Europë, mos u nda nga Amerika!

Europë, mos u nda nga Amerika!

Ministrja e jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock bëri një vizitë zyrtare në Kinë javën e shkuar. Vizita e saj pasoi menjëherë vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në atë vend në fillim të këtij muaj. Dhe jo rastësisht, por për t’u dhënë vendeve të BE-së, Pekinit dhe Uashingtonit një mesazh krejt tjetër nga ai i presidentit Macron.

Kancelari Scholz në Kinë (mars 2022)

Një vit më parë (mars 2022), kancelari gjerman Olaf Scholz u bë i pari lider perëndimor që vizitoi Pekinin pas pandemisë COVID-19 dhe vetëm pak javë pas agresionit rus në Ukrainë. Vizita e tij, e cila zgjati vetëm 11 orë, më e shkurtra vizitë e një kancelari gjerman në Kinë, u kritikua nga disa qeveri, media dhe personalitete në vendet e BE-së si një përpjekje për të venë interesat tregtare dhe ato të biznesit gjerman mbi interesat e politike të Bashkimit Europian.

Për shkak të toneve agresive në rritje të Pekinit për të marë Taivanin, pati nga ata që e konsideruan atë vizitë si “vizitën më kundërthënëse në 50 vitet e fundit”. Vetë Scholz e justifikoi vizitën e tij në Pekin me argumentin se, në kushtet kur “business as usual is no longer an option”, duhen gjetur mënyra të reja për të zhvilluar marrëdhënie me një Kinë të ndryshuar në një botë që po ndryshon.

Edhe pse kancelari Scholz theksoi në atë kohë se agresioni rus në Ukrainë dhe kërcënimet e presidentit Putin për përdorimin e armëve bërthamore “e kanë vënë brutalisht në rrezik paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ai u bë zëdhënës i pikëpamjes kaq shumë të preferuar për Pekinin dhe Moskën (dhe kaq të papranueshme në Uashington) se, “në një botë shumëpolare, si kjo e sotmja, po krijohen qendra të reja fuqie dhe qëllimi ynë është që të vendosim e të zgjerojmë partneritete me to gjitha ato”.

Ajo vizitë e liderit të fuqisë më të madhe ekonomike të BE-së në Kinë la të kuptohet se kancelari Scholz fliste jo vetëm në emër të Gjermanisë, por edhe në emër të të gjithë Europës. Siç u shpreh ai vetë, marrëdhëniet kino-gjermane duhet të zhvillohen në mënyrë që të shkojnë përpara edhe marrëdhëniet kino-europiane, pasi “politika gjermane ndaj Kinës mund të ketë sukses vetëm nëse ajo bëhet një me politikën europiane ndaj Kinës”.

Presidenti Macron në Kinë (prill 2023)

Një vit pas vizitës së kancelarit gjerman në Kinë, vizita e presidentit francez në atë vend në fillim të këtij muaji provokoi një debat edhe më të madh dhe ngriti shumë vetulla në Europë dhe në Ushington.

Është krejt normale që Franca të kërkojë të zhvillojë një diplomaci aktive dhe të luajë një rol më të madh në debatin mbi shumë çështje të paqes e të sigurisë globale dhe në zgjidhjen e tyre. Në fund të fundit, Franca është fuqia e shtatë më e madhe ekonomike e globit, e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Europian pas largimit prej tij të Britanisë së Madhe dhe një prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Franca ka një ushtri të madhe, baza ushtarake dhe territore që shtrihen nga Karaibet në Oqeanin Paqësor, si dhe rrjetin dipomatik të tretë më të madh në botë me 264 ambasada dhe misione, pas Kinës (275 të tilla) dhe Shteteve të Bashkuara (267).

Nën presidentin Macron, Franca duket se sërish nuk është e kënaqur me statusin e saj si një fuqi e mesme (middle power) mes “gjigandëve” të botës dhe kërkon të zërë të njëjtin vend si fuqitë e tjera të mëdha në tryezën diplomatike. Ai ka një “teori” të vetën mbi stadin e sotëm të zhvillimit global dhe synon realizimin e saj. Macron flet për grand bouleversment (trazira të mëdha), me çka ai nënkupton fundin e rendit njëpolar, të atij sistemi global të dominuar nga Amerika që u krijua pas Luftës së Ftohtë dhe zëvendësimin e tij me një sistem shumëpolar. Sipas tij, qëndrimi më i mirë që mund të mbajnë Franca dhe Europa ndaj një ndryshimi të tillë stukruror do të ishte “sovraniteti” dhe një “multilaterizëm efektiv”. Macron beson se pa një ambicje për rayonnement (influencë) në botë, Franca nuk do të ishte vetvetja.

Por a mundet Franca të luajë atë rol që pretendon dhe synon në kushtet e sotme, ose në një botë të së nesërmes, apo ky është thjesht një deluzion?

Atyre që mund të duan një përgjigje të shpejtë për këtë pyetje, u kujtoj takimin e presidentit Macron me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, më 8 shkurt 2022, vetëm 12 ditë para se Rusia të niste agresionin e saj ndaj Ukrainës. Macron jo vetëm nuk mundi të ndikonte te Putini, por për më shumë se pesë orë bisedime me presidentin rus qëndroi përballë tij, në mënyrë shumë poshtëruese, në një tryezë të gjatë sa një kontenier mallrash.

Edhe pse Putini i premtoi presidentit Macron, siç pohoi vetë ky i fundit pas atij takimi, se Rusia “nuk do të bëhej shkak për përshkallëzimin” e konfliktit me Ukrainën, dy javë më vonë tanket ruse hynë në Ukrainë duke provokuar konfliktin më të madh të armatosur në Europë qysh nga Lufta e Dytë Botërore dhe duke dëshmuar kotësinë e përpjekjes së Francës për të ndërmjetësuar si një aktor i rëndësishëm global.

C’est la vie!

Ëndrra e Francës për t’u bërë sërish një fuqi e madhe globale në rendin e ri botëror që u krijua pas Luftës së Dytë Botëror nuk është e re. Kjo ëndërr mori formë në kredon goliste “Indépendance, puissance, grandeur et mission universelle”, por nuk u bë kurrë realitet. Sot, kjo kredo s; është veçse një footnote në historinë e doktrinave politike të shekullit të 20-të. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lidershipin shpirtëror të Francës në vendet e “Botës së Tretë” pasi ajo humbi kolonitë e saj të dikurshme, ose mbi synimin e saj për t’u bërë lideri politik i Europës së bashkuar nga krijimi i saj.

