar në Siçili, ku autoritetet rajonale thonë se vatrat më kritike ndodhen në Casaboli, Bivona, Alimena, San Cataldo, Galati Mamertino, në disa pjesë të Parkut Natyror Rajonal Madonie dhe në zonën e Sirakuzës.
Gjatë kësaj jave humbi jetën edhe zjarrfikësi Alessandro Marchi, ndërsa po luftonte me flakët në San Cataldo. Kryeministrja Giorgia Meloni tha se ishte "thellësisht e pikëlluar" për humbjen e tij.
"Ai humbi jetën duke luftuar një zjarr të madh në San Cataldo, duke kryer detyrën deri në fund me guxim, përkushtim dhe një ndjenjë të jashtëzakonshme përgjegjësie", shkroi Meloni.
Sipas grupit Ëorld Weather Attribution, thatësira e lidhur me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor ka rritur rrezikun e zjarreve këtë vit. Disa rajone të Europës kanë përjetuar të paktën dy valë të nxehti që nga muaji maj.
254.388 hektarë të djegur në Bashkimin Europian që nga fillimi i vitit
Spanja është goditur nga një seri zjarresh javët e fundit. Vatra më e madhe aktive ndodhet në provincën Guadalajara, rreth 100 kilometra në veri të Madridit, ku gjatë javës së fundit janë djegur rreth 32 mijë hektarë. Në Francë, zjarret në Cap Ferret dhe pranë Biscarosse kanë djegur mbi 13.500 hektarë, ndërsa në rajonin e Madridit janë shkrumbuar rreth 6 mijë hektarë.
Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), që nga fillimi i vitit. Kzjarret kanë djegur 254.388 hektarë në Bashkimin Europian. Kjo sipërfaqe është mbi mesataren afatgjatë, por mbetet më e ulët se 270.449 hektarët e djegur në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Komente









