Fadil Kepi: Pensionet e posaçme, kushtet për t’i përfituar

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë fillimisht pwr pensionet e posaçme duke sqaruar se cilat janë kushtet që duhen plotësuar për t’i përfituar këto pensione dhe më pas është ndalur në detaje duke sqaruar procedurat. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet e posaçme. Çfarë janë pensionet e posaçme dhe cilat janë kushtet që duhen plotësuar për t’i përfituar këto pensione?

Sipas nenit 5 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensione të posaçme kanë të drejtë të kërkojnë ata persona, të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme, të dokumentuara, në punën e tyre. P.sh. dikush që ka marrë nga Presidenti i Republikës titullin “Mjeshtër i Madh” apo “Nderi i Kombit”; mund të jetë “Artist i Popullit” apo “Artist i Merituar”; mund të jetë i dalluar në fushën si gazetar, si shkrimtar, si mjek, si jurist etj. Në vendin tonë, nga viti 1994 kur u dha për herë të parë pensioni i posaçëm dhe deri sot, pensione të posaçme marrin rreth 470 persona, të cilët u përkasin 40 profesioneve të ndryshme.

Cilat janë kushtet dhe procedurat që ndiqen për të marrë pension të posaçëm?

Në radhë të parë, personi i cili e shikon veten që është i suksesshëm dhe këto suksese i ka të dokumentuara, atëherë ai ka të drejtën që, pasi ka dalë në pension pleqërie, t’i drejtojë një kërkesë Këshillit të Qarkut, për t’i miratuar dhënien e pensionit të posaçëm. Kërkesa i drejtohet Këshillit të Qarkut ku personi banon, sepse aty ai ka zhvilluar aktivitetin e tij dhe aty e njohin më shumë. Kërkesës i bashkëngjiten edhe dokumentet që zotëron personi, të cilat duhet të jenë bindëse dhe të vërtetojnë rezultatet e dallueshme që ai ka arritur. Këshilli i Qarkut shqyrton kërkesën dhe dokumentet e bashkëngjitura dhe pasi e miraton këtë kërkesë, njofton të interesuarin dhe dokumentet e tij ia dërgon Këshillit të Ministrave. Vetëm kryeministri ose zëvendëskryeministri ka të drejtë që të firmosë për pensionet e posaçme.

Pensione të posaçme në vendin tonë kanë përfituar ata persona, të cilët kanë lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre. Po përmend emrat e disa prej tyre: Vaçe Zela, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Zyliha Miloti, Zef Deda, Fadil Hasa, Fuat Boçi, Ndue Shyti, Theofan Haxhijani e shumë të tjerë, midis të cilëve sportistë, trajnerë e të tjerë me radhë. Vendin e parë, rreth 50% të këtyre pensioneve të posaçme e zënë punonjësit e artit, të kulturës, shkrimtarët, juristët etj. Arsyeja është se këta persona janë më të ekspozuar ndaj publikut. Vendin e dytë, me reth 70 veta, e zënë sportistë nga të gjitha fushat, femra dhe meshkuj, trajnerë etj.

Kohët e fundit, me anën e një vendimi të qeverisë, të datës 26 dhjetor 2018, por që është botuar para 5-6 ditëve në “Fletoren Zyrtare”, nr. 203, qeveria ka vendosur që t’u jepet pensioni i posaçëm 15 personave. Disa nga këta persona janë: Koço Devole, Ali Oseku, Timo Flloko, Petrit Kumi, Roland Avrami, Spiro Qirko, Spiro Shano, Luan Zhegu, Ema Qazimi (Bogdani), Kastriot Mushi etj.

Sa është vlera monetare e pensionit të posaçëm?

Shuma e pensionit të posaçëm është 29.000 lekë të rinj në muaj, e cila i shtohet pensionit të pleqërisë. Ajo është katërfishi i pensionit social, shuma e të cilit është 7.262 lekë të rinj në muaj. Shuma e pensionit të posaçëm plus shumën e pensionit e pleqërisë nuk mund ta kalojë shifrën prej 58.000 lekësh të rinj në muaj. Shuma e pensionit të zakonshëm plus shumën e pensionit të posaçëm, pavarësisht se tavani është shifra prej 58.000 lekësh të rinj në muaj, nuk tatohen. Sa herë që, me vendim qeverie, rriten pensionet e pleqërisë, po me të njëjtën përqindje rriten edhe pensionet e posaçme.

Sigurimet Shoqërore të Tiranës i kanë marrë të gjitha masat për llogaritjen në kohën e duhur të pensioneve të posaçme.

Flas nga Korça. Jam kujdestar i gruas sime dhe tani dal në pension. Do ta marr edhe pagesën e kujdestarisë apo vetëm shumën e pensionit?

Zotëria do të marrë vetëm pensionin.

Flas nga Maliqi. Një të afërmit tim i është ndërprerë pensioni social që prej një viti. Si mund të veprojë ai?

