Vala e të nxehtit që ka kapur evropën është shtrirë nga Italia deri në Ukrainë. Në itali në 25 qytete u dha alarm i kuq ndërsa autoritetet janë duke pritur edhe stuhi shiu në disa rajone.
Pas ditëve të ferrit në Evropën Qendrore dhe Perëndimore tashmë i nxehti ekstrem është zhvendosur në lindje. Reuters veçon vendet e Ballkanit përshirë edhe Shqipërinë të cilat presin të regjistrojnë temperaturë deri në 40 gradë.
Në Kroaci, shërbimi meteorologjik shpalli të hënën një alarm të kuq për disa rajone, përfshirë kryeqytetin Zagreb dhe destinacionet turistike Split dhe Dubrovnik. Dhjetëra zjarrfikës, luftuan një zjarr të madh rreth 55 km në jugperëndim të Splitit.
Në Serbi, Shërbimi Shtetëror Hidrometeorologjik paralajmëroi se temperaturat do të arrinin deri në 39 gradë Celsius. Reuters evidenton në Shqipëri, një zjarr që u vu nën kontroll pranë fshatit jugor Klos gjatë fundjavës.
Vala e të nxehtit, e cila filloi më 20 qershor, ka vendosur rekorde për fillimin e verës dhe kushtet ekstreme kanë ndërprerë prodhimin e energjisë, kanë dëmtuar infrastrukturën dhe kanë mbingarkuar sistemet shëndetësore.
Në Hungari banorët e Budapestit u panë të kërkonin shpëtim nga një valë rekord e të nxehtit, e cila të hënën i rriti temperaturat deri në 38 gradë Celsius.
Vala përvëluese arriti edhe në Ukrainën e përfshirë nga lufta. Në Kiev banorët e pamësuar me temperatura të larta, termometri arriti në 34 gradë, e cilësua si tejet e lartë duke marrë parasysh karakteristikat klimatike të vendit.
Sipas Reuters, vala e të nxehtit pritej të vazhdonte edhe për disa ditë në Evropën Qendrore dhe Lindore, me temperatura 8–10 gradë Celsius mbi mesataren.
Dhe se çdo lehtësim në pjesën perëndimore të Evropës pritej të ishte i përkohshëm.
Luca Mercalli, presidenti i Shoqatës Meteorologjike të Italisë, tha se temperaturat do të rriteshin sërish duke filluar nga 5 ose 6 korriku. Sipas tij sipërfaqet e prekura pritet të jenë të njëjta si në valën e parë, përfshirë Francën, Spanjën, Gjermaninë, Italinë, Zvicrën dhe deri diku Britaninë.
Komente