Franca, siç e di kushdo, doli e shkatërruar dhe e poshtëruar nga Lufta e Dytë Botërore, edhe pse në krahun e fuqive fituese. Ajo nuk u ftua në Konferencën e Jaltës bashkë me tri fuqitë e tjera të mëdha triumfuese në atë luftë—Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe Britaninë e Madhe. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Franca gjithnjë e ruajti solidaritetin e saj me Perëndimin sa herë që krijohej një situatë krize në sistemin dypolar, ndërsa siguria e saj kombëtare ka qenë e garantuar nga ombrella mbrojtëse amerikane. E rimëkëmbur nga Lufta e Dytë me dollarët amerikanë dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Franca arriti të bëhej përsëri një fuqi e madhe, ose, të paktën, ka ushqyer iluzionin se ajo mbeti dhe vazhdon të jetë një fuqi e tillë.

Dihen, gjithashtu, rrethanat historike që i rikthyen Francës statusin dhe prestigjin e një fuqie të madhe. Këto rrethan ishin kryesisht tre:

Së pari, pushtimi sovjetik i Europës Lindore dhe Qendrore dhe ndarja e Gjermanisë në dy shtete të veçanta. Këto dy ngjarje i dhanë Francës (edhe pse ajo nuk ishte ndër negociatorët e rendit të ri botëror në Jaltë), një superioritet politik dhe diplomatik të qëndrueshëm ndaj Republikës Federale Gjermane dhe një influencë mefistofeliane mbi atë vend, i cili, pas Luftës, nuk u lejua të luante asnjë rol të rëndësishëm në politikën dhe në diplomacinë botërore. Parisi u njoh si një ndër katër fuqitë triumfuese në Luftën e Dytë Botërore me të drejta statutore në të gjithë Gjermaninë dhe në “Berlinin si të tërë”, të drejta këto, të cilat iu konfirmuan Francës edhe me marrëveshjen katërpalëshe të vitit 1971.

Së dyti, vendi permanent që iu dha Francës në Këshillin e Sigurisë të OKB-së qysh nga krijimi i atij këshilli.

Së treti, arsenali bërthamor parandalues që Francës iu lejua të zotërojë, çka do të shërbente për të ndërtuar, të paktën në teori, një politikë mbrojtëse të pavarur dhe një doktrinë ushtarake tërësisht franceze.

Në ditët tona, të gjitha këto rrethana e pretendime që kanë mbajtur në këmbë iluzionin e Francës si një fuqi e madhe e globit nuk qëndrojnë më. Jalta është tashmë një histori e vjetër. Perandoria sovjetike është shembur. Gjermania është ribashkuar. Europa gjithashtu është bashkuar.

Avantazhet politike dhe diplomatike të Francës në krahasim me Gjermaninë nuk janë më ato të dikurshmet, me përjashtim të vendit që ajo vazhdon të mbajë si anëtare e përherëshme e Këshillit të Sigurisë. Sidoqoftë, edhe këtë privilegj ndaj Gjermanisë Franca mund të mos e ketë edhe për shumë kohë, nëse Gjermania, ashtu si dhe Japonia, India, Brazili dhe, ndoshta, Afrika e Jugut, në një botë shumë të ndryshme nga ajo e janarit 1946, kur u krijua Këshilli i Sigurisë i OKB-së, do të kërkojnë të bëhen anëtare të përhershme të atij këshilli.

Ekonomikisht, Franca renditet sot e shtata në botë (mbi Italinë, Kanadanë dhe Korenë e Jugut), ndërsa arsenali bërthamor i saj nuk mund të thuhet më se përfaqëson simbolin vendimtar të statusit të një fuqie të madhe në një botë, në të cilën shumë shtete (ndër të tjera edhe Izraeli, India, Pakistani, Korea e Veriut) posedojnë armë bërthamore.

Përfytyroni se si mund të ndihen francezët sot. Një shekull më parë, ata humbën superioritetin e tyre strategjik ndaj Gjermanisë, e cila i mundi në luftë dhe i pushtoi dy herë. Po në atë kohë, ata humbën superioritetin e tyre ndaj Amerikës, e cila, gjatë shekullit të kaluar u erdhi dy herë në ndihmë, duke i çliruar francezët nga çizmja gjermane dhe duke i ndihmuar ata të rimëkëmbeshin dhe të zhvillonin ekonominë e tyre kombëtare.

Në vitet 1950 dhe 1960 francezët humbën një perandori të mëdhe. Pas ribashkimit të Gjermanisë më 1990 ata humbën edhe pozitën e tyre dominuese në Komunitetin Europian. Megjithatë, francezët vazhdonin të ndiheshin “superiorë” për shkak të gjuhës frënge dhe të kulturës së “lartë” franceze. Sot, edhe këta faktorë nuk i japin më Francës “madhështinë” e dikurshme: frëngjishtja nuk është më një gjuhë e përbotshme dhe kultura franceze nuk është më kultura elitare e njerëzimit. Anglishtja ka kohë që ka zënë vendin e frëngjishtes si lingua franca e diplomacisë, e kulturës, e tregtisë, e teknologjisë, e artit, e sportit dhe është bërë, në një kuptim real të fjalës, gjuha universale e Internetit. Njerëzimi sot flet, dëgjon, mendon, lexon, sheh, krijon, komunikon në gjuhën e fuqisë më të madhe të botës—Amerikës. C’est la vie!

Në rrethana të tilla tingëllojnë krejtësisht jashtë realitetit fjalët e një ish-ministri të jashtëm francez, Hubert Vedrine, cili, duke shprehur antagonizmin e qeverisë së tij ndaj hegjemonisë amerikane, më 1999 thoshte: “Ne nuk mund t’i pranojmë as një botë njëpolare, as një botë kulturalisht uniforme dhe as unilaterizmin e një hyperfuqie të vetme”. Por, nëse Franca nuk e dëshiron dhe nuk e “pranon” këtë realitet, a ka ajo vetë mundësi që ta ndryshojë atë?

Përgjigjja është e shtjeshtë: Jo.

Edhe nëse ka në Bruksel, ose në vende të veçanta të Bashkimit Europian politikanë që i mbështesin disa nga idetë e presidentit Macron, idetë e tij nuk gjejnë jehonë në Uashington, as në Moskë apo në Pekin. Këta të fundit—rusët dhe kinezët—mbështesin vetëm ato ide të presidentit francez që u vijnë për shtat interesave dhe politikës së tyre. Kjo u duk qartë edhe gjatë vizitës së presidentit Macron në Kinë dy javë më parë, për të cilën flas shkurtimisht më poshtë.

Një aleancë dhe një histori që duhen mbajtur gjallë

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore krijuan një aleancë të ngushtë me njëra-tjetrën dhe kanë qëndruar në këtë aleancë për më shumë se shtatëdhjetë vite. Një gjeneratë e shquar liderësh politikë në të dyja anët e Atlantikut u mësuan të bashkëpunonin me njëri-tjetrin për një qëllim të përbashkët. Liderë të tillë ishin Franklin D. Roosevelt, Harry Truman, Winston Churchill, Dwight Eisenhower, John F. Kennedy, Konrad Adenauer, Harold Macmillan, Harold Wilson, Lyndon Johnson, Willy Brandt, Ronald Reagan, Helmut Kohl dhe Margaret Thatcher.

