TIRANË - Në Kampionatin Evropian të Mundjes i cili po zhvillohet në Pallatin e Sportit 'Feti Borova' në Tiranë, sportistët e Shqipërisë vijojnë të shkëlqejnë me flamurin kuqezi.

Të premten Islam Dudaev ia doli të siguronte medaljen e argjendtë, teksa sot do kërkojë edhe të artën pasi në finale do të përballet kundër rusit Bashir Magomedov.

Edhe sportisti tjetër kuqezi, Zelimkhan Abakarov, ia doli të sigurojë sot gjysmëfinalen për disiplinën e stilit të lirë deri në 61 kilogramë dhe do të përballet sot pas orës 16:45 kundër azerbajxhanasit Nuraddin Novruzov.

Ruso-shqiptari kaloi në fazën kualifikuese pa shumë probleme italianin Simone Vincezno Piroddu, duke e mposhtur 12-2, ndërsa në çerekfinale mposhti 6-2 gjermanin Niklas Stechele në një ndeshje të dominuar nga atleti ynë.