Zbulimi që del nga raporti është “surprizë”. Në fakt duhej të bëhej ky kërkim i gjatë dhe i kushtueshëm, që të zbulohej se në Shqipëri ka tre televizione kombëtare analogjike dhe dy rrjete kombëtare dixhitale, që u përkasin tri familjeve shqiptare, si dhe disa rrjete televizive pak a shumë të mëdha që u përkasin botuesve të ndryshëm.
Gjetjet e studimit tregojnë nivele jashtëzakonisht të larta përqendrimi të tregut mediatik shqiptar. Po është e vërtetë? Aspekti qesharak i këtij investigimi në fakt është se, për të llogaritur përqendrimin e tregut nëpërmjet audiencës, janë përdorur edhe të dhëna të shoqërisë Abacus, e cila, nga një tjetër investigim pak javë më parë, doli se është një shoqëri kioskë, pa punonjës, pa investime dhe pa teknologji.
Në bilancin e vet të fundit, Abacus shpk deklaron se nuk zotëron as edhe një kompjuter, ndërkohë që përfaqësuesve të Rrjeteve Ballkanike të Raportimit Investigativ në Shqipëri dhe Reporterëve pa Kufij u ka deklaruar se ka shpërndarë 1.000 people metters në po aq familje kampion në të gjithë territorin kombëtar. Abacus, siç ka treguar investigimi i publikuar nga gazeta jonë, ka manipuluar raportet e audiencës edhe për shkak të simpative politike apo inateve personale ndaj botuesve të ndryshëm.
Raporti I botuar dje ka përdorur në formë ekskluzive për të llogaritur përqendrimin në fushën e radiove dhe shitjeve të gazetave, edhe një herë informacionet e Abacus. Pra Abacus jo vetëm pretendon të monitorojë audiencën e të gjithë televizioneve të Shqipërisë (që është tashmë e qartë se nuk është në gjendje ta bëjë), por madje pretendon të monitorojë dëgjimet edhe të të gjitha radiove dhe shitjet e gazetave. Një pretendim thjesht qesharak, po të kesh parasysh se monitorimi i radiove do të kërkonte një tjetër investim gjigand, ndërkohë që Abacus ka një kapital 800 euro dhe të ardhura 8.000 euro në vit.
Sa u përket, pastaj, statistikave mbi shitjen e gazetave, të cilat Abacus ua ka dhënë atyre që kanë bërë kërkimin, mbase as vetë botuesit sot nuk janë në gjendje të thonë se sa shet gazeta e tyre, duke qenë se rrjeti i shpërndarjes në rrethe është krejtësisht informal dhe praktikisht i shkatërruar.
Ne e kuptojmë se kërkimi mbi Monitorimin e Pronësisë së Mediave ka qenë i financuar dhe kështu që ai duhej të përfundonte. Por a është e ligjshme të publikosh një kërkim të bazuar në një masë të madhe mbi të dhëna dukshëm false? Dhe, a është korrekte nga ana e atyre që kanë përgatitur kërkimin, të cilët pretendojnë të bëjnë transparencë mbi mediat e tjera, të mos mendonin të bënin transparencë mbi këtë pikë, qoftë edhe duke paralajmëruar në raportin e tyre se Abacus, të dhënat e të cilit janë në bazë të kërkimit, është një shoqëri e dyshuar se manipulon raportet e saj?
d.c./shqiptarja.com