Së bashku ata u përpoqën që t’i afronin gjithnjë e më shumë demokracitë e Europës Perëndimore me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që pothuajse të gjithë presidentët francezë qysh nga përfundimi i luftës me Algjerinë—Charles de Gaulle, Georges Pompidou, Valéry Giscard d’Estaing, François Mitterrand apo Jacques Chirac—vazhdimisht ua kanë kushtuar energjitë më të mëdha të politikës së tyre të jashtme pengimit të objektivave të politikës së jashtme amerikane. Jacques Chirac, madje, në mënyrë cinike e ka pohuar këtë realitet duke u shprehur: “Përsa i përket politikës së jashtme unë kam një parim. Unë shoh se ç’bëjnë amerikanët dhe bëj të kundërtën”.

Durimi dhe zemërgjerësia e amerikanëve ndaj aleatëve të tyre europianë, veçanërisht ndaj francezëve, kanë qenë dhe janë të habitshme. Një shembull: Kur mësoi nga Sekretari i Shtetit, Dean Rusk, se presidenti francez Charles de Gaulle insistonte që të gjitha trupat amerikane dhe selia e NATO-s të largoheshin nga Franca, presidenti Lyndon Johnson e urdhëroi sekretarin e tij të shtetit ta pyeste presidentin francez, në emër të presidentit amerikan: “A nënkupton urdhri juaj edhe trupat e ushtarëve amerikanë në varrezat e Francës?”. De Gaulle nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje. Por selia e NATO-s u zhvendos në Bruksel dhe aleanca vazhdoi të ekzistojë dhe të forcohet, ndërkohë që, edhe pse Franca mbeti anëtare e kësaj organizate, ajo u tërhoq nga komanda e bashkuar e NATO-s.

Për afro gjysmë shekulli Europa u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane duke përfituar çdo të mirë që i siguronte përfshirja në aleancën transatlantike, pa bërë vetë sakrificat e domosdoshme për ruajtjen e sigurisë së saj. Çdo hap drejt integrimit ekonomik dhe politik të Europës—duke filluar me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut më 1957—u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë amerikane dhe të NATO-s. Siç vë në dukje Robert Kagan, pa fuqinë amerikane “kombet europiane pas Luftës së Dytë Botërore nuk do të ishin ndier kurrë aq të sigurt sa të riintegronin Gjermaninë [në komunitetin e tyre].

Prania ushtarake amerikane dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe mbrojtjes së Europës krijuan në këtë mënyrë mjedisin e nevojshëm për rindërtimin e saj pas Luftës si edhe për integrimin e saj ekonomik dhe politik. E mbrojtur dhe e sigurt pas mburojës së NATO-s, kostos së të cilës vendet e tjera anëtare të kësaj organizate i kanë kontribuar shumë pak, Europa Perëndimore ishte në gjendje të “kopjonte” arritjet e jashtëzakonshme të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një klasë të mesme numerikisht të gjerë dhe duke financuar një sistem arsimor dhe të mirëqenies për të gjithë.

Në fakt, marrëdhëniet e ngushta që u zhvilluan mes Amerikës dhe Europës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të dobishme për suksesin e të dyja palëve. Eksperimenti i madh i Europës me shërimin e plagëve të saj zor se do të kishte patur sukses pa praninë mbrojtëse të Amerikës, e cila u dha shteteve të plagosura europiane sigurinë për të bashkëpunuar.

Në të njëjtën kohë, paqja e brendshme dhe prosperiteti i Europës e bënë të mundur një ekonomi globale relativisht të hapur, ndërsa Aleanca tranatlantike e përforcoi dhe e legjitimoi lidershipin global të Shteteve të Bashkuara. NATO-ja ofroi një strukturë multilaterale, e cila e ndihmoi Amerikën për të përdorur siç duhej fuqinë e saj. Përmes bashkëpunimit me Europën dhe me ndihmën e saj, Amerika ia doli, më së fundi, të përmbushte ëndrrën e vet willsoniane për të udhëhequr botën duke e ftuar atë në misionin e saj.

Për brezin e liderëve amerikanë dhe europianë të pas Luftës së Dytë aleanca transatlantike dhe uniteti europian janë parë si dy anë të së njëjtës medalje. Më 1957, pak kohë përpara nënshkrimit të Traktatit të Romës—me të cilin zë fill historia e Bashkimit Europian—presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower theksonte: “Ne i mirëpresim përpjekjet e miqve tanë europianë për të krijuar një komunitet të integruar për zhvillimin e një tregu të përbashkët”.

Pesë vite më vonë, John F. Kennedy do i përforconte fjalët e paraardhësit të tij duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara e shohin këtë sipërmarrje të re të madhe me shpresë dhe admirim. Ne nuk e shohim një Europë të fortë dhe të bashkuar si një rival, por si një partner”. Një “Europë e fortë dhe e bashkuar”, theksonte presidenti Kennedy, ka qenë “objektivi kryesor” i politikës së jashtme amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Qysh nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur vazhdimisht thuajse çdo iniciativë për thellimin dhe zgjerimin e Europës së bashkuar.

Iluzionet e një “epoke të re”

Bashkëpunimi i ngushtë dhe intensiv mes Shteteve të Bashkuara, Anglisë, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore që karakterizoi periudhën pas Luftës së Dytë, kur Europa u nda në dy kampe antagoniste, nuk mund të mbetej më i njëjti edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës. Me shembjen e sistemit sovjetik të qeverisjes në të gjitha territoret që shtrihen nga Fulda Gap në Vladivostok, sensi i domosdoshmërisë imediate të bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave mes Uashingtonit dhe Europës Perëndimore nuk ishte më ai periudhës së Luftës së Ftohtë.

Pas përfundimit të saj, Europa u përball me një situatë të re, në të cilën as “e kaluara gjermane” dhe as “e sotmja sovjetike” nuk i kërcënonin më paqen dhe sigurinë në kontinent. Rrethanat e reja i bënë disa liderë europianë, ekspertë dhe analistë të problemeve të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, të mendonin se Europa këtej e tutje mund të kujdesej vetë për sigurinë dhe punët e saj dhe se, në mungesë të një rreziku iminent nga jashtë, në periudhën pas Luftës së Ftohtë vetë NATO ishte bërë një “anakronizëm”.

