Fëmija plëngprishës

Gjashtë vjet më parë s’besoj se dikush ka mundur ta imagjinojë kështu. As skeptikët më të mëdhenj, që tash po duan të thonë se aq larg i paskan parë gjërat sa nuk janë në mesin e të befasuarve.

Ju kujtohet, krejtësisht ndryshe imagjinohej shteti i ëndërruar. Dhe më në fund, ishte për t’u besuar se një popull aq i përvuajtur, popull që kaloi kalvaret e ferrit dhe golgotën biblike, sapo t’i jepej mundësia, do të mrekullojë miqtë e armiqtë me energjinë e kapacitetet për të krijuar shtetin dikur të idealizuar.

Gëzimi për foshnjën që lindi gjashtë vjet më parë, të nesërmen e fishekzjarrëve e fanfarave dalldisësh, nuk zgjati aq shumë.
Foshnja e sapolindur shumë shpejt shfaqi shenjat e para të një fëmije të paajër, nga ata fëmijët që jo vetëm prindërve do t’u sjellë jo pak telashe. Një fëmijë grykës, vetjak, që pa mësuar mirë hapat e parë, shtëpinë nisi ta bëjë mulli. S’la gjë në vend, duke rrokullisur çdo gjë që i vinte për dore. Megjithatë, si çdo fëmijë, arsyetohej disi. Fëmijë është. Si të gjithë fëmijët, bën edhe gabime. Bën edhe sherre por do të urtohet, do të zërë mend, inkurajonim veten.

Megjithatë, ai rritej por nuk ndryshoi gjë. Mbeti po ai, fëmija rranojc, harami i shtëpisë.

Këshillat, udhëzimet e qortimet, jo vetëm të prindërve për të cilët as që donte t’ia ndiente, por as të miqve, këndej e andej Atlantikut, se nuk bën më kështu, nuk ia lënë shenjë. Badihava, mbeti i njëjti. Grykës i madh. Tekanjoz! Çapraz!
Së paku tash si gjashtëvjeçar e ka kohën të ndryshojë. Dhe të mësojë diçka sepse e ka kohën që, si shumë nga ne, me këtë moshë kemi nisur klasën e parë.

Me gjithë prirjen për të arsyetuar sjelljet e pahijshme, fëmijës së lindur gjashtë vjet më parë nuk mund t’i mbulohen horrllëqet. E ka kohën të mbushet mend dhe të mësojë diçka. Së paku alfabetin e sjelljes së përgjegjshme, në shtëpi e fqinj. Se grykësia s’është dhunti, siç duan të na e shesin, por ves i keq. Se vetëm fëmija plëngprishës sillet me kaq grykësi në shtëpi të vet.

Kjo metaforë satirike e Kosovës në miniaturë mund të duket e vrazhdë. Por, në fakt pas gjashtë vitesh, Kosova është në këtë stad, ku të gjithë marrin dhe, përveç llafeve, askush nuk jep.

Është lehtë t’i jepet emri “Hasan Prishtina” Universitetit të Prishtinës por është vështirë të sillemi si ai. Prishtina e të tjerë si ai, shkrirë gjithë pasurinë për komb, për shtet, e tash çka po ndodh. Po shkrihet shteti për t’u pasuruar mileti.

Me gjithë këtë papërgjegjësi, grykësi, korrupsion, reket gjatë këtyre gjashtë vjetëve sikur po përsërisim veten, në variantin më të keq. Këtë fytyrë e kemi treguar edhe para disa dekadash, kur Shqipërinë e bënë shtet. Madje po e tregojmë përditë.
Kosova aktualisht është në vendin e 116-të për perceptim korrupsioni, ndërsa edhe në raportet tjera ndërkombëtare nuk qëndron më mirë.

“Shqipërinë e shpëtoftë Zoti, nga shqiptarët”, pati thënë, shumë kohë më parë, zemërplasuri, eruditi i papërsëritshëm, Faik Konica. Kosovën e shpëtoftë Zoti. Nga vetvetja. Nga fëmija plëngprishës, horrllëqet e të cilit nuk arsyetohet më.

Prej Konicës e deri sot kanë kaluar dekada të tëra, por kështu si ka nisur, ka drojë se do të kalojnë edhe dekada të tjera e do të kthehemi sërish te Konica. Të lusim Zotin që shqiptarët t’i shpëtojë nga vetvetja.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq

Minella Aleksi: Historia nuk përsërit veten, njerëzit shpesh e bëjnë për mirë ose për keq