Fadil Kepi: Pensionet e emigrantëve, kushtet e dokumentet që duhen

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për pensionet e emigrantëve. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë kushtet duhet të plotësojnë emigrantët për të përfituar pension në vendin tonë, mënyrën se si llogariten pensionet e emigrantëve dhe se si tërhiqen ato. Eksperti ynë ka shpjeguar se a mund të bëjnë sigurime vullnetare emigrantët dhe se a ka të drejtë një individ që të përfitojë dy pensione njëkohësisht, atë në vendin tonë dhe atë në vendin ku ai jeton. Gjithashtu ai ka sqaruar se cilat janë dokumentet që duhen plotësuar nga emigrantët për të marrë pension dhe cilat janë afatet kohore. Më pas Profesor Kepi u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Këtë temë e zgjodhëm për ta diskutuar, pasi jemi në sezonin veror dhe shumë emigrantë vijnë për pushime në vendin tonë. Njëkohësisht ata mund të interesohen edhe për pensionet e tyre.

Jashtë vendit tonë jetojnë rreth 1,8 milionë emigrantë, të cilët para emigrimit kanë punuar edhe në vendin tonë dhe kështu po i afrohen moshës për të dalë në pension. Legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore i merr në mbrojtje të gjithë emigrantët, kudo ku ata jetojnë. Ata që kanë punuar në Shqipëri dhe që kanë emigruar dhe tani jetojnë jashtë vendit, deri në fund të këtij viti do të dalin në pension, gratë në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe burrat në moshën 65 vjeç. Për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë vendit tonë, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruar, ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar. Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni, llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë dhe pavarësisht sektorëve ku kanë punuar. Personat të cilët i afrohen moshës së daljes në pension, por që nuk kanë minimumin e nevojshëm të vjetërsisë së punës prej 15 vitesh, nuk përfitojnë pension në vendin tonë. Për këtë arsye, unë u sugjeroj që para se të plotësojnë moshën e caktuar për të dalë në pension, këta person duhet patjetër që të interesohen pranë Agjencive të Sigurimeve Shoqërore ose vetë kur vijnë me pushime në Shqipëri, ose me anë të familjarëve të tyre që jetojnë në Shqipëri. Punonjësit e Agjencive të Sigurimeve Shoqërore, në bazë të dokumenteve të rregullta ligjore, do të bëjnë llogaritjen e viteve të punës. E theksoj këtë sepse çdo person mund t’i bëjë vetë llogaritjet e viteve të punës që ka punuar, por ka shumë raste kur në librezën e punës janë shënuar vitet e punës, ndërsa në të vërtetë një qendër pune apo një pronar i një aktiviteti privat ku ka punuar personi, nuk ka paguar kontributin e sigurimeve shoqërore.

Një kusht tjetër është edhe e drejta që ka çdo person për të paguar kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore, me qëllim që të plotësojë numrin e nevojshëm të viteve të punës që duhen për të përfituar pension në vendin tonë. Pagesat e këtyre kontributeve janë me leverdi. Për të gjithë, shuma që paguhet për kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore, është e njëjtë. Pra si ata persona që jetojnë në vendin tonë edhe ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, paguajnë të njëjtën shumë prej 5.600 lekësh të rinj në muaj. Ata mund ta paguajnë këtë shumë kur vijnë në Shqipëri ose edhe me anë të familjarëve që kanë këtu.

Flas nga Devolli. Babai im ka punuar në Greqi dhe ka paguar për më shumë se 15 vite kontribute atje. A përfiton pension në Shqipëri?

Babai i zotërisë në Shqipëri del në pension në moshën 65 vjeç, në qoftë se ka vjetërsi pune nga 15 vite deri në 36 vite e 8 muaj punë të siguruar në vendin tonë. 15 vite është minimumi i viteve të punës për të përfituar pension në vendin tonë, ndërsa 36 vite e 8 muaj është vjetërsia e nevojshme për të përfituar pension të plotë. Të gjithë ata që e kanë plotësuar moshën 65 vjeç ose që e plotësojnë atë brenda këtij viti, dhe kanë vite pune më shumë se 36 vite e 8 muaj, do të marrin pension më të lartë. Babai i zotërisë ka punuar në Greqi dhe me të drejtë interesohet për vitet e punës. Aktualisht shteti shqiptar dhe shteti grek nuk kanë një marrëveshje midis tyre, me anën e të cilës të njihen reciprokisht vitet e punës. As me Italinë nuk e kemi këtë marrëveshje. Një marrëveshje e tillë është arritur në mes Shqipërisë dhe Kanadasë, Gjermanisë, Turqisë, Luksemburgut. Kështu që, në qoftë se babai i zotërisë ka plotësuar numrin prej 4.500 Ensima, përfiton pension në shtetin grek. Njëkohësisht, në qoftë se ka 15 vite pune të siguruara ose edhe më shumë në Shqipëri, përfiton edhe në shtetin tonë pension. Unë i sugjeroj zotërisë që bashkë me librezën e punës së babait, të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Devoll dhe të kërkojë llogaritjen e saktë të viteve të punës në Shqipëri. Për sa kohë që babai i zotërisë ka nënshtetësinë shqiptare ose ka dy nënshtetësi, ai ka të drejtë që të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore në Shqipëri, në mënyrë që të shtojë numrin e viteve të punës në vendin tonë.