Me largimin e rrezikut sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore filluan të zhvillojnë marrëdhënie të reja me vendet që deri atëherë kishin qenë anëtare të Traktatit të Varshavës. Për më tepër, integrimi europian, që filloi si një proces për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të Europës Perëndimore dhe, përmes tij, paqen dhe sigurinë në Europë pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, u zgjerua duke përfshirë pothuajse të gjitha vendet e Europës Lindore. E gjithë arena e lojës ndryshoi.

Ndërsa Gjermania e përqendroi vëmendjen e saj në sfidën e madhe të riintegrimit të ish Republikës Demokratike Gjermane në një shtet të vetëm (çka sigurisht e prishi balancën mbi të cilën ishte krijuar Komuniteti Europian), Europa i përqendroi përpjekjet e saj në një sfidë më të madhe, që synonte thellimin e proceseve integruese brenda Komunitetit (më vonë Bashkimit) Europian dhe me zgjerimin e këtij të fundit me anëtarë të rinj nga radhët e vendeve të Europës Lindore.

Ndryshimi i arkitekturës globale të sigurisë me rënien e superfuqisë sovjetike nuk kishte si të mos reflektohej edhe brenda vetë aleancës transatlantike. Në kushtet e reja të mungesës së kërcënimit ushtarak nga Moska kjo aleancë do të duhej të angazhohej në një mision të ri, duke u shndërruar gradualisht nga një aleancë mbrojtëse, në një aleancë ofensive, e gatshme për të ndërhyrë në rajone dhe në situata konfliktuale jashtë Europës.

Deri më sot NATO u ka rezistuar transformimeve të thella që kanë ndodhur në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Traktatit të Varshavës. Kjo organizatë politiko-ushtarake ka ardhur duke u zgjeruar vazhdimisht, së fundmi duke pranuar në radhët e saj, vetëm tri javë më parë, edhe Finlandën. Sot NATO përbëhet nga 31 shtete anëtare. Suedia mund t’i bashkohet kësaj organizate së shpejti.

Edhe pse, në momente të caktuara, NATO mund të jetë përballur me një krizë “identiteti” dhe “qëllimi”, siç mendojnë disa autorë, ekzistenca dhe rëndësia e saj si një faktor kyç për ruajtjen dhe forcimin e sigurisë në Europë dhe në shkallë globale kurrë nuk janë vënë në dyshim. Një ndër ata liderë europianë që është treguar më kritik dhe cinik ndaj NATO-s jo rastësisht është presidenti francez. Në vitin 2019, Macron deklaroi se NATO po përjeton një “brain death”. Po kështu, ishte Macron ai që i irritoi aleatët euorpianëlindorë në NATO kur tha se Rusisë i duheshin dhënë garanci për sigurinë e saj kur të vinte koha për të negociuar një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe lufta që vazhdon në këtë vend provuan—dhe provojnë çdo ditë e më mirë—rëndësinë që ka NATO dhe uniteti brenda radhëve të saj për paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë.

Ballkani dhe Ukraina—përvoja nga të cilat Europa duhet të mësojë

Krejt ndryshe nga sa pretendonte më 1991 Jacques Delors, në atë kohë president i Komisionit Europian, se kriza e Bosnjes kishte paralajmëruar gjoja që tashmë kishte ardhur “koha e Europës” dhe se në Europë nuk kishte më vend për Amerikën dhe rolin e saj dhe, po ashtu, krejt ndryshe nga predikimet e disa studiuesve liberalë se gjoja tashmë është krijuar një “komunitet pluralist i sigurisë” (pluralistic security community), që mund të garantojë paqen dhe sigurinë në shkallë globale, luftrat e Ballkanit në vitet 1990, në të vërtetë, nxorën në shesh mungesën e unitetit në radhët e Bashkimit Europian dhe dobësinë e tij. Në të kundërt, angazhimi ushtarak dhe diplomatik amerikan në krizat e Ballkanit demonstroi qartë dy gjëra:

Së pari, se Europa vetë, për paaftësinë dhe turpin e saj, nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj juglindor. Në kohën kur në Bosnje po ndodhte një tragjedi e vërtetë, të pavendosur për të luftuar në mbrojtje të vlerave dhe të principeve të qytetërimit të tyre qeveritë europiane adoptuan politikën e një qëndrimi të butë.

Kur forcat serbe të Bosnjes zunë robër paqeruajtësit europianë dhe i lidhën ata pas pemëve, këta nuk bënë asnjë rezistencë dhe qeveritë europiane nuk reaguan fare në përgjigje të këtij veprimi poshtërues. Më 1995, në Srebrenicë trupat hollandeze që ishin ngarkuar ta mbronin atë qytet dhe popullsinë civile, nuk qëlluan asnjë fishek mbi serbët e Bosnjes kur panë se ata ndanë forcërisht rreth 7,000 burra dhe djem nga gratë, nënat dhe motrat e tyre, i tërhiqnin zvarrë dhe i masakronin.

Së dyti, në kontrast me një Europë të tillë pasive, të paralizuar dhe me një mendësi krejt tjetër nga idealizmi amerikan, Shtetet e Bashkuara ishin dhe mbetensiç treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe në Kosovënjë aktor shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Europës. Deficiti i kapaciteteve ushtarake dhe mungesa e vullnetit të Europës bënë që forca dhe vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të ishin faktori vendimtar që u dha fund konflikteve në Ballkanin Perëndimor. Me këtë u konfirmua edhe një herë se, kur vjen puna për çështje të sigurisë, Amerika fare pak mund të mbështetet te aleatët e saj europianë.

Çlirimi i Kosovës nga NATO dhe njohja e pavarësisë së saj nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Gjermania dhe Franca, por jo nga një pjesë e vendeve anëtare të BE-së, ishin një shembull i ri i vendosmërisë amerikane vis-à-vis pavendosmërisë dhe paaftësisë europiane për t’iu kundërvënë politikës shoviniste të Serbisë dhe presioneve kërcënuese të Rusisë. Edhe pse shtetet europiane anëtare të NATO-s morën pjesë në fushatën e bombardimeve kundër Serbisë në pranverë të vitit 1999, ishte Amerika ajo që i detyroi aleatët e saj europianë të vepronin, duke demonstruar forcën e saj përballë retorikës pompoze të BE-së për dedikimin ndaj paqes dhe drejtësisë në Europë. Siç ka argumentuar Robert Kagan, “Dominimi Amerikan në atë luftë krijoi shqetësime për europianët në dy aspekte:

Nga njëra anë, ai ishte një goditje shokuese ndaj nderit europian…Për strategët më të respektuar europianë në Francë, në Gjermani dhe në Angli lufta e Kosovës nxori në pah ‘impotencën e forcave të armatosura të Europës’. Ishte poshtëruese për Europën që, edhe në një rajon kaq të afërt si Ballkani, ‘aftësia e saj për të përdorur forcë’ ishte fare e vogël në krahasim me atë të Amerikës. Akoma më shqetësues për Europën ishte fakti që varësia e saj nga fuqia ushtarake amerikane u dha Shteteve të Bashkuara një influencë dominuese jo vetëm për mënyrën se si u zhvillua lufta, por edhe në lojën diplomatike ndërkombëtare para, gjatë dhe pas luftës”.