Pensioni social ndërpritet nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore sa herë që ndryshojnë kushtet e gjendjes ekonomike të personit, pra në rastet kur gjendja ekonomike pëmirësohet në krahasim me gjendjen ekonomike që ka pasur personi kur ka përfituar pensionin special. P.sh. pensioni social aktualisht është 7.262 lekë të rinj në muaj. Në qoftë se personi nuk ka tokë, nuk ka vite pune të siguruar, pra kur nuk plotëson kushtet për të marrë pension pleqërie, atëherë ky person, në moshën 70 vjeç, përfiton pensionin social. Mundet që më pas ky person të krijojë një të ardhur financiare dhe nuk është më në kushtet kur nuk kishte asnjë të ardhur. Nëse Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Korçës ia ka ndërprerë pensionin social personit në fjalë, sigurisht që edhe ia ka argumentuar këtë veprim, pra arsyen përse ia ka ndërprerë pensionin social. Gjithsesi, zotëria duhet që të marrë një përgjigje me shkrim nga kjo drejtori. Nëse nuk bindet nga përgjigjja, atëherë ka të drejtë që t’i bëjë një kërkesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Dhe nëse përsëri nuk bindet, t’i bëjë kërkesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Kam burrin 62 vjeç, të aksidentuar dhe nuk e ka përfituar pensionin e invaliditetit vetëm për 16 ditë. A ka ndonjë shpresë që të ndryshojë ligji sipas të cilit duhet një vit pune në 5 vitet e fundit?

Në qoftë se zotëria është aksidentuar në punë dhe ka procesverbal për aksidentin, pagtjetër që duhet të përfitojë pension invaliditeti. Në qoftë se është aksidentuar jashtë ambientit të punës së tij, atëherë aksidenti futet në grupin e sëmundjeve të përgjithshme dhe e vërteta është që për sëmundjet e përgjithshme, ligji thotë që përveç moshës dhe viteve të punës së siguruar, duhet që brenda 5 viteve të fundit, nga dita që personi sëmuret apo shtrohet në spital, duhet që të ketë 12 muaj punë të siguruar. P.sh. në rast se një person shtrohet sot në spital nga një sëmundje e përgjithshme, atëherë duhet që nga data 27 shkurt e vitit 2014 e deri sot, duhet që të ketë 12 muaj punë të siguruar.

Organi i Kryeministrisë më ka kërkuar me shkrim përse ka kaq ankesa për problemet e invaliditetit. Unë e kam sqaruar juristen që erdhi dhe më pyeti dhe jam i sigurt që ajo do ta dërgojë sqarimin tim te titullarët e saj sepse vetë ata e kanë kërkuar këtë sqarim. Sqarime më të hollësishme zonja do të marrë vetëm te Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. E theksoj edhe një herë që, kur aksidentet ndodhin në punë dhe është mbajtur procesverbal, atëherë ky ligj nuk bëhet pengesë për përfitimin e pensionit të invaliditetit.

Flas nga Kruja. Dua të di se si funksionon ligji për stazhierët në arsim, në rast se një femër është shtatzënë? A e përfiton lejen e lindjes?

Për të marrë lejen e lindjes, pavarësisht nga profesioni, pavarësisht se punon në shkollë private apo shtetërore, zonja duhet të plotësojë dy kushte, së pari duhet që të përcaktohet nga mjeku leja e paralindjes dhe nëna e ardhshme duhet të ketë, të paktën, 12 muaj punë të siguruar në sektor shtetëror apo në sektor privat; dhe së dyti, gjatë periudhës së shtatzënisë duhet të ketë, të paktën, një muaj punë të siguruar. Sqarime më të hollësishme dhe më konkrete do të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Krujë.

Na shkruajnë në një mesazh: “Si interpretohet konkretisht neni 24 i Ligjit për pensionin suplementar shtetëror. Në cilin rast nuk përfitohet ky pension?”.

Pension suplementar përfitojnë edhe pedagogët, edhe ushtarakët, edhe deputetët. Personi që na shkruan duhej të na sqaronte profesionin e tij apo të saj, në mënyrë që të merrte përgjigjen e duhur. Jo të gjithë personat mund të marrin pension suplementar.

Flas nga Kamza. Para vitit 1993 kam punuar dhe kam 15 vite punë. Në vitet 2005-2010 kam punuar në një kioskë, por nuk më janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. A mund të bëj diçka për ato vite pune?

Sivjet gratë dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe për të marrë pension pleqërie duhet të kenë, të paktën 15 vite punë të siguruar, ndërsa për të marrë pension të plotë duhet të kenë 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Nëse kioska ku ka punur zonja ka qenë prona e saj, me licensë, atëherë zonja ka qenë e detyruar që të paguante kontributin e sigurimeve shoqërore. Në qoftë se zonja ka qenë e punësuar aty dhe pronar ka qenë dikush tjetër, atëherë ai person ka shkelur ligjin dhe duhet të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore. Zonja duhet që të vërë në dijeni personin në fjalë dhe të ankohet në zyrën e tatimeve. Nëse kioska ekziston ende, zyra e tatimeve i heq licencën pronarit dhe e detyron që të paguajë kontributin e sigurimeve shoqërore.

 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen