TIRANË- Kërkesat për liri të ish kreut të Autoritetet Rrugor Shqiptar Evis Berberi, nën akuzë për 8 raste korrupsioni, u rrëzuan këtë të enjte në Gjykatë Kushtetuese. Megjithatë seanca me bazë dokumentesh mori vëmendje më të madhe sepse në argumentimin e Berberit për rrëzim të masave të sigurisë, ish drejtuesi i ARRSH përfshinte edhe pretendimet se provat e marra të ishin të paligjshme dhe të pavlefshme.

Që shkurtin e vitit 2024, kur oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kryen një kontroll në banesën e tij, 4 aparatet telefonike të sekuestruara aty u bënë një minierë ari për SPAK, për dosje të bujshme, përfshirë edhe atë ndaj zv. kryeministres Belinda Balluku.

Evis Berberi i bënte screenshot të gjitha bisedave me eproren e tij, ministren e atëhershme të Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku, dhe ia dërgonte ato bashkëshortes së tij Adela Ruko. Pikërisht nga telefoni i kësaj të fundit u zbuluan bisedat më të shumta, kur Berberi dhe Balluku flisnin për paracaktimin e tenderave të ndryshëm.

Megjithatë Kushtetuesja nuk i mori fare në shqyrtim pretendimet e Berberit, me argumentimin se ato nuk ishin objekt në kërkesën zyrtare. Që ligjshmëria e provave të shqyrtohet në Kushtetuese duhet që ish kreu i ARRSH të ezaurojë të tria shkallët e gjykimit, duke filluar nga GJKKO e shkallës së parë.

Goditja që Berberi i bënte vlefshmërisë së provave me argumentin se i ishte cenuar privatësia e korrespondecës, mund të godiste edhe hetimet për dosjet e tjera përveç Ballukut. Edhe një hetim ndaj kryebashkiakut aktual të Shkodrës Benet Beci nisi nga komunikimet e gjetura në telefonin e bashkëshortes së Berberit apo edhe hetimet të tjera, kryesisht të lidhura me ARRSH dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Berberi së bashku me 21 të pandehur për dosjen e ‘ARRSH” akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh. Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, i arrestuar në 2024-ën, sipas SPAK dyshohet se është përshirë në raste korruptive në 8 tendera me vlerë rreth 15 milionë euro. Berberi ishte pronar faktik i kompanisë “DAAM shpk, së cilës i kishte dhënë tendera gjatë kohës që mbante pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë dhe ARRSH-së.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë