Zjarret kanë përfshirë një pjesë të madhe të Europës, duke detyruar mijëra banorë dhe turistë të largohen nga shtëpitë dhe resortet bregdetare. Situata më e rëndë u regjistrua në Kroaci, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një zonë turistike gjatë natës, plagosi 40 persona dhe detyroi rreth 1.200 të tjerë të evakuohen.
Sipas autoriteteve kroate, flakët përfshinë shtëpi dhe pyje në një sipërfaqe prej më shumë se 1.000 hektarësh pranë qytetit bregdetar të Omišit, në bregdetin dalmat. Zjarri ndriçoi qiellin e natës me ngjyrë të kuqe dhe la pas dëme të mëdha materiale.
"Zjarri shkatërroi gjithçka që gjeti përpara. Dëmet materiale janë shumë të mëdha", tha komandanti i zjarrfikësve, Slavko Tucakoviç. Sipas tij, deri të premten në mëngjes situata ishte qetësuar dhe nuk kishte më vatra me flakë të hapura.
Shërbimet shëndetësore njoftuan se 40 persona morën ndihmë mjekësore, ndërsa shtatë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Edhe Greqia u përball me një situatë të vështirë. Në qytetin bregdetar Siviri, në Halkidiki, më shumë se 300 persona u evakuuan me gomone dhe mjete të tjera lundruese, ndërsa zjarri përparonte në pyll pranë zonës turistike. Pushues dhe banorë, disa me maska në fytyrë dhe me fëmijët apo kafshët shtëpiake në krahë, u larguan drejt detit për t'i shpëtuar flakëve.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan mbi 140 zjarrfikës, nëntë avionë, shtatë helikopterë, si dhe mjete peshkimi që ndihmuan në evakuimin e banorëve.
Në Francë, autoritetet evakuuan 525 persona nga fshati Luglon, në rajonin Landes, pas shpërthimit të një zjarri të ri pranë zonave të goditura edhe më herët këtë verë.
Ndërkohë në Spanjë, autoritetet zhvendosën eshtrat e tre mbretërve të Aragonës të shekullit XI nga një manastir i kërcënuar nga flakët.
Edhe Anglia u përball me një zjarr të madh në një zonë me bar të thatë, i cili u përhap deri te banesat.
Shërbimi Europian për Ndryshimet Klimatike Copernicus paralajmëroi se deri më 19 gusht kushte "shumë ekstreme" për zjarret do të mbizotërojnë në pjesë të mëdha të Europës Qendrore dhe Lindore, si edhe në jug të Britanisë, Irlandë, veri të Francës dhe jug të Suedisë.
Ndërkohë, në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 2.000 persona u larguan nga shtëpitë e tyre pasi një zjarr në pyllin Hürtgen iu afrua fshatit Gey. Operacionet e shuarjes u vështirësuan edhe nga municionet e pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa ushtria gjermane po ndihmon me tanke dhe helikopterë.
Sipas të dhënave të Reuters Climate Monitor, temperatura mesatare maksimale në Europën Perëndimore të premten pritej të arrinte në 31.2 gradë Celsius, rreth 8 gradë mbi mesataren e periudhës 1961-1990. Në shkallë europiane, temperatura mesatare ishte 1.6 gradë mbi normalen shumëvjeçare.
Vala e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve po godasin edhe bujqësinë. Në Francë, shoqata e prodhuesve AGPM paralajmëroi se prodhimi i misrit pritet të bjerë në nivelin më të ulët që nga vitet 1970, si pasojë e thatësirës dhe temperaturave të larta.












Komente
Komento