Luftës për Kosovën nxori në pah dallimet e mëdha në aftësitë ushtarake brenda Aleancës. Shtetet e Bashkuara realizuan shumicën e fluturimeve; pothuajse të gjitha bombat e drejtuara me precizion që u hodhën në Serbi dhe në Kosovë ishin prodhuar në Amerikë; superioriteti i pakrahasueshëm i kapaciteteve teknike amerikane për mbledhjen e inteligjencës bëri që 99% e objektivave të propozuara për tu goditur të vinin nga burimet amerikane të inteligjencës. Madje edhe vetë Anglia, një fuqi ushtarake serioze, mundi të kontribuonte me avionë vetëm në masën 4% dhe hodhi vetëm 4% të bombave.

Si Bosnja, ashtu dhe Kosova, treguan më së miri se Europa, po të lihet më vete, është mjerisht e paaftë t’i kundërvihet tiranisë, madje edhe në “oborrin e pasëm” të saj, duke mos mundur të shkojë dot më larg dialogut me diktatorët dhe vrasësit. Bosnja dhe Kosova treguan, gjithashtu, se pas euforisë ngadhnjimtare të studiuesve liberalë (Fykuyama & Co) në periudhën fill pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, liberalizmi duket se e ka shterrur aftësinë e tij shpjeguese mbi zhvillime të rëndësishme globale të kohës tonë dhe se realizmi shtë një bast teorik më i mirë në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Agresioni rus në Ukrainë provoi se aventurës ushtarake të “ariut polar” dhe kërcënimit të paqes në Europë mund t’i bëhet ballë vetëm me përpjekjet e bashkuara të vendeve të BE-së dhe të NATO-s për t’i rezistuar forcërisht, përmes sanksioneve të çdo lloji rrezikut rus. Qëndrimet e vendosura të pjesës më të madhe të vendeve të BE-së dhe kërkesat e Finlandës e të Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s dëshmojnë pikërisht këtë.

Nëse vendet anëtare të BE-së do të mund t’i përdornin kolektivisht potencialet e tyre—resurset dhe kapacitetet e tyre ekonomike, forcat e tyre të armatosura, kapacitetet mbrojtëse, infrastrukturën për studim dhe zhvillim, aftësitë vendimmarrëse për probleme strategjike—Bashkimi Europian mund të ishte sot një superfuqi globale. Por nuk është.

Ato çfarë kryesisht i mungojnë Bashkimit Europian janë mungesa e një politike të vetme të jashtme dhe të sigurisë, si dhe koherenca dhe aftësia e domosdoshme për të vepruar si një fuqi e vetme ushtarake, veç të tjerash, edhe për shkak se, duke qenë nën ombrellën amerikane për një kohë shumë të gjatë, Europa nuk ka pasur nevojë—dhe përsëri nuk ka nevojë—të marrë përgjegjësi të plotë për mbrojtjen e saj. Dhe, siç është shprehur Zbigniew Brzezisnki, “pa angazhimin e drejtpërdrejtë të NATO-s Europa nuk do të lëvizte një gisht”.

Europa, një protektorat ushtarak amerikan

Nëse europianët nuk kanë marrë dhe nuk duan të marrin një përgjegjësi të plotë për mbrojtjen e tyre kjo vjen sepse ata, në një masë të madhe, vazhdojnë të ndihen të sigurt për shkak të lidhjeve të tyre me Amerikën dhe të mbrojtjes strategjike që u siguron ajo. Pavarësisht fuqisë ekonomike të saj, Europa, siç argumenton Brzezinski, “është de facto një protektorat ushtarak i Shteteve të Bashkuara”. Edhe pse shumica e europianëve të sotëm mund të mos duan ta pranojnë këtë, është fakt, siç pohon Robert Kagan, se “stabiliteti i Europës edhe sot e kësaj dite mbështetet në garancinë se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë në këtë kontinent për t’u siguruar se në të nuk ka ndonjë zhvillim të rrezikshëm. Në një botë të vërtetë multipolare, kjo do të ishte e pamundur pa rrezikuar një luftë botërore”.

Dhe nëse europianët i tremben një farë “kërcënimi” amerikan, ky kërcënim është i një natyre krejt tjetër. Siç shkruan Kagan në librin e tij Mbi parajsën dhe pushtetin (Of Paradise and Power), “ajo, së cilës i tremben europianët nuk është se Shtetet e Bashkuara duan të kenë kontroll mbi ta, por sepse [vetë europianët] kanë humbur kontrollin mbi Shtetet e Bashkuara dhe, për rrjedhojë, edhe kontrollin mbi drejtimin e problemeve botërore”.

Kjo mungesë e dukshme vullneti në radhët e europianëve për të përballuar kostot për krijimin e një sistemi mbrojtës për kontinentin e tyre jashtë ombrellës amerikane, si dhe tendenca e tyre e përgjithshme për t’ua lënë çështjet strategjike dhe ato të sigurisë Shteteve të Bashkuara, shpjegon përse europianët nuk janë ambiciozë për t’u bërë një fuqi e madhe ushtarake.

Europianët kanë jetuar shumë gjatë dhe shumë mirë nën lidershipin amerikan. Për pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, elitat politike të Europës u mësuan me faktin që iniciativat dhe vendimet për probleme globale merreshin në Uashington, ndërsa qeveritë europiane ose i çmonin dhe i mirëprisnin ato, ose i kritikonin dhe kundërshtonin, por në fund vepronin në përputhje me to.

Në këtë mënyrë, të mësuar për dekada të tëra me faktin se Shtetet e Bashkuara përballonin edhe problemet e tyre, europianët kanë pasur fare pak motivim të zhvillonin atë mentalitet dhe ato kapacitete që do u duheshin për t’i përballuar vetë problemet e tyre. Mbi të gjitha, lënia e iniciativave, e marrjes së vendimeve dhe e implementimit të tyre kryesisht Amerikës, pavarësisht sensitivitetit politik që shkaktonte kjo në disa kryeqytete europiane, ka qenë dhe mbetet e përshtatshme dhe e dobishme për shumicën e qeverive europiane dhe për përfaqësuesit e tyre në institucionet e BE-së në Bruksel. Siç shkruan Victor Hanson, “diplomatët e Bashkimit Europian sillen si filozofët e dikurshëm të Greqisë së Lashtë në agora pasi ata e dinë se janë të mbrojtur nga amerikanët, të cilët luajnë rolin e legjioneve romake”.

