Avni Ponari, CEO i Sigal Uniqa, ishte i ftuar sonte në emisionin "Repolitix" me Denis Mingën në Report Tv, ku foli për pensionin privat.

Fillimisht, Ponari tha se sot në Shqipëri në skemën e pensionit privat janë të anëtarësuar të paktën 100 mijë qytetarë, dhe mijëra të tjerë po e përfitojnë tashmë.

“Duhet të kuptojmë që historia e zhvillimit të pensioneve është e hershme dhe të gjitha shtetet e vendosën fillimisht linjën e sigurimeve shoqërore ose pensionit shtetëror, dhe më pas u krijuan pensionet private, që krijuan hapësira për qytetarët për të pasur një pension privat dhe për t’u hetuar më ndryshe. Pensionet e para private janë hapur 20 vite më parë dhe sot janë mbi 100 mijë anëtarë. Një pjesë jo e vogël e tyre përfiton pension privat dhe merr pensionin që i takon. Pensionet private janë paralele me ato shtetëroret. Shqipëria është në fazën që nuk e ka aplikuar kolonën e dytë të pensioneve, por në kolonën e tretë, ku është vullnetare”,- tha Ponari.

Duke qartësuar se mund të tërhiqet nga mosha 60-vjeçare, CEO i Sigal Uniqa theksoi se pensioni privat nuk humb sepse trashëgohet.

“E veçanta e pensioneve private është e tillë sepse secili përcakton kohën kur do t’i tërheqë këto para. Nëse një 40-vjeçar paraqitet para zyrave të pensioneve private dhe thotë që në moshën 60-vjeçare do të ketë një pension 500 mijë lekë për një periudhë kohore prej 15 apo 20 vitesh, kalkulohet sa do të jetë kontributi mujor dhe personi duhet të paguajë. Paratë në pensionet private nuk humbasin në asnjë rast, ato trashëgohen”,- tha Ponari.

Ponari garantoi se kontributi në pension privat është plotësisht i sigurt dhe se risku që paratë të humbasin është zero.

“Skemat e pensioneve private janë jashtëzakonisht fleksibël dhe në të gjithë botën funksionojnë fuqishëm”,- theksoi Ponari.

CEO i Sigal Uniqa sugjeroi që qeveria të mbështesë me ligj skemën e pensionit privat të detyreshëm.

“Shqipëria dhe Serbia nuk e kanë kolonën e dytë të pensioneve të detyrueshme private. Maqedonia, Kosova, Bosnja, Kroacia e kanë aplikuar me kohë. Shumat në këto fonde private në Maqedoni kalojnë 6.5 miliardë. Në zgjedhjet e këtij viti ishte një premtim që qeveria do ta shikonte me përparësi dhe ndoshta do ta hartonte ligjin për ta futur Shqipërinë në këtë skemë”,- tha Ponari.


Lajmi kryesor:

Rritja e pensioneve nga 2026/ Gjediku: Do të jenë bonuse të përmuajshme! Për 4 vite, do t’i kushtojnë qeverisë 455 milionë euro