TIRANË, 13 Korrik /ATSH- I. Vata/- Shqipëria ka mirëpritur konferencën për nënoficerët e lartë, me temë "Barazia gjinore, integrimi dhe perspektiva e femrave në Forcat e Armatosura".
Konferenca u zhvillua sot në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit ushtarak me vendet anëtare të Kartës së Adriatikut, ku morën pjesë nënoficerët e lartë të A-5, (Shqipëria; Bosnje dhe Hercegovina; Kroacia; Maqedonia; Mali i Zi), USEUCOM/USAREUR, NJNG, si dhe me statusin e vendit vëzhgues, ishin të  ftuar nderi Sllovenia dhe Kosova.
Shëfi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, në fjalen e tij përgëzoi trupën e nënoficerëve për ndërmarrjen e iniciativave të tilla në organizimin e zhvillimin e konferencave rajonale si dhe vlerësoi rolin e gruas ndër shekuj si një bashkëpunëtore e mbështetëse besnike në historinë shumëshekullore të popullit shqiptar, kalvarin e ndryshimeve deri në ditët tona, ku femrat luajnë një rol të veçantë në strukturat e FA.
Ndërsa Kapter Arben Avdiaj, nënoficeri i SHSHP, duke iu referuar konferencës së parë të kësaj nisme të mbajtur në Zagreb, Kroaci, në vitin 2011, u shpreh se "Ne kemi dëshmuar një rritje të konsiderueshme në rolin e nënoficerëve. Edhe kjo konference është një hap i rëndësishëm përpara, në mënyrë që të rrisim standardet në efektivitetin e aftësive tona dhe të rrisim akoma më shumë bashkëpunimin në fushat e trajnimit, arsimimit, integrimit dhe zhvillimit. Po ashtu, ai nënvizoi faktin se "duke qenë vende të të njëjtit rajon (Ballkanit), po përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë, të cilat kërkojnë një qasje të përbashkët rajonale, dhe për të arritur së bashku qëllimet tona për më shumë stabilitet në rajon dhe më shumë besim në mesin e vendeve tona, duhet që kjo nismë e jona të vijojë të promovojë dhe të rrisim bashkëpunimin e ndërsjellë, shkëmbimin e eksperiencave në fusha të ndryshme, evidentimin e nevojave dhe përshtatjen e standardizimin e programeve mes pikëpamjeve e shqetësimeve të ndryshme lidhur me barazinë gjinore".
Konferenca vazhdoi punimet e saj me prezantimet e vendeve respektive ku e veçanta ishte, prezantimi nga nënoficeret femra, ku binte në sy pjesëmarrja e Kryekapteres së USAREUR. Sheryl Lyon, që brifoi për pjesëmarrësit rreth çështjeve që kane pasur ndikim të madh në integritetin e femrave në strukturat ushtarake të US-Army. /a.ke/