Macron i “lustron” çizmet Kinës për Taivanin

Këto fjalë janë përkthimi me një gjuhë të sjellshme i fjalëve me të cilat Donald Trump e karakterizoi vizitën e fundit të presidentit Macron në Kinë. Unë nuk e kam pëlqyer kurrë Trump-in dhe shumë herë jam shprehur kundër tij. Por, në këtë rast—dhe për fat të keq—ai duket se ka thënë një të vërtetë, ose një gjysmë të vërtetë. Sepse, në Pekin presidenti Macron dëshmoi edhe një herë se, kur vjen puna për interesat e Francës dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht deklaratave, ai nuk dallon thuajse nga të gjithë parardhësit e tij në krye të Republikës Franceze qysh nga koha e presidentit De Gaulle.

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen dhe zemërimin e Uashingtonit dhe të partnerëve të tjerë europianë nga kjo vizitë e Macron-it në Kinë ishte mendimi i shprehur prej tij se Europa (me të cilën ai nënkupton një Europë franceze) nuk duhet të bëhet “vasal” i askujt në një konflikt të mundëshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe se Europa nuk duhet të bjerë në kurthin e një konflikti për Taivanin.

Në një intervistë për gazetarët Les Echos dhe Politico, Macron u shpreh se Europa duhet të bëhet një “fuqi e tretë në rendin botëror, si Shtetet e Bashkuara dhe Kina”. Edhe pse përsëriti idenë e tij goliste për një “autonomi strategjike” të Europës [nga Amerika], duke evituar cilësimet “varësi ushtarake dhe ekonomike”, ishin deklarat e tij mbi Taivanin ato që shkaktuan debatet më të mëdha. Ai u shpreh: “A duhet që ne [europianët] të interesohemi për çështjen e Taivanit? Jo. Gjëja më e keqe do të ishte që ne europianët tu shkojmë pas të tjerëve mbi këtë subjekt dhe t’ua përshtatim qëndrimin tonë ritmit amerikan apo një reagimi të tepruar kinez”.

Ky, sipas presidentit Macron, do të ishte “një kurth për Europën”, e cila nuk duhet të përfshihet në “një krizë që nuk është e saj”. “Nëse konflikti mes duopolit amerikan dhe kinez do të përshkallëzohej”, u shpreh Macron, “ne nuk do të kemi kohë dhe as mjetet për të financuar autonominë tonë strategjike dhe do të bëhemi vasalë, ndërkohë që mund të bëhemi poli i tretë [në rendin botëror] nëse kemi në dispozicion disa vjet për ta realizuar këtë”.

Këto pikëpamje janë jo vetëm konceptualisht të gabuara por edhe diplomatikisht e politikisht të rrezikshme pasi ato dëmtojnë solidaritetin dhe kredibilitetin e Bashkimit Europian. Në një kohë kur vendet demokratike nevojitet të bashkëpunojnë dhe të tregojnë forcën e tyre, Macron u la të kuptohet liderëve autoritaristë të Kinës se, në kushtet e një krizës të Taivanit, Europa nuk duhet të jetë nën diktatin e Uashingtonit.

Në fakt, çfarë ndodh me Taivanin është me shumë rëndësi edhe për Europën. Sepse në Taivan nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e këtij ishulli, por kryesisht për balancën e ardhshme globale të fuqisë, si edhe për mbrojtjen e lirive demokratike dhe teknologjive të avancuara që janë kritike për tregëtinë botërore. Këto janë interesa jo vetëm të amerikanëve, por edhe të europianëve.

Edhe nëse ka vende europiane që nuk do të donin të përfshiheshin në atë konflikt, ose do të hezitonin të vendosnin sanksione ndaj Kinës në rast të një invazioni eventual ndaj atij ishulli, këto janë çështje që diskutohen me dyer të mbyllura mes vendeve aleate dhe nuk deklarohen publikisht.

Në një editorial të saj, The Wall Street Journal i cilësoi deklaratat e presidentit Macron si “të dëmshme”, që mund të minojnë strategjinë kufizuese të Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë për të frenuar Kinën në Paqësorin perëndimor, ndërsa do të inkurajonin ata politikanë amerikanë që kërkojnë një angazhim më të vogël amerikan në Europë”. Të tjerë deklaroinë se Macron nuk mund të flasë në emër të Europës dhe nuk duhet të përdorë në deklaratat e tij shprehje si: “ne europianët”, apo “Europa duhet”.

Vive la difference!

Kjo është arsyeja që ministrja e jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock, me të cilën e nisa këtë analizë, nxitoi të vizitonte Pekinin vetëm disa ditë pas presidentit Macron.

Mesazhi i saj ishte i qartë dhe i kundërt nga ai i presidentit francez. Ajo nënvizoi “bindjen e përbashkët europiane se një ndryshim i njëanshëm i status quo-së në ngushticën e Taivanit dhe, sidomos një përshkallëzim ushtarak do të ishin të papranueshëm”. Baerbock i la të kuptojë udhëheqësve kinezë, gjithashtu, se Pekini nuk mund të vazhdojë të gëzojë avantazhet e saj në tregëtinë me Europën nëse nuk arrin të bëjë presion ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Disa politikanë europianë mendojnë se vizita e presidentit Macron në Kinë ishte “në favor të presidentit kinez dhe një katastrofë për Europën”. Një anëtar i bundestagut gjeman deklaron se “me idenë e tij mbi sovranitetin europian, që Macron e definon si një ndarje prej Amerikës më shumë sesa një parneritet me të, ai vetë po izolohet gjithnjë e më shumë në Europë”.

Në Bruksel pati edhe njerëz që e vlerësuan presidentin Macron për ftesën që i bëri presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen për ta shoqëruar gjatë vizitës së tij në Pekin, fakti që koreografia e protokolli kinez përmbante shtrimin e qylymit të kuq, një darkë shtetërore dhe një paradë ushtarake vetëm për presidentin Macron, ndërsa presidentes Von der Leyan iu rezervua një pritje e ftohtë, dëshmon përpjekjen e Kinës për të krijuar përçarje në radhët e Bashkimit Europian.

Një aleancë e domosdoshme

Edhe pse dallime të theksuara mes politikave të BE-së dhe atyre të Shteteve të Bashkuara ekzistojnë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë, ka shumë fusha të rëndësishme, në të cilat këto dy fuqi të mëdha bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë. Fusha të tilla kanë qenë dhe mbeten forcimi i paqes dhe i sigurisë kolektive, zgjerimi i dimensioneve të lirisë, promovimi i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut në rajone të tilla si Europa Juglindore, Lindja e Mesme apo Azia Qendrore, të cilën Brzezinski e konsideronte si “Ballkanin Global”, apo “rajonin më të pastabilizuar dhe më të rrezikshëm të botës në dekadat e ardhshme.