Flas nga Berati. Jam 63 vjeçe. Unë kam punuar 27 vite në uzinën mekanike të Beratit dhe jam e pakënaqur me shumën e pensionit prej 114.000 lekësh të vjetër në muaj.

Zonja ka dalë në pension në vitin 2016. Për të marrë pension të plotë, në vitin 2016, duheshin 36 vite pune të siguruara. Zonja ka pasur 27 vite, pra 9 vite më pak. Si rrjedhim, zonja merr 75% të shumës së pensionit të plotë. Deri në ditën që zonja ka plotësuar moshën e daljes në pension, ka pasur të drejtën që të paguante kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore, për të shtuar numrin e viteve të punës dhe si rrjedhim, për të marrë pension më të lartë. Meqë ky veprim nuk është bërë, atëherë zonja merr pension të pjesshëm dhe jo të plotë pleqërie. Megjithatë, zonja sërish ka të drejtë që të bëjë një ankesë me shkrim për komisionin e ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Berat, ku të parashtrojë qartë ankesën e saj. Komisionet e ankimit përbëhen nga specialistë me eksperiencë, të cilët do t’i kthejnë zonjës përgjigje zyrtare me shkrim. Ligji “Për Sigurimet Shoqërore” është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe aty thuhet se, sa më shumë vite pune të siguruara që të ketë personi, aq më e lartë i del vlera e pensionit. Nëse zonja do të kishte 36 vite pune, atëherë ajo do të merrte pension të plotë, pra më shumë sesa ai që merr aktualisht. Në qoftë se zonja nuk do të bindet nga përgjigjja zyrtare që do të marrë nga komisioni i ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Beratit, atëherë ajo ka të drejtën që t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit qendror të ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Ankesën duhet ta dërgojë me postë-rekomande dhe ata janë të detyruar që ta marrin dosjen e zonjës nga Sigurimet Shoqërore të Beratit dhe ta rishqyrtojnë me kujdes.

Flas nga Shkodra. Jam 58 vjeçe. Kam 11 vite e 6 muaj punë në sektorin shtetëror. Sa lekë duhet të paguaj si kontribut për sigurimet shoqërore, që të përfitoj një pension minimal?

Sivjet gratë dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj. Zonja është 58 vjeçe, pra nuk del në pension këtë vit. Zonja do të dalë në pension në moshën 61 vjeçe e 6 muaj. Prandaj unë mendoj që zonja, bashkë me librezën e punës të shkojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër. Atje do të llogariten me kujdes vitet e punës që nga mosha 16 vjeçe. Sivjet duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar për të përfituar pension të plotë. Zonjës, kur të plotësojë moshën e duhur për të dalë në pension, do t’i kërkohen rreth 37 vite e 4 muaj punë e siguruar. Ndërsa për të përfituar pension minimal, zonjës i duhen 15 vite punë të siguruara, nga mosha 16 vjeçe. Gjithashtu, periudha që zonja mund të ketë marrë pension të plotë apo të pjesshëm invaliditeti, i njihet si vjetërsi pune. Edhe periudha kur mund të ketë marrë raporte mjekësore, i njihet si vjetërsi pune. Gjithashtu i njihet si vjetërsi pune periudha kur ka marrë lejen e zakonshme vjetore, periudha e trajtimit me pagesë papunësie apo asistencë, periudha e studimeve të larta me shkëputje nga puna, si edhe periudha e trajtimit me leje lindjeje.

Jetoj në Tiranë, por jam nga Tepelena. Sigurimet Shoqërore të Tepelenës nuk më kanë njohur 3 vite pune, me arsyetimin se janë shënuar me laps.

Ka një Vendim qeverie, me nr. 482, datë 30 qershor 2016, në pikën e parë të të cilit, thuhet: “Quhen vite pune të gjitha dokumentet që janë të shkruara me bojë ose me laps”. Ligjet janë njëlloj për të gjithë dhe prandaj, duhet që të zbatohen njëlloj në të gjithë territorin e Republikës. Përgjigjja që i kanë dhënë zotërisë është e gabuar. Pensionet i llogarisin dhe i caktojnë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Zotëria duhej që të ishte më këmbëngulës, pra përgjigjen t’ua kishte kërkuar me shkrim, ku të argumentohej se në çfarë vendimi janë bazuar ata. Unë mendoj që zotëria duhet të takojë Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia fillon përdorimin e Bitcoin për pagesa ndërkombëtare

Rusia fillon përdorimin e Bitcoin për pagesa ndërkombëtare