Nëse si partnere në Aleancën Transatlantike, Amerika, për të mirën e vet, është shumë e fortë, kjo në një masë të madhe ka ndodhur dhe ndodh edhe ngaqë Europa është shumë e dobët. Partneriteti dhe bashkëpunimi mes tyre do të ishte shumë më i mirë nëse fuqia dhe dobësitë e çdonjërës prej tyre do të balanconin tjetrën. Sidoqoftë, BE asnjëherë nuk do të jetë në gjendje të sigurojë atë unitet në marrjen e vendimeve që e gjejmë në Shtetet e Bashkuara, apo në të gjitha fuqitë e mëdha tradicionale, sidomos kur është fjala për krijimin dhe zbatimin e një politike të përbashkët europiane të jashtme dhe të sigurisë, e cila t’i shërbente një interesi të përbashkët europian. Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka një “interes kombëtar europian”.

Europa ende nuk ka arritur të ketë “zërin” e saj dhe të artikulojë një pikëpamje të vetme “europiane”. Shpesh herë, politika të cilat hartohen në Bruksel, në Paris apo në Berlin, mund të mos gjejnë mbështetje në Londër, në Hagë, në Varshavë apo në Athinë. Mënyra se si janë rregulluar institucionalisht marrëdhëniet e vendeve anëtare të BE-së me Brukselin përsa u përket çështjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë së tyre kombëtare lejon që elektorati i një vendi të vetëm, sado i vogël të jetë ai, të mund të bllokojë bashkëpunimin e BE-së me Shtetet e Bashkuara dhe përkrahjen për iniciativat diplomatike amerikane, apo pjesëmarrjen në to. Kjo e bën Bashkimin Europian esencialisht inefektiv dhe legjitimon shqetësimin real që ndërsa Ballkani po europianizohet gjithnjë e më shumë, vetë Europa mund të ballkanizohet.

Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë interesa të përbashkëta jo vetëm në këtë rajon, por në mbarë globin. Së bashku, ato përbëjnë një koalicion, i cili është dominant në mbarë globin, në të gjitha dimensionet kryesore të fuqisë dhe të influencës. Siç vinte në dukje Brezinski, “Amerika dhe Europa janë, së bashku, baza e stabilitetit global, lokomotiva e ekonomisë botërore dhe neksusi i kapitalit intelektual global dhe i inovacioneve teknologjike. Ato, gjithashtu, kanë zhvilluar demokracitë më të suksesshme në botë”.

Për këto arsye, Shtetet e Bashkuara dhe Europa së bashku mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për krijimin e një klime paqësore dhe të një komuniteti ndërkombëtar më efektiv. Por, për të zhvilluar ato sfera interesash të përbashkëta dhe për t’i ulur dozat e sentimenteve anti-amerikane në Europë, Uashingtoni dhe Brukseli do të duhej të angazhoheshin në një debat konstruktiv më të efektshëm. Kur veprojnë në këtë mënyrë, pavarësisht kritikave dhe akuzave të ndërsjella, si njëra dhe tjetra palë kuptojnë se ato çka i bashkojnë Europën dhe Amerikën janë më të shumta dhe më të rëndësishme se ato çka i ndajnë.

Njëlloj si në të kaluarën, edhe sot—por më shumë akoma në të ardhmen—Europa dhe Amerika kanë dhe do të kenë nevojë për njëra-tjetrën. Në analizë të fundit, as Europa, as Amerika nuk mund të gjejnë partnerë dhe aleatë më të mirë për veten e tyre, të cilët të mbështeten mbi të njëjtat tradita dhe të jenë të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera dhe ideale politike. Nëse Europa dhe Amerika bien dakort mbi atë se cilat duhet të jenë rregullat dhe institucionet e rendit ndërkombëtar, është plotësisht e mundur që ato të kontribuojnë në krijimin e një rendi ndërkombëtar të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Edhe pse aleanca mes Amerikës dhe Europës është një aleancë e natyrshme dhe me një histori të gjatë, për të përballuar sfidat ekonomike dhe problemet e sigurisë globale në shekullin e 21-të Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një Europë të bashkuar, të fortë dhe të vendosur që të sakrifikojë për mbrojtjen e interesave të përbashkëta transatlantike. Në këtë aleancë, Amerikën nuk e shqetëson fakti që Europa është e fortë; përkundrazi, Amerikën e shqetëson fakti që Europa është e dobët. Kjo e bën Aleancën Transatlantike të pabarabartë dhe, siç theksonte Brzezinski, “asimetria e fuqisë që ka secila palë në këtë aleancë ka të ngjarë të rritet edhe më tej në favor të Amerikës”. Nëse Europa do të vazhdojë të jetë e pavendosur që të sakrifikojë dhe që ta mbështesë Amerikën efektivisht, askush nuk ka pse të çuditet nëse një ditë Uashingtoni do i shpërfillte partnerët e tij europianë dhe do i orientonte politikat e tij në rajonin e Paqësorit.

Një marrëdhënie e fortë është marrëdhënia më e mirë

Historia e sukseseve të përbashkëta të Amerikës dhe Europës në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore lipset të pasurohet edhe më tej për t’u bërë ballë sfidave të reja të shekullit të 21-të. Në fund të fundit, natyra dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve transatlantike do të përcaktojë nëse në vitin 2040 Europa do të jetë në qendër apo në periferi të teatrit të ngjarjeve globale.

Unë mendoj se Europa do të vazhdojë të ketë një profil të ulët dhe do të luajë një rol modest në politikën globale gjatë këtij shekulli. Ajo as nuk është bërë një superfuqi e dytë apo e tretë, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, siç mendojnë disa euroentuziastë, dhe as mund të bëhet e tillë në dekadat që do të vijnë. Shekulli i 21-të me shumë gjasa—dhe për pjesën më të madhe të tij—do të vazhdojë të jetë një “shekull amerikan”.

Sot nuk ka vend për fantazira mbi një Europë, e cila, në një epokë post-amerikane, do të luajë një rol deciziv në krijimin e një rendi të ri botëror të mbështetur në të drejtën. Në dekadat e ardhshme Europës do i duhet të merret shumë me problemet e saj të brendshme, me reforma përmes të cilave ky kontinent do të mund të ruajë arritjet sociale të periudhës së pas-Luftës, si dhe paqen sociale përballë sfidave të ndryshimeve të mëdha demografike.

Gjatë 30 viteve të ardhshme Europa do të ketë shumë nevojë për aleancën e Shteteve të Bashkuara, për një varg arsyesh. Për europianët do të bëhet gjithnjë e më e qartë se përballë sfidave të mëdha të shekullit të 21-të (nga Kina, Rusia, Pakistani Irani dhe Lindja e Mesme), ata në mënyrë të dëshpëruar do të kenë nevojë për një marrëdhënie të ngushtë dhe të afërt me Amerikën. Për këtë arsye, ata do të tregohen më të gatshëm të ndajnë me amerikanët barrën për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, veçanërisht po të mbajmë parasysh qëndrimet gjithnjë e më shumë autokratike dhe provokuese të Rusisë, sfidat e Kinës, zhvillimet në Iran dhe betejat e ardhshme kundër terrorizmit xhihadist.

Për më tepër, jo vetëm Europa, por i tërë komuniteti ndërkombëtar varen në të vërtetë nga “të mirat publike globale” (“global public goods”) që garantojnë për to Shtetet e Bashkuara, siç janë ruajtja e sigurisë globale, liria e tregtisë detare dhe e një sistemi tregtar liberal, lidershipi në luftën kundër terrorizmit global dhe në përpjekjet për ndalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, si dhe pagesa e faturave kolosale të shpenzimeve për mbajtjen në këmbë të NATO-s, të Kombeve të Bashkuara, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore etj.

Ka autorë, të cilët gjykojnë se Shtetet e Bashkuara i bëjnë të gjitha këto nisur nga prizmi i ngushtë i interesave të veta kombëtare, pa u preokupuar shumë për interesat dhe fatet e kombeve të tjerë. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara kanë një interes të drejtpërdrejtë në tregtinë e lirë, në mbrojtjen e parimeve dhe të rrugëve të realizimit të saj. Amerika është eksportuesi dhe importuesi më i madh i kapitaleve dhe kjo e bën atë drejtpërsëdrejti të interesuar të mbrojë rregullat që lehtësojnë transferimin e kapitaleve, etj. Këto, natyrisht, u shërbejnë interesave amerikane. Por këto u shërbejnë gjithashtu edhe interesave të të gjitha atyre vendeve që janë për respektimin e parimeve të tregtisë së lirë.

Kjo nuk mund të thuhet për politikën e jashtme që ndjekin Kina apo Rusia, të cilat, me qëndrimet e tyre në përkrahje të vendeve që drejtohen nga liderë autokratë (Irani, Siria, Bjellorusia, Korea e Veriut), tregojnë se preokupohen vetëm për interesat e tyre dhe jo për stabilitetin apo mirëqenien në shkallë globale si të “mira publike” për të gjithë. Siç kam vënë në dukje në një rast tjetër, vetëm demokracitë liberale janë “instinktivisht” të prirura të orientohen nga politika dhe të përmbushin qëllime që nuk kanë të bëjnë vetëm me interesat e tyre kombëtare, por i shërbejnë, njëkohësisht, stabilitetit, sigurisë, paqes dhe progresit të mbarë komunitetit ndërkombëtar.

Duke folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Europës, Brzezinski argumentonte se, nga këndvështrimi i interesave amerikane, është në dobi të Amerikës që Europa, “Një, të jetë e zgjeruar; dy, që ajo të jetë politikisht më e përcaktuar; tre, që ajo të ketë kapacitete më të mëdha ushtarake të vetat; dhe katër, që ajo të jetë e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara”.

Vetë Amerika është e interesuar që Europa të ketë sukses. Nëse do që të ketë partnerin që i nevojitet për të përballuar sfidat e sotme dhe ato të së ardhmes, Amerika ka nevojë për një Europë të fortë, jo për një Europë që stepet para presioneve të Rusisë apo të Kinës.

Koncepti i “shtyllave binjake” që zhvilloi presidenti Kennedy rreth 60 vite më parë, sipas të cilit një Europë e fortë dhe një Amerikë e fortë, të lidhura me njëra-tjetrën përmes Atlantikut, përbëjnë një realitet shumë më të dëshiruar se një marrëdhënie asimetrike mes tyre, mbetet sot dhe në të ardhmen po aq i rëndësishëm sa edhe në atë kohë. Alternativa e dy “shtyllave binjake” do të ishin dy kampe të ndarë. Brzezinski e ka formuluar idenë e mësipërme me këto fjalë: “Amerika dhe Europa, së bashku mund të jenë forca decisive për [të bërë] mirë në botë. Të ndara—dhe veçanërisht nëse i kundërvihen njëra-tjetrës—ato garantojnë impas dhe kaos më të madh”.

“Kurrë mos u ndani nga amerikanët”

Herët ose vonë, Europa do ta kuptojë se nëse dëshiron të luajë një rol gjithnjë e më të madh në plan global, ajo nuk ka alternativë tjetër veçse ta lidhë të ardhmen e saj me atë të Shteteve të Bashkuara. Dhe nëse është vërtet kështu, për Europën nuk mund të ketë këshillë më të mençur sesa fjalët e kryeministrit Churchill, i cili, më 1955, në mbledhjen e tij të fundit si kryeministër i Anglisë, u tha anëtarëve të kabinetit tij këto fjalë të paharruara: “Never be separated from the Americans!” (Kurrë mos u ndani nga amerikanët!).

Winston Churchill, i cili kishte një admirim të veçantë për tregun e lirë, për sipërmarrjen private dhe për oportunitetet e stilit amerikan, kishte gjithashtu një “besim të patundur” në progresin e “Republikës së Madhe” (The Great Republic), siç e quante ai Amerikën. Besimi i tij i patundur tek Amerika ishte në kohën e tij—dhe mbeti vazhdimisht—në themel të marrëdhënieve të veçanta anglo-amerikane. Marrëdhënie të ngjashme duhet të jenë edhe ato mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera europiane nëse do të donim të shihnim një shekull paqësor dhe të begatë vis-à-vis veprimeve të paparashikuara të qeverive autokrate të fuqive të tilla, si Rusia, Kina apo Irani.

Në udhëkryqin e sotëm të historisë, Francës dhe europianëve do u duhet të vendosin nëse dëshirojnë të mbeten aleatë të Shteteve të Bashkuara, ose jo. Dhe, përderisa të mos jesh aleat i demokracisë më të madhe dhe i vendit më të fuqishëm në botë nuk është një opsion i mençur, europianëve do u duhet të jenë aleatë të mirë (Ky argument është huazuar nga Christoph Bertram, “Europe’s Best Interest: Staying Close to Number One”. Me këtë, unë nuk kuptoj nënshtrimin e Europës ndaj Amerikës; përkundrazi, ky është një mësim që historia na ka dhënë vazhdimisht gjatë njëqind viteve të fundit. Nëse do u duhej të zgjidhnin, unë nuk kam dyshim se shumica e europianëve përsëri do të preferonin më shumë një marrëdhënie të fortë transatlantike, sesa një Europë “të pavarur”, “post-moderne”, në kërkim të vendit të saj si një “paragon i virtyteve ndërkombëtare” në botën e nesërme./Gazeta Dita

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit